• |
ide | kryesore

Rama po bën dhe padronin e artit

Arkiva, Blog
Ard_Vehbiu_400x400.jpg



Nga Ardian Vehbiu/

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, hapi këto ditë një ekspozitë në Napoli- një nga të shumtat e kësaj serie, me vizatimet e tij tashmë të mirënjohura. Zakonisht ekspozita të tilla i hapin artistët, jo kryeministrat (këta të fundit vijnë që të presin shiritat); dhe Rama ka qenë artist para se të bëhej kryeministër dhe, shpresoj, do të mbetet i tillë edhe pasi të largohet nga ai kolltuk; paçka se në rastin konkret unë besoj se është kryeministri që ekspozon, jo artisti.

Përndryshe, për artistët janë kohë të vështira; arti kërkon mbështetje financiare dhe mbështetja për artistët në Shqipëri ose mungon krejt, me përjashtim të ilustratorëve dhe dekoratorëve të vilave a hoteleve të parallinjve të rinj; ose është toksike, rrezikon të vijë me një kosto politike, sociale dhe kulturore të papërballueshme, siç ndodhi tani së fundi me Eljan Taninin. Kjo nuk është ndonjë gjë e re në historinë e artit, edhe pse meriton megjithatë vëmendje.

Ka qenë një mot, kur artistët synonin të bëheshin pjesë e oborrit të një monarku a të një fisniku, në mënyrë që të mund të krijonin lirisht; ose të paktën pa u shqetësuar se kush do t’ua paguante darkën. Mekanizmi ka prodhuar art të kalibrit të lartë- çfarë thotë diçka, besoj unë, edhe për shijet e mira të monarkëve dhe të fisnikëve të kohës; që dinin të zgjidhnin një Mozart a një Velasquez nga masa e të patalentuarve.

Te Rama shohim, megjithatë, një version të ri, më të lartë të këtij mecenatizmi; sepse Rama, në vend që t’i bashkëngjitej oborrit të një të pushtetshmi dhe të nxirrte edhe ai nga peneli afreske kitsch me Skënderbeun muskular dhe mbretëreshën Teutë me kostum popullor, skulptura luftëtarësh ilirë ose fundja edhe motive abstrakte për vetratat e banjave të hanëmeve post- komuniste, zgjodhi të bëhej ai vetë padroni i artit të tij; duke marrë, si të thuash, kontroll mbi oborrin dhe duke u bërë monarku dhe meceni i vetvetes, nëpërmjet ngjitjes në krye të pushtetit politik.

Këtë e them jo në kuptimin se Rama po përdor gjë paratë e taksapaguesve për të mbështetur artin e vet, por në kuptimin se suksesi i tij si artist nuk mund të ndahet dhe nuk duhet të ndahet, nga suksesi i tij si politikan dhe si kryeministër i një shteti të vogël dhe të varfër.

E kam shkruar edhe më parë, që vlera artistike e vizatimeve të Ramës i ka rrënjët në politikë; ose në statusin prej kryeministri të artistit ekspozues. Dhe kjo, jo aq për shkak të një paramendimi ose të një marifeti- të tipit “le të bëhem kryeministër, që të më hapin dyert e galerive”; sa për shkak se vetë arti, që ekspozon Rama lart e poshtë në botë, është arti i një politikani të cilit i rri ngushtë kolltuku; ose një thirrje për ndihmë. Paçka se thirrjet për ndihmë gjithnjë e kanë argëtuar publikun.

(Marre nga peizazhe.com/ Titulli origjinal: Artisti në fron)



2 Comments

  1. Nashti trapi lales: O vil e

    Nashti trapi lales: O vil e ma, o dhit e ha. O shkruaj per kryeministrin per politike, se per artin figurativ, sa mer vesh Gamori mer vesht ti. Këtë e them jo në kuptimin se Rama po përdor gjë paratë e taksapaguesve për të mbështetur artin e vet, por në kuptimin se suksesi i tij si artist nuk mund të ndahet dhe nuk duhet të ndahet, nga suksesi i tij si politikan dhe si kryeministër i një shteti të vogël dhe të varfër.

    Idjot e shkrim Trapi

  2. Ka mjafte mendime te Vehbiut

    Ka mjafte mendime te Vehbiut me te cilat nuk pajtohem, por me duket se ne kete shkrim, ndonese disi zbehte, ka ngritur nje problem te drejte. Ne paranteze do te shtoja se pse shume shqiptare kur marin persiper te komentojne ndonje shkrim, kujtojne se "koment" quhet sharja me fjale te ndyra e demostrim urrejtje primitive. Edi Rama vertete eshte diplomuar si piktor, por nuk ka shkelqyer asnjehere ne profesionin e tij. Ky eshte nje fakt e jo nje paragjykim. E quaj abuzim qe duke u bere kryeminister, kerkon qe te propogandoje krijimtarine e tij artistike mediokre. Eshte tjeter gje qe dikush ne saje te arritjeve te shkelqyera ne fushen e tij profesionale, mund te qelloje e te meret me politike e te beje karriere, e tjeter gje qe duke perfituar nga karriera politike kerkon te "shese" pacavuret e tij te artit. Kam njohur dhjetra piktore shume te talentuar qe humben vetem sepse nuk i perkisnin familjeve komuniste e bile disa prej tyre u kalben edhe burgjeve. Nuk ka qene asnjehere studenti i arteve figurative Edi Rama, ndonje talent i shquar apo autor i ndonje vepre qe te kishte terhequr vemendjen ne ndonje ekspozite. Nga nje student mesatar, ne saje te te atit, u be "pedagog" i Institutit ku studjoi, kur shume kolege te tij shume me te talentuar se ai, provuan burgjet. Nuk eshte njohur Edi Rame deri ne fillim vitet 90 si ndonje talent i shquar ne fushen e arteve por me teper si nje i ri problematik i sojit te "garipave" te Tiranes me sjellje ekstravagante deri te dhuneshme. U be kryeminister duke perzgjedhur deputete me te kaluar kriminale qe ju bashkuan "shuplakave" te tij, e tani kerkon ti imponoje me cilesine e kryeministrit publikut, mbrenda e jashte vendit, emrin e nje "piktori".