• |
ide | kryesore

Opozita greke kërkon mbledhje me dyer të mbyllura për negociatat me Shqipërinë

Lajme, Të fundit



Deputetë të Partisë Demokracia e Re me në krye George Koumoutsakos (ministri i jashtëm në hije) kërkojnë informim me dyer të mbyllura për negociatat me Shqipërinë.

Në një letër drejtuar kryetarit të Komisionit të Jashtëm, Douzinas, kërkojnë diskutim me dyer të mbyllura për negociatat në zhvillim me Shqipërinë. Në fokus janë zhvillimet për të drejtat e minoritetit etnik grek dhe marrëveshjen dypalëshe për përcaktimin e zonave detare.

Siç përmendin në komunikatën drejtuar Douzinas, “çështja është tepër emergjente, pasi sipas informatave që qarkulluan dhe deklaratave e ministrave të Jashtëm të Greqisë dhe të Shqipërisë, negociatat kanë arritur në një stad kritik dhe rishikimi i marrëveshjes për zonat detare, pothuajse kanë përfunduar”.

“Në këtë çështje qeveria nuk është përgjigjur me informim thelbësor dhe të plotë ndaj parlamentit dhe opozitës pavarësisht pyetjeve të vazhdueshme për përmbajtjen e bisedimeve greko-shqiptare dhe gamës se çështjeve që përfshijnë”.

Deputetët e Demokracisë së Re theksojnë se “opozita mbetet në errësirë për një çështje të rëndësisë kombëtare dhe ky fakt krijon një shqetësim të natyrshëm”.

“Shqetësimi përforcohet edhe nga fakti se në rastin e negociatave me FYROM-in për emrin, qeveria dhe Ministria e Jashtme sollën rezultate negative për interesat greke, si në Parlament, ashtu edhe në nivelin shoqëror”.

“Duke pasur parasysh nevojën për shmangien e përsëritjes së këtij fakti negativ”, konkludojnë deputetët e PDR-së, “kërkojmë mbledhjen e jashtëzakonshme, me dyer të mbyllura, të Komisionit të Përhershëm të Mbrojtjes Kombëtare dhe Çështjeve të Jashtme, me qëllim që të informohemi dhe diskutojmë për zhvillimet e fundit në bashkëbisedimet greko-shqiptare dhe të shmangen vendime të reja te tipit fait accompli (faktit të kryer) në çështjet kombëtare” – thuhet në letrën e opozitës greke.  ©LAPSI.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *