• |
ide | kryesore

Ekzekutimi i 24-vjeçarit në Itali, i ati në lot: E vranë për një vajzë!

Lajme, Të fundit



Lekë Picaku, babai i 24- vjeçarit të vrarë në Itali Viktorian Picaku, është ende i shokuar nga ngjarja e rëndë që i mori jetën të birit. Ai bën apel për ndërhyrje nga strukturat e shtetit për të sjellë trupin e tij, pasi ata nuk kanë mundësi financiare. Familja Picaku me origjinë nga fshati Perlat në Mirditë janë vendosur në zonën e ish-Kënetës në Durrës prej 24 vitesh.

E ndërsa trupi i djalit të tyre ndodhet ende në Itali dhe ata s’janë të qartë se kur do të mund t’i japin lamtumirën e fundit, familja Picaku ka hapur dyert e mortit. “Sikur ta kisha parandjerë. Unë telefonova djalin e madh vetëm pak momente pasi ndodhi krimi. Ai kishte ditëlindjen e vajzës dhe doja ta uroja. Por nuk e mendova kurrë se do të merrja lajmin e kobshëm për vrasjen e djalit të vogël. Të dy djemtë kanë qenë bashkë kur ka ndodhur ngjarja. Djali ishte i tronditur shumë, por ma tha se kanë vrarë Viktorin”, tregon mes lotëve Lekë Picaku.

Z, Lekë, si e mësuat lajmin e rëndë të vrasjes së djalit tuaj?

Krejt rastësisht. Telefonova djalin e madh për t’i uruar ditëlindjen e vajzës, pra, mbesës sime dhe mësova se kisha humbur Viktorianin. Nuk dija asgjë. Biles nuk po kuptoja fare se çfarë kishte ndodhur. Mendova se ishte një shaka fillimisht mes djemve. Me pas më tha djali i madh se vranë Viktorianin.

Ju telefonuat pikërisht në momentin e ngjarjes?

Po. Zoti me shtyu dhe fiks në momentin e ngjarjes i kam rënë telefonit. U vra… e kanë vrarë… Viktoriani s’merr frymë më… më thoshte djali. E kuptova direkt që ishte vrasje apo therje.

Djali i madh ndodhej bashkë me Viktorianin kur ka ndodhur ngjarja?

Po, po, kanë qenë bashkë. Ndodheshin bashkë të dy vëllezërit dhe nusja e djalit të madh. Autorët, të cilët sipas djalit tjetër, ishin dy persona, e kanë qëlluar disa herë duke e lënë të vdekur në vend. Në momentin që ka tentuar i vëllai për t’i dhënë ndihmën e parë, autorët e kërcënuan dhe i kërkuan të mos afrohej pasi do të qëllonin edhe atë. Djali i madh ishte shtangur dhe ishte afruar pasi u larguan dy autorët. Siç po më thoshte, nuk ka pasur asnjë mundësi për të ndërhyrë pasi e kishin kërcënuar që të mos afrohej. Kur u afrua, ndërkohë që autorët ishin larguar, Viktoriani kishte ndërruar jetë. Pastaj kishte ardhur Policia dhe autoambulanca, por gjithçka kishte marrë rrugë pa kthim.

Keni informacion pse ka ndodhur ngjarja e rëndë? Nga biseda që keni bërë me djalin tjetër?

Me djalin e madh s’kuptohem dot se është shumë i mërzitur dhe i tronditur. Është i shokuar pasi ka qenë në vendin e ngjarjes dhe për më tepër nuk ka mundur ta ndihmojë të vëllanë. Por nga ato pak gjëra që më ka thënë, di që është grindur për një vajzë. Njëri prej autorëve po e keqtrajtonte pak ditë më parë dhe djali ka ndërhyrë për ta shpëtuar. Tri ditë më parë ai e vrau pas shpine

Prej sa kohësh ndodhej Viktoriani në Itali dhe çfarë pune bënte?

Prej dy vitesh. Shkoi se këtu ishte pa punë. Rrinte te vëllai i madh. Punonte në të zezë. Pa letra, pa asgjë. Veç në mëshirë të fatit, në mëshirë të Zotit.

Kur keni folur për herë të fundit me të?

Për herë të fundit kemi folur një natë para se ta vrisnin. Atë natë që e vranë, ishte ditëlindja e mbesës.

Po trupin e djalit, kur do ta sjellin? Keni një apel për ndihmë?

Kisha një kërkesë, kush të ketë mundësi që ka pak dhimbje për fëmijën, të më ndihmojë të sjellim trupin e djalit. As kemi vrarë, as kemi prerë. Ministria e Brendshme, e Jashtme kush të ketë mundësi të na ndihmojë. Djalin e kanë vrarë, por po mbetet atje… Kam 30 vite me astmë. Kush të ketë mundësi të më ndihmojë të sjell trupin këtu.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *