• |
ide | kryesore

Si po rënohet bota e pas luftës së dytë botërore

2, Ide



Ishte vjeshtë në vitin 2001, diku mes sulmeve terroriste të 11 shtatorit në SHBA dhe pushtimit të Afganistanit nga presidenti amerikan George W. Bush. Po ecja nëpër Venecia me Richard C. Holbrooke, i cili ka qenë ambasador i SHBA në Kombet e Bashkuara kur Bill Clinton ishte president. Holbrookes i ra telefoni. Në anën tjetër ishte sekretari i përgjithshëm i atëhershëm i OKB, Kofi Annan.

Holbrooke e priste telefonatën. Ai dhe Annan folën me një besim të ngrohtë të lindur nga bashkëpunimi i tyre gjatë mandatit të dytë të Clinton. Annan, një lloj Pape civil, kishte krijuar një partneritet me Holbrooke, diplomatin mjeshtër që kishte qenë thelbësor në dhënien fund të Luftës së Bosnjes. Ishte një partneritet që të dy burrat e konsideronin thelbësor për paqen dhe stabilitetin global.
Kjo dinamikë bashkëpunuese shkonte përtej Annan dhe Holbrooke. OKB, si simboli perfekt i legjitimitetit ndërkombëtar dhe sundimit të ligjit dhe SHBA, si një përfaqësim i pushtetit dhe forcës pragmatike, kishin një lloj aleance. Teksa ne vajtojmë vdekjen së fundmi të Annan, ndoshta duhet të vajtojmë gjithashtu atë aleancë – dhe më thellësisht, zbehjen e qëndrimit global të OKB që nga largimi i Annan në vitin 2007.
Annan nuk ishte perfekt dhe karriera e tij përfshinte tragjedi dhe gabime. Në mes të viteve 1990, kur shërbente si Nën.Sekretar i Përgjithëshëm i OKB për Paqeruajtjen, masakra ndodhën në Ruandë dhe më pas në Bosnje, sepse forcat e OKB dështuan të përmbushin përgjegjësinë e tyre për mbrojtje. Annan nuk mori përgjegjësi të konsiderueshme për atë dështim.
Por gjithsesi Annan kishte një kombinim të karizmës, elegancës, elokuencës dhe vetëkontrollit që ishte vendimtar në ruajtjen e vizibilitetit dhe legjitimitetit të organizatave ndërkombëtare mes të barabartëve. Asnjë nga pasardhësit e tij nuk ka qenë në gjendje të ofronte këto cilësi jetësore përfshirë Antonio Guterres, i cili mori drejtimin vitin e kaluar. Pavarësisht shumë cilësive pozitive të Guterres, fakti është se OKB thuajse është zhdukur nga radari ndërkombëtar që kur ai po drejton.
Bota është buzë një lloj kaosi që nuk është parë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Sulmet në rritje ndaj multilateralizmit dhe sundimit ndërkombëtar të ligjit kërcënojnë të shkatërrojnë sistemin global të pasluftës që u krijua – me OKB si një nga shtyllat kryesore – për t’u siguruar se historia nuk do të përsëritej.
Sot, SHBA është shfaqur si krye-kritikuese e OKB. Sipas presidentit Donald Trump, OKB është minimalisht e panevojshme. Në fund të fundit, qëndron për multilateralizëm dhe sundim të ligjit, ndërsa Trump mbron marrëveshjet bilaterale dhe sundimin e forcës.
Rusia gjithashtu po sfidon rolin e OKB, megjithëse më pak. Këtë mars, Rusia bllokoi një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB për të diskutuar katastrofën e të drejtave të njeriut në Siri. Por, në një mënyrë, lëvizja e Kremlinit në fakt reflekton perceptimin e vazhdueshëm se OKB ka ende një lloj influence.
Një fuqi botërore që është shfaqur si një mbështetëse befasuese e OKB është Kina. Ndryshe nga SHBA e Trump, Kina e di se OKB mund të shërbejë si një platformë që të marrë ndikim global ndërsa krijon fuqi diplomatike. Si rezultat, Kina është bërë kontribuesja e tretë më e madhe e buxhetit të rregullt të OKB dhe kontribuesja e dytë më e madhe për buxhetin e paqeruajtjes. Kina madje ka premtuar mijëra pjesëtarë staf për operacionet e paqeruajtjes së OKB, përfshirë një angazhim për siguri globale.
Por për të ruajtur qëndrimin dhe ndikimin e OKB në nivelin që kishte nën drejtimin e Annan kjo do të kërkojë mbështetje më të fortë nga Europa – në veçanti Franca dhe Gjermania – bashkë me dy demokraci të tjera liberale influencuese, ndoshta Kanadaja për të prezantuar Amerikën e Veriut dhe Japoninë për të prezantuar Azinë.
Sigurisht, kritikët do të shprehin dyshimet e tyre. Nëse Franca dhe Gjermania mezi mund të menaxhojnë ndonjë progres në kontekstin europian, si mund të pritet të drejtojnë botën ndaj multilateralizmit dhe sundimit të ligjit? Kanadaja nuk mund të pritet të përfaqësojë Amerikën e Veriut ndaj SHBA-së së fuqishme. Dhe Japonia është një shoqëri në plakje, në mos në rënie.
Por cila është alternativa? Nëse këto demokraci liberale – që kanë pushtetin e tyre diplomatik – mbeten pasive, rendi ndërkombëtar do të vazhdojë të dobësohet, mundësisht në atë pikë sa do të formohet kryesisht nga forca brutale, në vend të diplomacisë, bashkëpunimit dhe sundimit të ligjit.
Së bashku, megjithatë, këto vende mund të provojnë të ndalojnë rënien e institucioneve ndërkombëtare dhe të parandalojnë botën të zhytet në dhunën e të shkuarës. Nëse votuesit amerikanë, siç duket, i heqin republikanëve shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve në zgjedhjet afatmesme këtë nëntor, shanset e shpëtimit të rendit ndërkombëtar do të rriten.
Një rënie në kaos ka më shumë gjasa të ndodhë sot nga sa ka pasur në 70 vitet e fundit. Por nuk është e pashmangshme. Mund të mos kemi një sekretar të përgjithshëm me dhuntitë e Annan, por mundet dhe duhet të vazhdojmë të luftojmë për rendin botëror që ai ndihmoi të krijohej.

DOMINIQUE MOISI/Project Syndicate



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *