• |
ide | kryesore

Video/ Digjet Selman Stërmasi: Tiranën e shpëton shtylla, Hoxha e çon në 16 serinë pa humbje në derbi…

F1, Sport, Video



Tirana mbetet e pamundur në 2019, Partizani mbetet i pathyer në derbi prej 16 ndeshjesh qytetase. Në Selman Stërmasi nuk ka fitues, në një atmosferë të ndezur, përtej limiteve madje, gjë që ndoshta është e kuptueshme për një ndeshje Tirana Partizani, por që përvec faturës financiare për bardheblutë, mund të sjellë edhe ndonjë dënim të fushës. E meqë jemi tek fusha, aty në 45 minuta Tirana ishte skuadra më e mirë dhe të kuqtë iu falën kapitenit Alban Hoxha, për ta ruajtur serinë e rezultateve pa humbje në 5 vjecarin e fundit. Nga ana tjetër Tirana duhet të jetë e kënaqur që doli jo me kokën ulur nga stadiumi, sa herë të kujtojë silurën e Bruno Telushit, që gjeti frontalin e shtyllës në të djathtë të Abibit.

Nuk kishte gol derbi, por spektakli ishte i garantuar. Skuadra e Gegës nuk arriti dot të fitojë mesfushën në agonizmin e një ndeshje me ritëm të lartë, ku dëshira e bardhebluve për ti dhënë fund supremacisë së Partizanit ishte diferencuese. Bardheblutë fituan duelet në krahë me Kërcikun e Hasanin që vunë në provë të vështirë Idrizajn, deri kur mbrojtësi që zëvendësoi Trashin u dëmtua rëndë dhe u largua me ambulancë, për kontrolle të mëtejshme. E njëjta situatë, ishte edhe në krahun e majtë, ku Greca ishte shumë intensiv, për të mbajtur Ibrahimin të mos dalë kurrë nga zona e tij. Edhe në qendër Atanda e Belica patën sprovë me Michael Ngo’o e nga gjithë reparti vetëm Hoxha ka mbajtur lart rrezikun e treshes ofensive të Memës, duke bërë heroin në dy raste ndaj një fuqie të natyrës si Ngo’o. Anglezi ka goditur dy herë me kokë, duke shfrytëzuar shtatlartësinë e tij, por në të dy momentet Hoxha ishte spektakolar, me reflekse që justifikojnë shifrat e portierit më pak të mundur të kampionatit.

 

Partizani bëri lojën e tij, me kujdesin për të mos humbur, por me cinizmin për të goditur, aq sa shtylla e Abibit ende tundet nga silura e Telushit, që mund ti kishte nxjerrë edhe më keq se barazimi 0-0, që ndoshta nuk i jep kënaqësinë e hakmarrjes për gjithë serinë pa fitore Tiranës, por e ngushëllon për një ndalesë që mund tia komplikojë fort rrugën Partizanit drejt titullit…ëndërra që mbetet e mbyllur në sirtar që nga 1993.

 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *