• |
ide | kryesore

Tensioni i pashmangshëm që krijon Albin Kurti

-Instant, 1, 2, Ide

Ditët e para si kryeministër i Kosovës po provojnë se rruga e Albin Kurit në qeveri do të jetë e mundimshme dhe mes sprovash tepër të vështira. Ndoshta shumë më tepër seç mund ta ketë menduar edhe vetë Kurti. Përveç sfidave kapitale si dialogu me Serbinë, partneriteti i komplikuar me LDK dhe lufta kundër korrupsionit, liderit të Vetëvendosjes do t’i duhet të përballet çdo ditë, madje çdo orë, me një monitorim si asnjëherë më parë të fjalëve dhe veprimeve të tij.

Në harkun kohor të vetëm pak ditëve, kemi parë se si është analizuar deri në detaje çdo prononcim i Kurtit dhe se si është ballafaqur çdo akt i tij me ato që ka thënë e premtuar më parë. Në rastin e kryministrit të Kosovës, lupa e opnionit publik apo e kundërshtarëve politikë është disafishuar për të zmadhuar e nxjerrë në pah çdo gabim të mundshëm të tij.

Kjo vëmendje e pazakontë ndaj Kurtit, sigurisht e ka një shpjegim që nuk lidhet vetëm me pritshmërinë e lartë që kanë qytetarët e Kosovës nga një forcë e re që theu statuskuonë e ndryshkur politike. Në të gjithë kritikën shtatanike ndaj Kurtit, ndihet nga larg një lloj eksitimi i papërmbajtshëm për të treguar se edhe ai në fund të fundit është si gjithë të tjerët. Ata që kanë zaptuar me dekada hapësirën e vendimarrjes në Kosovë e Shqipëri, ata që kanë vegjetuar duke u shërbyer pushteteve të radhës, ata që e kanë legjitimuar amoralitetin e kompromisve të tyre me filozofinë se kështu e ka politika dhe se të gjithë jemi njëlloj të bërë pis, nuk mund të pranojnë dot një model që arriti të ngrihet duke zgjedhur një rrugë tjetër.

Kritika konstruktive ndaj Kurtit është diçka tjetër nga dëshira malinje për t’i përkthyer qëndrimet e tij në tezën se edhe ky po shndërrohet si gjithë të tjerët. Albin Kurti ndërtoi një fabul, që deri dje dukej e pamundur dhe ishte servirur si e tillë nga ata që e përjetojnë pushtetin si një pronë të përjetshme. Dhe pikërisht nga suksesi i kësaj fabule, buron edhe nxitimi për ta zhbërë ata që në ditët e para të jetësimit. Kurti, ndryshe nga gjithë të tjerët më parë, ia doli mes shumë mundimesh të jetë kryeministër duke u qëndruar parimeve dhe bindjeve të tij politike. Pa kulisa, pa kompromise të turpshme, pa servilizma, pa miliona për të lobuar me fotografi presidentësh amerikanë, pa flirtime me biznese që kërkojnë më pas haraçin, pa kriminelë që presin shpërblimin pasi kanë sjellë thasët me vota.

Ndër viset tona, ky është një rast ekzemplar të paktën 15 vitet e fundit, ku partitë dhe liderët nuk kanë më ideologji, nuk ka as të majtë as të djathtë, kalërojnë të njëjtët biznesmenë për të mbajtur pushtetin, përdorin të njëjtat media për të mbuluar mëkatet dhe për tymuar me propagandë.  Ideja se dikush mund t’ia dalë jashtë këtij sistemi, që deri më sot i janë falur të gjithë, është një kërcënim real për një establishment të gjerë që ka mbijetuar e është pasuruar falë tij. Në këtë kontekst, dëshira për ta vizatuar Kurtin- kryeministër si dikë që po i nënshtrohet sistemit për të ruajtur karriken e fituar, kthehet thuajse në nevojë jetike.

Shprehja aq shumë e përdorur nga Edi Rama në adresë të Kurtit, se poezia e opozitës ndryshon nga proza e qeverisë apo se ai është ende i ri si kryeministër, duke nënkuptuar se do të prishet rrugës, synon pikërisht zhbërjen e një modeli sipëror me synimin për ta ulur në pellgun e ndënjur të tranzicionit shqiptar. “Tani që është kryeministër, edhe ky do bëhet si ne”- është ky qëllimi i gjithë qasjes jo thjesht ndaj Albin Kurtit, por ndaj një fenomeni që mund t’i privojë nga një pushtet që e kanë parë si qëllim në vetvete dhe jo si shërbim ndaj qytetarëve që u kanë marrë votat.

Tensioni që u shfaq në takimin e Tiranës mes Ramës dhe Kurtit, nuk ishte thjesht mosdakortësia e tyre për çështje të caktuara. Ishte shumë më tepër se kaq. Të dy kryeministrat do ta kenë tensionin mes tyre edhe sikur të jenë në një mendje për cilëndo nga temat që kanë mbi tryezë. Sepse ata janë krejt të ndryshëm në adn-në e tyre politike. Mjafton vetëm fotografia për të kuptuar se Rama nuk mund të jetë kurrë rehat në krah të një njeriu që edhe pa thënë asgjë, bën kontrastin e fortë mes një bote të dalëboje dhe një ideje të ngritur mbi besim. Të fitosh besimin e njerëzve falë një ideje apo kauze është gati herezi për ata që dinë të veprojnë vetëm me mashtrime e manipulime, me leje ndërtimi e koncensione, me blerje mediash e propagandë boshe. Prandaj sa kohë do jenë në krah të Albinit, tensionin nuk do ta shmangin dot.

Jo individi, por modeli që ai mishëron e prodhon vetvetiu kontrastin e pashmangshëm. Dhe këtë e pamë vetëm në takimin me Ramën, sepse kryeministri i Kosovës na e kurseu fotografinë me Erjon Velinë, ku mosha e re e të dy politikanëve do ta bënte edhe më të pamëshirshme diferencën e thellë mes atyre që zgjedhin të luftojnë për bindjet e tyre dhe atyre që zvarriten për të bërë përpara.

Në këtë rrugë të vështirë, që sapo e ka nisur, ndoshta edhe Kurti mund të thyhet. Askush nuk mund të vërë bast nëse sistemi do ta mposhtë edhe atë. Tani për tani, pavarësisht lupës së madhe që i qëndron mbi krye, një gjë është e sigurtë: Albin Kurtin do ta ballafaqojnë vetëm me veten e tij, me atë çka ai vetë përfaqëson. Nuk ka model tjetër për ta krahasuar.

12 Comments

  1. Nietszche, mendimtari i madh gjerman, na kujton se “duke punuar me monstra, shpesh të qëllon të kthehesh vetë në të tillë!’

    1. Me duket se i referohesh shprehjes
      ” Nese i ngul syte shume gjate humneres dhe ajo t’i ngul ty”.
      Nejse, Albini realisht duhet gjykuar nga ajo qe ben ne pushtet, sepse levizje populiste si e Albinit qe fitojne zgjedhje nuk jane ndonje cudi aq e madhe, sidomos ne Kosove me klase politike shume te fragmentuar dhe qe ben zgjedhje relativisht te lira. Per levizjet populiste kudo momenti i llogaridhenies fillon pikerisht pasi marrin pushtetin. Kjo eshte shume e arsyeshme, pavaresisht se keta qe e bejne mund te jene vemje. Nuk ka arsye per t’u ankuar.

  2. EDI RAMA MENDON SE ALBIN KURTI ESHTE SI YMER GELBAZA KELLIRA ,CARLO BOLINO ,SOKOL BALLA ,SKENDER MINXHOZI ETJ ETJ TE BEJ SI TE THOTE EDI RAMA ,KJO NUM DO TE NDODH KURR FARE

  3. Albini ka nji eksperience te gjate ne opozite.Gjate te gjithe ksaj kohe i ka qendru parimeve te tija.Shpesh here asht ataku me pushtetin, deri edhe burgosje ka provu.Nuk mendoj se asht i stanit ku lepihet E.Rama.Nuk ka shenja servilizmi,si kryem…. i Shqipnis tone.
    I uroj mendje te ftohte dhe te forte.
    Jena mbingop me bythlepires,te te gjitha krahve.
    HEQJE TAKSES 100%=NJOHJE E SHETIT KOSOVE!!!

  4. Ndryshimi më i dukshëm midis Kurtit e Ramës ,është se Rama erdhi direkt nga nënurat e Parisit e na u bë ministër kulture nga Nano, kurse Kurti ka 17 vite që ka qenë në opozitë me qeveritë.
    Nfryshimi tjetër është në formimin ideollogjik.
    Rama nga “armil i betuar” i komunizmit në fillim vitet 90, u bë pjesë e qeverisë së ish Partisë së Punës, PS e me propogandën komuniste tërhoqi elektoratin enverist për ta votuar si shef të PS e më vonë si kryeministër.
    Si kryeministër erdhi me premtime reformash të majta sociale në luftë kundër “kapitalistëve, por nuk kaloi shumë kohë dhe u bë shefi i kapitalizmit mafioz shqiptar.
    Ndërkaq Kurti , ndonëse në fillimet e tij politike u paraqit si një marksist, kohët e fundit si një politikan i majtë i moderuar, i afrohet spektrit të social-demokracisë europiane.por duke ruajtur linjën ideollogjike të së majtës.
    Pat thënë dikur Rama se unë nuk jam as i majtë e as i djathtë, e kjo thënie ju mor si retorikë jo e besueshme.
    Sot ai ka e ka treguar me vepra se nuk i përket asnjë ideollogjie, veç synimit për tu pasuruar me një pushtet të pakufizuar si një armik i hapur i demokracisë e shtetit ligjor.
    Nëse do të flitej për Ramën për ideollogji, ideollogjia e tij është vetëm anarshizmi me lejtmotivin që vetë e ka sajuar për të tjerët “KAP ÇFARË TË KAPËSH” (KÇK)
    Uroj që Kurti ti largohet sa më shumë ideve të së majtës tradicionale, pikërisht për tju shmangur rrugës korruptive të PS shqiptare.
    Shqiptarët e Kosovës vuajtën nga dy kolera, nga pushtuesit komunistë serbë e nga sistemi socialist.
    Shqiptarët e këtej kufirit , provuan kolerën me tragjike të majtizmit, modelin stalinist të diktaturës komuniste.
    Do të ishte naive ti kërkohej Kurtit që të heqë dorë nga bindjet e majta, pasi kjo do të ishte një mohim i të drejtës së mendimit ndryshe. Por do të desha që ai të ndiqte parimet e së majtës së moderuar europerëndimore, duke pranuar sistemin demokratik kapitalist të konkurencës së lirë të biznesit në kornizën e një shteti ligjor.

  5. Tani eshte “moda” te flasesh per Kurtin si “yll” i ri i politikes..Do ta shikojme , por nuk kam shume besim!Ne nje vend ku shume nga zhvillimet shoqerore, jane ne te vertete zhvillime tribale, nuk ka vend shume per strategji politike..Nuk kane sens gjithe keto arsyetime ne dy vende me popullsi kaq te vogel, Nuk kane rezurse dhe nuk mund te behen mundesi zhvillimi..Pika e pare eshte bashkimi ne nje federate, pastaj kemi minimumin e rezurseve edhe ti kundervihemi krimit vendas dhe nderhyrjeve te huaja!

  6. Ne e kemi pare Albinin me syzet qe duam ta shohim, e kemi pare si Mesine qe do sjellin shpetimin,
    e kemi pare si heroin mitik qe me shpaten e e ndershmerise do presi koken e Meduzes korrupsion
    ne Kosove dhe shembulli i tij te lind Albine te tjere ne Shqiperi.
    Duke dashur qe ai te jete ashtu sic e duam, e kemi idealizuar dhe mitizuar aqsa tani kerkojme
    frutet akoma pa celur lulet.
    Por qe Alini te jete ai qe duam, duhet qe brenda tek secili prej nesh te kete nga pak nga ajo
    qe kerkojme te kete Albini :-NDERSHMERI DHE GUXIM

  7. Duke ndjekur mbrëmë në Opinionin e Fevziut në përballjen e kryeministrit Rama me gazetarët, gjatl gjithë kohës ai përbetohej se vetëm ai është “më i ndershmi” e gjithë të tjerët , përfshirë edhe gazetarët në studio, janë në mbrojtje të krimit
    Me “guximin” e madh që ja jepte posti i kryeministrit, e në mënyrën më harbute, nuk i linte gazetarët as të bënin pyetje e as të flisnin e bile edhe duke i ofenduar por veç ju kërkonte që të dëgjonin vetëm çfarë thoshte ai.
    Pikërisht këtë lloj “ndershmërie” e “guximi” , nuk do tja rekomandoja z. Kurti në mardhënien e tij si kryeministër me të tjerët

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu