• |
ide | kryesore

Takimi i Bashës me Vjosa Osmanin, kryeparlamentarja e Kosovës i kërkon muze për të përkujtuar genocidin serb

Arkiva, Lajme, Të fundit



Kryedemokrati Lulzim Basha zhvilloi një takim ditën e sotme (20 korrik) me kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani në kuadër të një vizite 2 ditore me zyrtarë të lartë vendit fqinj. Pas takimit, në një deklaratë për mediat, Osmani foli për bisedimet që zhvilloi me Bashën të cilat ishin të fokusuara në forcimin e marrëdhenieve mes dy vendeve, si në aspektin ekonomik ashtu edhe në marrëdhëniet politike.

Postimi Bashes

Me kënaqësi të veçantë bashkëbisedova sot me Kryetaren e Parlamentit të Kosovës, zonjën Vjosa Osmani, të cilën e njoh dhe personalisht prej gati 20 vitesh, dhe më vjen mirë që një përfaqësuese politike e brezit të ri drejton njërin prej institucioneve më të rëndësishme të Republikës së Kosovës.

I theksova zonjës Osmani, se ashtu siç mblidhemi bashkë në gëzime, duhet të dimë të jemi bashkë edhe në sfida. Ndihma më e mirë që Shqipëria mund të japë, ashtu siç ka bërë në ditët e pavarësimit dhe njohjes së saj ndërkombëtare, apo koordinimit të projekteve të mëdha infrastrukturore, që afruan vendet tona, ashtu dhe në sfidat e tanishme, ajo sot duhet, dhe nesër do të jetë patjetër, mbështetje totale për institucionet e Kosovës dhe qytetarët e Kosovës, kudo ku ata do të kenë nevojë.

Diskutuam edhe për dialogun mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë.
Natyrisht dialogu ka qenë, është dhe duhet të jetë rruga për të ecur përpara, por objektivi kryesor i tij, është njohja reciproke mes dy shteteve te pavarura.

Zonja Osmani më shprehu shqetësimin për mungesën e nje muzeu, për të përkujtuar sot e për t’ua lënë si dëshmi brezave që do të vijnë, vuajtjet, dhunën, genocidin e ushtruar ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Shpreha angazhimin dhe përkushtimin tim që Shqipëria do t’i bashkohet përpjekjeve për të ngritur muzeun e kujtesës, në mënyrë që të mos harrojmë të shkuarën, e mbi sakrificën e atyre që dhanë jetën, të ndërtojmë të ardhmen tonë e të fëmijëve tanë.



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *