• |
ide | kryesore

Gënjeshtra si para një viti/ Çfarë ka brenda inceneratorit të Fierit

-Instant, Kryesore



Sheshi para inceneratorit të Fierit ishte i ndriçuar pasditen e së martës, ndërsa prej godinës së lyer me të gjelbër vjen një zhurmë e fortë mekanike. Por ndryshe nga përshtypja që krijohet fillimisht, drejtuesi teknik i kantierit, Enid Dine pranoi se inceneratori nuk ka nisur ende punën.

“Nuk ka nisur puna për përpunimin e mbetjeve,” tha Dine gjatë vizitës që deputetët demokratë dhe socialistë të komisionit hetimor për inceneratorët bënë pasditen e së martës në zonën e trajtimit të mbetjeve të Fierit.

Dine shtoi se pajisjet janë akoma në fazën e kolaudimit, proces që sipas tij do të përfundonte brenda 35-40 ditëve.

Bazuar në kontratën koncesionare, impianti që ndodhet në fshatin Mbrostar të Fierit ishte parashikuar të mbaronte në tetor 2019. Por pas shtyrjeve të afatit të punimeve, data e fundit zyrtare ishte 31 marsi 2021.

Në një vizitë që kryeministri Edi Rama bëri para zgjedhjeve parlamentare të prillit të kaluar, një prej drejtuesve të kantierit tha se impianti do të fillonte punë plotësisht në fund të atij muaji, sipas videos së publikuar në faqen e Ramës në FB.

“Në fund të muajit prill është parashikuar të vihet në funksion i gjithë impianti në procesin e vet,” thotë personi që shoqëron Ramën në vizitë, duke pretenduar se gjithçka ishte në fazë kolaudimi.

Krahasimi i pamjeve të publikuara nga kryeministri me ato që BIRN pa të martën në brendësi të godinës, lë të kuptohet se asgjë nuk ka lëvizur që prej prillit. Vendi ku duhet të kalonin mbetjet për të shkuar më pas në djegie është i pastër dhe e vetmja që lëviz është një shkallë elektrike që mbahet në punë nga gjeneratori që mbush me zhurmë sallën e zbrazur.

Deputetët u shoqëruan në kantier nga mediat, por nuk kishin me vete asnjë ekspert për t’u shpjeguar se ku çalonte puna. Deputetët bënë disa varavingo brenda godinës dhe debatuan me zë të lartë nëse impianti ishte apo jo i përfunduar.

Punonjësit e pranishëm refuzuan t’u përgjigjeshin pyetjeve të deputetëve të PD-së për fatura dhe për situacione. Ndërsa deputetët socialistë kërkuan që të mos bëheshin pyetje fare.

Deputetët socialistë të komisionit hetimor parlamentar gjatë vizitës në inceneratorin e Fierit. Foto: Nensi Bogdani.

“Jemi këtu vetëm për të parë inceneratorin,” tha zv.kryetarja e komisionit hetimor parlamentar, Ermonela Felaj. Deputeti tjetër i PS, Eduard Shalsi tha se vizita ishte për të provuar se “impianti nuk ishte fantazëm”.

Ngjashëm si në përrallën  “Mbreti lakuriq”, të dy palët panë atë që deshën.

“Ndërsa live gënjehej për 180 ton mbetje që “përpunoheshin”, shqiptarët shihnin godina të bojatisura, por pa asnjë funksion,” shkroi në një status kryetarja e komisionit parlamentar, Jorida Tabaku.

Ajo e shoqëroi postimin me foto të dyshemeve të zbrazura dhe mekanizmave pa jetë.

Felaj këmbëngul në anën tjetër se ishin para një “fshati që dukej e nuk do kallauz”.

“Këtu është një objekt që ekziston, ndërkohë që është thënë që nuk ekziston. Është një objekt që vazhdon të realizohet sipas kushteve të kontratës, sepse nuk ka përfunduar,” tha Felaj.

Dine që u prezantua si drejtues teknik u tha deputetëve që në impiant vinin aktualisht 170-180 tonë mbetje urbane nga bashkitë e Lushnjes, Fierit dhe Patosit. “Pritet që në ditët në vijim të vijnë edhe nga Mallakstra,” tha ai. Mbetjet depozitoheshin të gjitha në një landfill pranë inceneratorit.

Ndërtimi i inceneratorit të Fierit është realizuar me anë të një kontrate partneriteti publik privat në favor të kompanisë “Integrated Technology Waste Treatment Fier” dhe u ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë 28 milionë euro. Aksioneri mazhoritar i koncesionit, Klodian Zoto është aktualisht në kërkim ndërkombëtar, pasi akuzohet nga SPAK për ‘korrupsion aktiv” dhe “pastrim parash” në projektin tjetër të inceneratorit të Elbasanit.

“Depozita e mbetjeve është bosh,” tha deputetja e PD-së, Dhurata Çupi. “Kontrata është lidhur në vitin 2016 dhe duhej të përfundonte në 2019. Tani jemi në vitin 2022 dhe objekti nuk funksionon,” shtoi ajo.

Mbetjet e Fierit depozitohen në një landfill pranë godinës së inceneratorit. Foto: Nensi Bogdani.

I pyetur nga BIRN se cilat janë shkaqet që ky impant nuk është vënë ende në punë, Dine tha se ka pasur shkaqe të ndryshme objektive dhe të gjitha shtyrjet e punimeve janë bërë duke marrë miratimin e autoritetit kontraktor.

Dine u tregoi deputetëve dhe një magazinë të madhe, ku një shkallë metalike lëvizëse punonte në boshllëk. Në të nuk kishte asnjë gjurmë mbetjesh, ndërsa Dine e prezantoi si vendin ku niste procesi i përpunimit dhe ku do të bëhej ndarja manuale e mbetjeve.

Të martën para se të niseshin për në Fier, në atë që u duk më shumë si një vizitë turistike, deputetët e komisionit hetimor të opozitës dhe shumicës, prezantuan raportet e tyre mbi ligjshmërinë e procedurave në dhënien e kontratës dhe zbatimin e saj.

Sipas konstatimeve të PD-së, të prezantuara nga deputeti Lefter Gështenja, kontrata koncensionare është dhënë në mënyrë abuzive, ndryshimi i truallit të ndërtimit po ashtu ishte bërë në mënyrë korruptive dhe në mënyrë të paarsyeshme në një tokë private, si dhe nuk ishte zbatuar kontata nga ana e koncensionarit për fillimin e punës.

Kryetarja e komisionit, Jorida Tabaku tha se nga shkresat e konsultuara opozita beson se është konsumuar dhe një skemë korrupsioni me pagesa fiktive të TVSH për 15 kompani të ndryshme, ndërkohë që inceneratori nuk ka qenë funksional.

Në raportin e Partisë Socialiste të prezantuar nga Ermonela Felaj vihej në dukje domodoshmëria e një investimi të tillë në raport me emergjencën mjedisore të zonës. Ajo tha se vonesa e punimeve ishte shkaktuar nga protestat e banorëve të zonës, të cilët ishin nxitur nga Partia Demokratike dhe LSI.

Deputetët kanë vendosur që të vizitojnë nga afër dhe inceneratorin e Elbasanit dhe atë të Tiranës para se të nisin seancat dëgjimore me dëshmitarët.

Blerina Gjoka/ BIRN



6 Comments

  1. Quhet incenerator dhe jo groposes.

    Tipike e Rames, kur ka mbajt bashkine e Tiranes me fasada per 11 vjet e nuk po mban qeverine per 12 vjet me ertv dhe lyerje godinash.

    Puna nuk ka caluar ne asnje vend, po e ploteson me perpikmeri qellimin per te djegur si plehra parate e taksapaguesve Shqiptare!

  2. Rama premtoi ne parlament se NQS djegesi do kushtoje me shume se ……..,

    do jape doreheqje.

    Nuk e ka dhene doreheqjen akoma, se NUK pjerdh.

    RILINDASI mendon per hajduterine/koncesionin e rradhes.

  3. Ilir Meta nuk është aq i mençur sa duhet ta bënin marrëzitë e tij, dhe nuk është aq trim, sa të jetë shëmbylltyra e një skraparlliu të vendosur. Pak vetë, vetëm budallenjtë e mëdhenj mund të besojnë se pas veprimeve të Kryemadhit, ta zëmë për djegien e mandateve, nuk ka qëndruar edhe presidenti në detyrë, e po ashtu, vetëm budallenjtë nuk mund ta dinë se pas presionit të Metës për të kollofitur me bllok, nuk është edhe grykësia e Monika Kryemadhit.

    Vetëm marrokët e pashoq mund të besojnë se Berisha nuk e dinte se çfarë po ndodhte në Gërdec, e, po të njëjtët e kanë të pamundur të besojnë se kryefamiljarja e Berishajve kishte aq guxim të llokoçiste broçkulla në mbrojtje të Gërdecit, sa të mos e dinte as kunatin e saj se ku ishte në fabrikën e vdekjes.

  4. Lum ata që ikën që në vitin 90. Sot janë të plotësuar me gjithçka dhe neve merremi akoma me hajdutë. Vodhe ti më shumë e vodha unë më pak. Në përfundim morali zero. Turp turp

  5. Kur erdhi saliu sefte në pushtet i hoqi të gjith fimat se ishin komunist. Ngeli filmi nëntori i dytë. Po ta shikosh atë film ka një pjesë që i ngec karroca Robert Ndrenikës dhe aty brënda në karroc i thotë Ismaili…..Luigj o bir….fatet e vëndeve të vogla i vendosin fuqitë e mëdha…….atëhere……po tani……

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *