• |
ide | kryesore

Video/ Ndeshje pa histori, Kastrioti shthuret para Kukësit: poker për vendin e dytë të Longos

-Instant, F1, Sport, Video



Kukësi merr fitoren e dytë radhazi, duke likuiduar pas Egnatias edhe Kastriotin, për tu bashkuar me Laçin (që duhet ende të luajë) në vendin e dytë të renditjes. Skuadra e Longos nuk pati asnjë problem për të kaluar krutanët, madje duke i dhënë një 4-0 në stadiumin “Arena Egnatia” të Rrogozhinës, që ishte një sukses i fortë në krahasim me atë që mendohej se mund të bënte Kastrioti.

Ndeshjet e fundit nën drejtimin e Çelës kishin dhënë idenë se krutanët, edhe pse të fundit, mund ti krijonin vështirësi skuadrës veri lindore. Por pavarësisht golit të parë të shënuar vetëm në fund të pjesës së parë, Kukësi e dominoi ndeshjen, duke kërkuar në cdo moment avantazhin. Pritja në tentativë të ndonjë kundërsulmi, si kishte zgjedhur Kastrioti, nuk vlejti shumë dhe në minutën e 39′ Filip Gligorov, i favorizuar edhe nga devijimi i Abaz Karakaçit, zhbllokoi ndeshjen duke e bërë më të thjeshtë rrugën drejt fitores. Goli i dytë u shënua me penallti, të fituar nga Feizhao pas shtyrjes brenda zonës nga Lukman Husein, të cilën Gjelbim Taipi nuk e gaboi nga pika e bardhë.

Kastriotit nuk i bëri punë as pushimi për të qartësuar idetë, ndërsa Kukësi fundosi goditjen në minutën e 54, kur Basa shënoi golin e tretë, pas një kombinimi me Gjelbrim Taipin. Llogaritë të besuarit e Longos i mbyllën me Kreshnik Bahtirin, që shënoi golin e katërt në minutën e 90+2’. Me këtë sukses Kukësi arrin Lacin në vendin e dytë me 37 pikë, ndërsa Kastrioti në vendin e fundit në kuotën e 15 pikëve.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *