• |
ide | kryesore

Një pjesë e titullit luhet në kryeqytet: Laçi ‘frikëson’ Tiranën para sfidës direkte

-Instant, Sport



19 ndeshje, 13 fitore, 5 barazime e vetëm 1 humbje. Kjo është ajo që ka prodhuar impakti i Mirel Josës në Laç, që në momentin që mori pankinën bardhezi. Statistika impresionuese me një përllogaritje të shpejtë në kampionat, aty ku kurbinasit kanë hyrë në javën më të rëndësishme, atë që me shumë mundësi do të ketë një peshë specifike në garën për titullin. Në 15 ndeshje tekniku e ka drejtuar formacionin e tij drejt 12 fitoreve, 2 barazimeve e humbjen e vetme që mbetet ajo në Loro Borici me Vllazninë. Rikuperimi i tyre ka qenë spektakolar, nga vendi i 9 në të dytin e -3 nga Tirana kryesuese, që në këtë rast duhet të ndihet vërtetë e shqetësuar për një kundërshtar që vjen me sinjalin e parakalimit ndezur.

Pikërisht kështu sepse një fitore në kryeqytet do t’i jepte Josës edhe avantazhin e ndeshjeve direkte, ku të dy janë imponuar në fushat e tyre, duke rrëmbyer vendin e parë edhe me pikë të barabarta. Laçi vjen nga 5 fitore radhazi në kampionat, por është e qartë se gjithcka është bërë deri tani vlen vetëm për këtë përballje, që ngjan shumë me “ditën e gjykimit”. Distancimi i ri i Tiranës dhe avantazhi i bardhebluve në ndeshjet direkte do të ishte një goditje e fortë morale për të besuarit e Josës, që ka vetëm dy shqetësime, të zbutura nga performance e zëvendësuesve, në ndeshjen me Kukësin.

Guindo është në pikëpyetje, për momentin, por ndjesia dhe sipas asaj që filtron nga klubi është se sulmuesi do jetë në fushë kundër Tiranës. Megjithatë, Josës nuk i mungojnë alternativat dhe nuk do ta rrezikojë nëse nuk është 100% gati, sepse Adeleke është në një moment fantastik. E njëjta gjë vlen edhe për Zarubicën, që do jetë së shpejti gati, por vështirë të rikuperojë për sfidën titull. Edhe nëse anësori nuk ia del, Ujka e Zylfiu janë gati të japin kontributin e tyre në ndeshjen më vendimtare të sezonit.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *