• |
ide | kryesore

Juventus, dështimi i radhës e revolucion i ri: “Prisni para se të na bëni funeralin”

-Instant, Sport



Historia përsëritet. Përfundoi në mënyrën më të keqe për Juventus ndeshja e kthimit e 1/8 të Champions League: pas Ajax, Lyon dhe Portos, tani gjëmën e bën Villarreal. Bardhezinjtë përshëndesin turneun në 1/8 për të tretin vit radhazi dhe pyetjet që lindin tani vlejnë jo vetëm për të tashmen, por edhe për të ardhmen. Këtë e di mirë Massimiliano Allegri, i cili pas disfatës europiane të pasuar me fishkëllimat e shumta në stadium, e ka zhvendosur vëmendjen tek angazhimet e radhës: “Duhet ta kalojmë menjëherë, të dielën është kampionati dhe duhet të fitojmë sepse ndryshe tre muajt e punës së bërë do të shkatërrohen – tha ai duke menduar për ndeshjen në Salerno, e duke shtuar në fund edhe cinizëm – E prisni para se të na bëni funeralin”.

“Ne po luftojmë për vendin e katërt dhe po luajmë për një finale të Kupës së Italisë”, vazhdoi trajneri i Juventusit, i cili nuk e përmendi kurrë fjalën “titull”, por e di mirë që një rikthim për kampionatin do t’i ndryshonte padyshim fytyrën këtij sezoni të trazuar. E tani, Allegri ka vënë në shënjestër përplasjen direkte ndaj Interit në Stadium, pas pauzës së kampionatit.

Fundi i sezonit do të jetë vendimtar, sepse pas një tjetër dështimi evropian, një revolucion i ri është tashmë në portat e Juventusit dhe dje, për shumë nga lojtarët, mund të ishte hera e fundit në Ligën e Kampionëve me bardhezinjtë. Para së gjithash për Paulo Dybalan, hyrja e vonë e të cilit kundër spanjollëve është kritikuar shumë (“Por ai kishte bërë vetëm dy seanca stërvitore”) dhe është pezull në një rinovim që ende nuk po vjen (si De Sciglio dhe Bernardeschi).

Në fije të perit është edhe e ardhmja e Moratas, i cili nëse duhej të luante të ardhmen me Villarrealin gaboi gjithcka, dhe e Kean, rikthimi i të cilit nuk bindi, ashtu si dhe ajo e Rabiot dhe Arthur, një blerje milionere që nuk bëri asnjëherë shkëndija. Në Torino të gjithë janë në diskutim, përveç Allegrit… e finalja e sezonit do të jetë decizive. “Prisni para se të na bëni funeralin”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *