• |
ide | kryesore

“Mos u afroni”: Van Gaal në pankinë edhe pse i infektuar, plasi polemikat. Me Covid edhe Ancelotti

-Instant, Sport



“Mos u afroni, jam pozitiv për Covid”. Të martën në mbrëmje Louis Van Gaal mbajti larg gazetarët në konferencën për shtyp pas barazimit të Hollandës në miqësoren kundër Gjermanisë. Tekniku oranje, në fakt, të hënën, pak më shumë se 24 orë nga ndeshja me gjermanët, doli pozitiv në një test molekular. E megjithatë ai u shfaq në stadium, mori pjesë në ndeshje, përqafoi lojtarët dhe kundërshtarët e tij, të gjithë pa maskë apo masa të tjera paraprake. E në Gjermani, kuptohet, sjellja e tij ka krijuar debate. Edhe sepse vetë Van Gaal deklaroi se të premten nuk do të jetë i pranishëm në shortin e Botërorit pikërisht për shkak të testit në të cilin doli pozitiv.

JUSTIFIKIMI — Van Gaal, megjithatë, shpjegoi pozicionin e tij. “Doktori më tha se janë vetëm mbetje të virusit, të cilat gjenden më gjatë në testet molekulare. Para ndeshjes unë iu nënshtrova disa testeve të shpejta dhe të gjitha rezultuan negative”. Kjo është arsyeja pse ai u ndje i lirë të lëvizte dhe të qarkullonte siç e shihte të arsyeshme. Pa marrë masa paraprake për njerëzit e tjerë në stadium dhe në fushë.

ANCELOTTI — Këtë mëngjes, ndërkohë, Real Madrid komunikoi pozitivitetin e Carlo Ancelottit. Trajneri italian, kështu, nuk do të jetë prezent në pankinë të shtunën e ardhshme në Vigo, ku Reali do të përballet me Celtan, si dhe rrezikon të humbasë ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve kundër kampionëve të Europës, Chelsea (të mërkurën 6 prill në Londër). Gjithnjë nëse nuk kthehet negativ në fillim të javës së ardhshme. Sepse vështirë se do t’i bëjë si Van Gaal duke u paraqitur në stadium dhe duke i këshilluar të pranishmit që të mos i afrohen…



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *