• |
ide | kryesore

Infantino e Ceferin marrin frymë, Platini del jashtë lojërave: “Nuk do të rikandidoj për FIFA-n apo UEFA-n”

-Instant, Sport



I shpallur i pafajshëm në gjyqin që e pa të akuzuar në Zvicër së bashku me Sepp Blatter, Michel Platini njoftoi se nuk do të kthehet më për të kandiduar për një pozicion në FIFA, në UEFA, si dhe për kreun e Federatës Franceze të Futbollit (FFF) apo edhe Ministrinë e Sportit. “Këto janë vendime që i kam marrë shumë kohë më parë, por kam dashur t’i them me kokën lart”, tha ish-numri 10 i Juventusit dhe Francës gjatë një interviste për transmetuesin francez Lci.

Do të jetë sigurisht një frymëmarrje lehtësuese për krerët e qeverive të futbollit europian e botëror, duke qenë se gjithnjë e kanë ndjerë kërcënimin e një rikthimi të francezit. Jo shumë ditë më parë, avokati gjermanishtfolës i ish-presidentit francez të UEFA-s, Dominic Nellen, gjatë fjalës së tij para tre gjyqtarëve të Gjykatës së Bellinzonës, për gjyqin ndaj francezit dhe Sepp Blatter në lidhje me pagesën e pretenduar të paligjshme të atëherë presidentit të FIFA-s për ish-Topin e Artë u shpreh se, “FIFA dhe presidenti i saj Gianni Infantino kanë bërë gjithçka për të siguruar që prokurori federal të shkarkojë përfundimisht Michel Platinin, për ta penguar të jetë në gjendje ta sfidojë atë për vendin e numrit 1 në futbollin botëror”.

Gjykata penale federale e Bellinzonës shpalli më pas të pafajshëm ish-presidentin e FIFA-s, Joseph Blatter dhe ish-presidentin e UEFA-s, Michel Platini, duke i liruar nga akuza e mashtrimit, e duke vendosur për të dy njohjen e dëmshpërblimit. Prokurori i Konfederatës Helvetike kishte kërkuar, për të dy, një dënim prej një viti e tetë muajsh me kusht, në lidhje me mashtrimin e pretenduar ndaj FIFA-s për një pagesë prej dy milionë frangash që i ishte dhënë Platinisë në vitin 2011 dhe që ishte konsideruar i pajustifikuar. Sipas akuzës, dëmshpërblimi i paguar ish-playmakerit të Juventusit dhe kombëtares franceze ishte i paligjshëm dhe synonte ta bindte atë të mos kandidonte për president të FIFA-s, në vend të vetë Blatterit. Për mbrojtjen, megjithatë, ishte një pagesë krejtësisht e rregullt, e lidhur me një kontratë të përcaktuar gojarisht.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *