• |
ide | kryesore

Ironia e zakonshme e Spartak Moskë në rrjetet sociale: njofton blerjen e Keita duke tallur Barcelonën

-Instant, Sport



Stafi që kujdeset për rrjetet sociale të klubit rus Spartak Moskë është padyshim një nga më ironizuesit në të gjithë skenën e futbollit. Postimet e klubit rus janë gjithmonë sarkastike dhe thumbuese dhe nuk humbasin asnjë rast për të tallur skuadrat e tjera evropiane. Ata e bënë këtë një muaj më parë duke “ngacmuar” Bayern Mynih për ofertat e tyre fillimisht të pamundura për Sadio Manè dhe e bënë sërisht duke shënjestruar papritur Barcelonën në një postim që njoftonte nënshkrimin me ish-sulmuesin e Lazios, Interit dhe Cagliarit Keita Balde.

Spartak i Moskës ka lajmëruar blerjen e Keita Balde, i cili pas eksperiencave me Lazion, Monaco, Inter, Sampdoria dhe Cagliari ka vendosur të pranojë ofertën e klubit rus. Senegalezi i lindur në vitin 1995 ka nënshkruar një kontratë trevjeçare dhe do të mbajë fanellën me numrin 9. Spartak prezantoi sulmuesin e ri në rrjetet sociale dhe përfitoi nga rasti për të tallur Barcelonën. Por çfarë lidhje kanë blaugranat me rusët? Asgjë, por stafit që menaxhon mediat sociale të moskovitëve i pëlqen të publikojë postime ironike dhe të hedhë ngacmime të rastësishme…

Të gjithë e dinë se Barcelona kishte shumë probleme në regjistrimin e nënshkrimeve të reja këtë verë. Mjafton të thuhet se Koundè, i blerë nga Sevilla gati një muaj më parë, u përfshi në listën e klubit vetëm të shtunën. E Spartak Moska, duke njoftuar nënshkrimin e Keita, donte të luante pikërisht me këtë. Duke postuar një foto të senegalezit me fanellën e tij të re, klubi shkruan: “Regjistruam një blerje të re pa asnjë problem… Xhelozë, Barcelona?”. Një pickim i këndshëm në stilin tashmë tipik moskovit.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *