• |
ide | kryesore

Anglia e eliminuar por fantastike, arbitri “fajtor” dhe dilema Southgate: “Do të qendroj? Do flasim…”

-Instant, Sport
Southgate



Ëndrra për një fitore të madhe për Anglinë mbetet e tillë. Në verën e vitit 2021 ishte Italia që ia mbyti në fyt klithmën e gëzimit brenda mureve miqësore të Wembley. Këtë herë kombëtarja e Southgate u ndal para kampionëve në fuqi, Francës. Jashtë në çerekfinale, falë një penalltie të humbur nga Kane. Një humbje që dhemb, shumë fort, por që nuk shkakton kritika. Përkundrazi…

“Jam absolutisht i shkatërruar – shkroi Wayne Rooney në Twitter – por krenar për mënyrën se si djemtë luajtën këtë turne. Ata duhet të jenë krenarë gjithashtu. Urime @HKane për barazimin e rekordit tim. Do të jetë i vetëm së shpejti dhe nuk mund të mendoja që dikush më i mirë se ai të më kalonte. Mbaje kokën lart, Harry.” Gary Lineker, gjithashtu në Twitter, i bëri jehonë: “Të thyhet zemra edhe një herë, por nuk kam turp të humbas kundër një France të shkëlqyer. Urime atyre. Kjo skuadër e re e bukur e Anglisë dha gjithçka dhe vetëm do të përmirësohet. Do të vijë koha e saj”.

Pasoi edhe komenti i Federatës Angleze të Futbollit në rrjetet sociale dhe mendimi iu drejtua tifozëve të zhgënjyer: “Zemra e thyer. Donim kaq shumë që ky moment të ishte momenti ynë, por nuk ishte e thënë. Faleminderit që jeni pranë nesh në çdo hap. Mbështetja juaj në shtëpi dhe në Katar ka qenë e pabesueshme”. Ajo që dhemb edhe më shumë është fakti se Lloris, portieri i Tottenhamit, ishte më i miri i Francës me gjashtë pritje, pothuajse të gjitha vendimtare. Dhe të mendosh se ai duhet të ishte hallka e dobët në zinxhirin e Deschamps…

ARBITRIMI

Më pak dashamirës komentet për arbitrimin e brazilianit Wilton Sampaio. Arbitri sipas tifozëve anglezë nuk pa një faull penalltie nga Upamecano ndaj Kane. Si dhe injoroi një ndërhyrjeje të dyshimtë ndaj Saka në fillimin e aksionit të 1-0. Gary Neville dhe Roy Keane në veçanti nënvizuan se ai i Upamecano ndaj Saka ishte një faull. E se për këtë arsye goli 1-0 i Tchouameni duhej të anulohej.

Lexo më tej: Video/ “It’s not comming home”, Franca gjysmëfinalistja e fundit: Kane humbet penallti, Anglia e eliminuar

E ARDHMJA E SOUTHGATE

Përtej shfajësimit për ekipin dhe dënimit për gjyqtarin Sampaio, pikëpyetja mbetet për të ardhmen e Southgate. Trajneri u ftua të vazhdonte në rrjetet sociale me qindra mesazhe, por ai vetë nuk dha garanci për vazhdimin e projektit. “Pas çdo turneu, gjithmonë mblidhemi për të reflektuar për vazhdimin e marrëdhënies. Tani na duhet pak kohë për t’u siguruar që të gjithë të marrin vendimet e duhura”, dribloi Southgate.

Tekniku nga ana tjetër nuk kishte dyshime për performancën e skuadrës: “I përmbushi pritshmëritë, por ndeshjet vendosen me gola. Thjesht u thashë lojtarëve të mi se nuk mund të jepnin më shumë. Ishte një sfidë shumë e ekuilibruar dhe e vendosur nga episode të vogla. Jam krenar për përparimin tonë në këtë turne. Fiton dhe humb si skuadër, pësuam dy gola dhe humbëm disa raste të shkëlqyera. Penalltia e humbur nga Kane? Ai është një lojtar i jashtëzakonshëm dhe shumë i besueshëm. Pa golat e tij nuk do të kishim arritur kurrë këtu. Në momentet e rëndësishme, ne ishim pothuajse gjithmonë në vendin e duhur. Erdhëm këtu në Katar për të provuar të fitonim turneun dhe besuam se mund ta bënim. Ne kemi një grup që mund të kishte fituar Kupën e Botës. Arbitri? Lerë fare… Urime Francës”.



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *