• |
ide | kryesore

Danilo, nga kapiten i Juventus te psikologjia: “Do të regjistrohem në universitet”

-Instant, Sport
Danilo



Danilo për momentin po mban me krenari shiritin e kapitenit të Juventus, por braziliani ka treguar edhe se cila do të jetë e ardhmja e tij pas futbollit. Mbrojtësi në fakt ka vendosur të regjistrohet në universitet për të ndjekur pasionin e tij për psikologjinë. Danilo tani është një pikë referimi te Juve. Allegri e të tjerët mbështeten te ai, aq sa i kanë besuar shiritin e kapitenit, ndërkohë që Bonucci mungon për shkak të dëmtimit. Shkathtësia e tij në fushë e bën atë thelbësor për ekipin. Veçanërisht në këtë moment të vështirë për sa i përket menaxhimit të skuadrës, duke pasur parasysh dëmimet.

Braziliani, në fakt, ka luajtur si qendërmbrojtës, në krah e në mesfushë këtë sezon. Ai ka regjistruar 29 ndeshje me 2 gola dhe po aq asiste. Gjatë një interviste për Tuttosport, Danilo foli për marrëdhënien e tij me teknikun Allegri: “Ai nuk dorëzohet kurrë. Edhe në ditët më të këqija gjen një mënyrë për të na motivuar. Edhe në momentin e stuhisë na dha qetësi.”

Një marrëdhënie e bukur mes brazilianit e Max Allegri, ashtu siç është edhe ajo me qytetin e Torinos: “Në Torino ka gjithmonë diell, si sot. E njerëzit janë gjithmonë të mirë me mua. Më trajtojnë shumë mirë”.

PASIONI PËR PSIKOLOGJINË

Mbrojtësi më pas zbuloi se cili është pasioni i tij përveç futbollit: psikologjia. Madje, në intervistë për herë të parë ka folur se si lindi pasioni i tij për të: “Në Madrid kam përjetuar momente të vështira. Unë shënova dy autogola në harkun e tre javëve dhe nuk ishte mirë. Në atë klub gjithcka amplifikohet. Doja të largohesha, por më pas takova një trajner mental. Shkova herën e parë pa besuar shumë. Por që në seancën e parë kuptova se ishte e dobishme. E kështu lindi pasioni im për mënyrën se si arsyeton mendja”.

Së fundi ai foli për të ardhmen e tij pas karrierës si futbollist: “Nëse më duhet të qëndroj në futboll do të jem trajner. Më pëlqen ideja për të organizuar lojtarët në fushë. Dhe pastaj do të regjistrohem në universitetin e psikologjisë. Nuk e di nëse do të bëhem psikolog, por do të studioj për t’u bërë. Më pëlqejnë njerëzit, historitë, aftësia për t’u ngjitur nga fundi, qëndrueshmëria.” Kështu, një e ardhme si trajner mental. Ndoshta për të ndihmuar lojtarët ashtu siç e ndihmoi atë vetë një profesionist i atij sektori. Ose si trajner, për të vënë në praktikë mësimet e trajnerëve të mëdhenj që kishte mes Real Madrid, Manchester City dhe Juventus.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *