• |
ide | kryesore

Zbardhet dosja e përgjimeve/ Si u thur plani për vrαsjen e “Rrumit” të Shijakut

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit
Rrumit



Ish-prokurori Arjan Ndoji ra pre e një atentati më 1 nëntor 2019 në mbikalimin e Shkozetit në Durrës. Në këtë ngjarje mbetën të plagosur edhe miku i tij Aleksandër Laho i njohur si ‘Rrumi’ si dhe humbi jetën në spital, shoferi i prokurorit Ndoji, Andi Maloku, viktima më e pafajshme e kësaj historie. Një dosje voluminoze e publikuar nga emisioni “Në Shënjestër” në News24, hedh dritë jo vetëm për mënyrën se si u krye atentati ndaj prokurorit Ndoji dhe mikut të tij ‘Rrumit’, por edhe se si plani për asgjësimin e tyre nisi disa muaj para se skenari të vihej në jetë. Sipas dosjes, plani për ekzekutimin e prokurorit Arian Ndoji dhe mikut të tij “Rrumit”, thuhet se nisi fillimisht me shkarkimin e aplikacionit “SKY”.

Organizatorët nisën të përdorin aplikacionin me qëllim që të mos përgjoheshin nga organet ligjzbatuese. Grupi kriminal i Plaurent Dervishaj, e cilësonte të padepërtueshëm aplikacionin në telefon, por nuk mendonin kështu hetuesit francezë dhe ekspertët e tyre të specializuar në ç’kodimin e aplikacioneve të tilla, sado të sofistikuara që ato mund të jenë.

Siç del edhe nga video që e publikon emisioni “Në Shënjestër”, një ndihmë të vyer në këtë rast ia kanë dhënë edhe vetë përdoruesit e saj, të cilët kanë lënë gjurmët e tyre të krimit në këtë aplikacion, gjatë bisedave që kanë zhvilluar.

“Referuar bisedave të realizuara nga përdoruesit e ‘SKY’ midis datave 13 gusht 2019 dhe 23 shtator 2019, ndërmjet shtetasve Julian Meçaj dhe Amar Shkëmbi, del në pah sigurimi i kushteve dhe masat paraprake që janë marrë nga autorët për realizimin e vrasjes së Arian Ndojit dhe Pëllumb Muharremit (Aleksandër Lahos). Pasi për këtë qëllim, këta persona kanë shkarkuar në telefonat e tyre aplikacionin “SKY”, me qëllim për të mos u përgjuar dhe identifikuar”, – thuhet në dosje.

Njeriu kyç që ishte i interesuar direkt për eliminimin e Rrumit, rezulton të jetë Plaurent Dervishaj. Ai është një personazh shumë i njohur, dikur pjesë e bandës së Durrësit, por që do të merrte pafajësinë pas një sage të gjatë gjyqësore. Në operacionin ndaj Arjan Ndojit dhe Rrumit, Dervishaj mban pseudonimet ‘Shoku’ apo ‘Plaku’.

Dervishaj, vetëm 6 muaj para atentatit ndaj prokurorit Ndoji dhe Rrumi, kishte rënë edhe vetë pre e një prite të armatosur, bashkë me dy miqtë e tij, Julian Meçaj dhe Bashkim Haxhiaj. Bëhet fjalë për atentatin e ndodhur më 20 qershor 2019, në fshatin Koxhas të Shijakut për të cilin ai dyshonte se ishte organizuar nga “Rrumi i Shijakut”, një rival i fortë i tij në luftën për territor dhe pushtet në qytetin e Durrësit. Ky duket të ketë qenë edhe motivi për të cilin Dervishaj nisi të thurë planin e tij të hakmarrjes.

“Në bazë të bisedave të kryera, grupi organizator i atentatit të datës 1 nëntor 2019, ndaj prokurorit Arjan Ndoji dhe Aleksandër Lahos, me shprehjen ‘Shoku’ i referohen Plaurent Dervishaj, me shprehjen ‘Fshatari’ personit nën hetim Bledar Polovina. Me shprehjen‘Bad’ Amar Shkëmbit (alias Dritan Shkëmbi). Ndërsa me ‘Doku’, bashkëbiseduesit i referohen të pandehurit Redian Rraja; me ‘XONI”, personit nën hetim Ramazan Rraja; me ‘Kili’, Genti Ndërjakut (alias Kili Ndërjaku dhe Ekil Ndërjaku); dhe me ‘Dicio’, i referohen personit nën hetim Endrit Sinanit. Ndërsa Marsel Deçkës i referohen me kodin ‘Kështjella’”, thuhet në dosjen hetimore.

Pas atentatit të dështuar ndaj Plaurent Dervishajt, ky i fundit nisi të hartonte planin për eliminimin e Arjan Ndojit dhe Rrumit. Atentati ndaj tyre u bë në 1 nëntor në mbikalimin e Shkozetit. Të parët që kanë nisur punët për të krijuar kushtet për të realizuar atentatin, duket se janë Julian Meçaj, Amar Shkëmbi dhe Endrit Sinani, i njohur me pseudonimin “Diqo”, një lidhje ky e afërt me Amar Shkëmbin.

Biseda e përgjuar konstatohet edhe takimet me Redjan Rrajën, i cili në këtë skenar ishte ngarkuar të kryente rolin e ekzekutorit. Rraja u arrestua fill pas atentatit të ndodhur në “Mbikalimin e Shkozetit”, pasi gjurmët e tij u gjetën në makinën e krimit, që autorët nuk mundën ta digjnin dot, por e braktisën pranë varrezave të Shkafanës, në Durrës. Në vendin ku u braktis automjeti u gjetën midis të tjerave edhe një palë syze, që mbanin pikërisht gjurmët e ADN-së së Rrajës, që në dosje rezulton me pseudonimin ‘Doku’.

Në përgjime evidentohen edhe takimet që pjesëtarë të grupit kanë kryer kohë pas kohe me Redjan Rrajën, siç janë edhe ato që ky i fundit realizonte në fshatin Nikël të Fushë-Krujës, me Amar Shkëmbin. Përgjimet hedhin dritë edhe në ndjekjen për katër ditë me radhë që grupi i përcaktuar, i kishte bërë makinës së prokurorit Ndoji, deri ditën e goditjes finale.

Por ajo që është pjesa më interesante e kësaj historie, është mënyra se si grupi kriminal funksionoi dhe veproi për të eliminuar dy objektivat e tij. Aq sa në transkriptet e bisedave, del se numri i personave të përfshirë në gjurmimin e shënjestrave të atentatit, të jetë i madh.

E tillë është edhe biseda e 11 shtatorit 2019 midis Julian Meçaj, i identifikuar në këtë komunikim si “Sakati” dhe Amar Shkëmbit, me kodin “Badi”. Meçaj dhe Shkëmbi, në këtë bisedë duket se sinkronizojnë veprimet me qëllim përgjimin në ambient të hapur të makinës së Rrumit, i cili siç rezulton nga bisedat e tyre duket se i ndryshon shpesh makinat.

PËRGJIMI

“O vlla e lëm kështu, te lokali si ka thënë ‘Shoku’ dhe nesër. Ne na duhet për mendimin tim te tarraca dikush që të pijë kafe dhe te muzeu një tjetër dhe sa të lëshohet ai te këto rrugë dal unë te ura e shoh nga iku për TR apo për lokal. Dhe s’ka ça rri gjithë ditën nga ora 2 deri në 4.

Po te muzeu dhe te tarraca nuk besoj se ka ndonjë problem. I the ‘Kilit’ të shohi për atë makinën që më the mua se mos është me atë te lokali. Ne jemi këtu, ti e din, s’kam ik andej.

Dihet ai, o në autostradë o në lokal do shkojë. Ai e din vendin fiks ku do presi. Po vlla po mos t’i ndahena nesër.”, tha Meçaj.

Siç del nga bisedat e përgjuara ortakët në planin për të vrarë Ndojin dhe ‘Rrumit’, duket se janë takuar të nesërmen. Madje në një moment ata shprehin padurimin e tyre në lidhje me faktin që objektivi kishte ditë pa u dukur në lokalin që frekuentonte zakonisht.

PËRGJIMI

“A ka dalë ‘Alt’ aty se ne jemi te vendi jonë.

Ok vlla, po pse nuk ia le telefonin ‘Alt’ të na shkruante se ka ardh ai. Dhe ti thoshim edhe ‘Dokut’ që ka ardhur dhe të jetë gati.

Ishalla sot po shkon te lokali se ka kaq ditë pa qenë.

O për mua kam durim vlla, po kam hallin e atyre që janë me hekura në kurriz se dje kanë nejt në rrugë të shkretët. Po pastaj ‘Alt’ dhe ‘Diqo’ mos t’i ndahen sa ta pasojnë.

E mir aty të rrijë ishalla vjen vlla.

Po vlla ajo na duhet dhe ne. Ishalla ajo është super. Ishalla aman. Dhe unë këtu me ‘Fshatarin’ jam dhe me ‘Diqon’.

Fratelo, hë ka ardhur gjë se më pyeti dhe ‘Doku’.

Dhe ‘Kili’ vlla thuaja amanet lokalin sot se mos na vjen atje se ka dit pa ardhur.

Ok ti më thuaj vlla, pastaj çojmë ‘Diqon’ atje”.

Me “hekura në kurriz” grupi nënkupton pajisje të sofistikuara survejimi, të afta të shikojnë në distanca të largëta. Ndërkohë që pas ditëve të tëra pa e parë objektivin e tyre, ish-prokurorin Ndoji, mbërriti lajmi që makina e tij është parë të lëvizë në vendin ku ata po e prisnin prej ditësh. Në bisedë del edhe roli i ‘Fshatarit’, në këtë rast i Bledar Polovinës, në ndjekjen e objektivit të atentatit.

PËRGJIMI

“Hë vlla e kanë pa? Po vjen këtej.

Inshallah vlla. U nis dhe unë këtu jam, s’më ikën. Ja sa të vij dhe ‘Doku’. Po ngaqë s’po i punon ky telefoni atij. Ka ndalu te ura, u fut mrena te ‘Shala’.

Se di a ka rrugë andej. S’ka dalë, a ka rrugë mbas Shalës, mos na iki anej? Tani doli, u kthye ne Sukth. Erdha prapë në Maminas.

Se ai iku me marr kerrin. Jemi te dogana në Tiranë tani. Tre herë ndaluam rrugës ne, tre herë na ka pa sot.

Aty më humbi se bëri rrethin dy herë dhe ‘Fshatari’ tha s’i shkojmë dot mbrapa se po na shef”.

Siç rezulton edhe nga dosja, në një moment durimi ka humbur brenda grupit. Kjo lihet të kuptohet edhe nga biseda që Amar Shkëmbi ka me një prej pjesëtarëve të angazhuar në veprim, ku ky i fundit i tregon se si Plarent Dervishaj i ka ngritur zërin për dështimin e planit. Kjo lë të kuptohet se ekzekutimi i ‘Rrumit’, po kërkohej me ngulm sa më shpejt të ishte e mundur nga porositësi i tij. Në një moment ‘shoku’ kritikon Amar Shkëmbin për dështimin e atentatit.

PËRGJIMI

“Leje vlla 2 orë në lokal ai, 1 orë te Shala, 1 orë në Sukth. ‘Doku’ s’u bë gati.

Për Zotin më ka ik menja, kishte maru sot ajo vlla. T’i themi dhe ‘fshatarit’ vlla. Unë i shkreti pinc për Zotin, po nejse ju e dini. Po nuk vjen ‘Ramazani’, ti në timon tha, unë i gjuaj.

Ok po vi andej i thashë.

Po ça është kjo mo vlla, unë pinc ai më bërtet mua. Pa bukë 4 ditë pinc, aty pronto për çdo gjë, ai më bërtet mua për Zotin. Të dal nesër anej me ‘Fshatarin’, takohu dhe me të. Po ça s’më ka thënë, sikur unë du me i prish punë atij, më rridhnin lotët nga inati.

Ça të bëj për nesër? Ja çova me foto bisedën me ‘Dokun’. Unë s’bëj gjë pa më thënë dikush nga ju”.

Një moment tensioni duket edhe ai midis Julian Meçaj, në këtë rast ‘Sakatit’ dhe shefit të tij, Plaurent Dervishaj, të thirrur ‘Shoku’. Dervishaj e ka përzënë nga tavolina, Meçajn, pas një gabimi që grupi ka bërë në ndjekjen e ‘Rrumit’. Këtë bisedë Juliani ia ka treguar Amar Shkëmbit.

PËRGJIMI

“Më përzuri edhe mua. Më tha ik jashtë dhe mos ec mo më tha. O vlla po ça faji kam unë sot, kur më the ti dhe ‘Doku’, shifi shtëpinë. Ai s’më ka parë mua me fytyrë vëlla, thjesht ai u fut me një kthesë në rotondo.

Unë i thashë ‘Fshatarit’, ec drejt mos e ndiq. Kaq ishte pse me ngeli mua tani me më përzënë ‘Shoku’. Ça je ti tha që të thonë ata ça duhet të bësh” tha Meçaj. /Marrë nga BalkanWeb



1 Comment

  1. Si ka mundesi qe asnje person media, opinionist , anale-ist … nuk sqaron rolin e atij prokurori hale Ndoji, ne ate mesele cfare donte ai ne ate grup kriminelesh çfare roli kishte , mazallahe asnje bir ose bije kara kurve nuk prononcohet, …dhe kjo eshte ana me e erret e kesaj shoqerie te felliqur albanistaneze

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *