• |
ide | kryesore

“Gruda ka veti që rrallë lojtarë i kanë”: Martini ekzalton talentin e tij, Hallaçi qan gabimin e bërë

-Instant, Sport
Martini



“Më gëzon shumë fitorja. Kishim shumë mungesa a të dëmtuar, gjendje gripale. Edhe ata në fushë kishin ngërçe herë pas herë, se ka pasur ngarkesë dhe të njëjtët lojtarë kanë luajtur kohët e fundit. Por edhe atë që u futën e justifikuan mjaft mirë dhe i komplimentoj djemtë për fitoren”. Edi Martini vazhdon të grumbullojë pikë vendimtare për mbijetesën. Teuta e tij, pas fitores 1-0 me Kukësin, ka dalë vetëm një herë pa pikë në nëntë takimet e fundit.

Shpëtimi duket më pranë, edhe pse rreziku, sipas teknikut shkodran, ende nuk është larguar: “Këtu një apo dy humbje të ulin kur nuk e mendon. Por me dy fitore ngjitesh lart. Ne duhet të jemi të kujdesshëm, jo euforikë – tha Martini -. Pikët i kemi marrë me mund. Të mos mendojmë për shumë larg se ndonjëherë e pëson. Jam shumë kokëfortë që duhet të vazhdojmë me këtë ritëm, pastaj të shohim në fund”.

Në fund një compliment edhe për Grudën, që vendosi ndeshjen me golin e minutës së 25. Lojtari e kaloi topin me një parabolë mbi Tafas, duke shënuar golin e vetëm të ndeshjes: “Gruda mund të luajë nga krahët e në sulm. Unë i di vetitë e Grudës, janë të jashtëzakonshme, është djalë shumë i mirë, punon, duhet të punojë edhe më tepër, se me pak stërvitje duhet të ecë përpara se ka veti që rrallë futbollistë i kanë”, e mbylli Martini.

HALLAÇI: SOT KEMI BËRË NJË GABIM TË MADH

“Skuadra prodhoi futboll të mire. Më vjen keq për golin duhet të kishim shfrytëzuar rastet. U afruam nga krahët, mendoj që skuadra qëndroi në ekuilibër. Barbosa luajti mirë. Donte të shënonte gol sepse ka qenë i ngarkuar, mu bë qejfi që e mori ai për ta gjuajtur. Por është rënduar gjatë ndeshjes dhe është normale për një futbollist”. Rrahman Hallaçi i del në mbrojtje sulmuesit të tij, pas humbjes 1-0 me Teutën. Kukësi, për herë të dytë në tre ndeshjet e fundit, dëmtohet nga veprime individuale, si braziliani që humbi penalltinë e 1-1 të mundshëm.

“Kemi bërë një hap mbrapa – tha Hallaçi -. Duhet të ecnim përpara dhe vështirësia është edhe më e madhe. Nuk jemi dorëzuar, sot kemi bërë një gabim të madh, është e pafalshme që dolëm pa pikë. Shpresoj të rikthehemi tek fitorja, tani është një punë e madhe për mua dhe stafin. Duhet të dalim nga kjo situatë, duhet të ulim kokën dhe të punojmë. Nuk dua të flas për arbitrat. Unë u tensionova një moment nga ndeshja dhe kërkoj falje sepse unë nuk jam i tillë por këto i ka loja”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *