• |
ide | kryesore

Tirana, kryesuesit kanë pankinën më të shkurtër në Superiore: kundër Kastriotit nga 6 në stol, 4 ishin të rinj

-Instant, Sport
Tirana



Tirana tregoi forcë karakteri në Kamëz. Madje më shumë edhe se kualiteti që disponon skuadra kampione në fuqi. Një gol në minutën e 100 është nga ato që mund të ndryshojnë një sezon, por përtej entuziazmit legjitim që ka i gjithë ambjenti, Orges Shehi nuk është se mund të jetë edhe kaq i qetë. Kundër Kastriotit, në pankinën bardheblu tekniku kishte vetëm gjashtë alternative dhe një portier.

Një pankinë madje edhe më e ngushtë se ajo e Kastriotit, që mbyll renditjen e Superiores. Pa llogaritur se katër prej tyre nuk e kalojnë moshën 22 vjec. Kështu, zgjedhje solide Shehi kishte vetëm te Tosevski e Hila, në pritje të rikthimit të Lulajt dhe rikuperimit të Abazaj. Për fat, te Tirana Shehit po i përgjigjet cdo zgjedhje. Nikqi i fundit nga të promovuarit si titullar në një ndeshje kampionati shënoi golin vendimtar. Gjumsi sa herë preferohet nga tekniku përgjigjet prezent. Edhe Qefalija u rikthye pas dëmtimit të rëndë të pësuar në Rrogozhinë, por mundohet edhe ai të japë kontribut.

Lexo më tej: Video/ Penallti e humbur, grushta e dy të kuq: Nikqi i jep fitoren Tiranës në minutën e 100′ me Kastriotin

Vetëm se është disi e pazakontë që tekniku i skuadrës kampione në fuqi, apo edhe e asaj që kryeson kampionatin, të ketë frikë mos i dëmtohet ndonjë lojtar. Qoftë edhe nga të rinjtë. Sepse ka pozicione që as nuk mund ta kthejë kokën nga pankina. Sikletet që përjetoi Shehi kur nga skuadra u largua edhe Ismailgeci, i fundit pas Xhixhës, Kallakut e Limajt tani mund të kuptohen më mirë. Tirana po organizohet me çfarë mund. E deri kur të kthehet edhe Abazaj nuk është se gjërat do të jenë të thjeshta…



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *