• |
ide | kryesore

Video/ Penallti e humbur, gol i anulluar, ndërhyrje VAR e spektakël: Mba e Cara veshin Tiranën të kuqe

-Instant, F1, Sport, Video
Cara



Fitore 2-0 dhe arritje e kundërshtarit në vendin e parë. Partizani mposht Tiranën në derbi dhe i bashkohet bardhebluve në krye të renditjes. Derbi kryeqytetas i jep shtysën e duhur të besuarve të Colella për tu kthyer te suksesi me Mba e Cara. Tre pikë që ndryshojnë kështu rrjedhën e një kampionati që mund të shkonte dukshëm në spondin tjetër të kryeqytetit.

Antagonizëm në shkallët e stadiumit, agresivitet në fushë e spektakël në 90 minuta plus shtesën në një derbi në kuptimin e plotë të fjalës. Kishte gjithcka në Air Albania, që nga provokimet e banderolave hapëse e deri te flakadanët që ndërprenë sfidën dy herë për minuta të tëra. Ndonjëherë të ekzagjeruar, si fishekzjarrët e hedhur mbi dy portierët. Por gjithnjë të bukur për tu parë, edhe në egërsinë e tyre më të madhe, si kur ngritën një tymnajë të madhe ku ishte e pamundur të vazhdohej.

Në fushë pastaj, ishte pjesa thelbësore e spektaklit me të kuqtë që triumfuan në një sfidë ku pati gola të anuluar. Për ata që adhurojnë polemikat, pati penallti të akorduar e pastaj të anuluar me VAR, penallti të humbur dhe gol të kontestuar. Mba zhbllokoi ndeshjen në minutën e 20′. Krosimi i Hadrojit ishte i saktë për sulmuesin të pambuluar, që pati edhe fatin të dërgonte topin në rrjetë me sup.

Tirana reagoi fuqishëm, në tentativë të ekuilibronte situatën. Hasani vecanërisht i inspiruar, por prapavija e Partizanit rezistoi. Në minutën e 41′ loja mund të ndryshonte, kur Buxhelaj ndërhyri në zonë ndaj Patric. Për Xhajën ishte penallti, por VAR korigjoi arbitrin, duke anuluar gjithcka e duke qetësuar protestat e Partizanit. Colella kërkoi më shumë nga të tijtë e Rrapaj e nisi të dytën me një goditje të fortë. Por në krahun e kundërt bardheblutë mund të ndëshkonin me Hasanin. Goditja e Patrick u grushtua nga Rexhepi që smund të bënte asgjë ndaj tap-in të sulmuesit. Në ndihmë të kuqve i erdhi asistenti që sinjalizoi një pozicion jashtë loje milimetrik të Hasanit.

TYMI MBIZOTËROI NË AIR ALBANIA

Flakadanët pushtuan fushën dhe ndërprenë takimin për 10 minuta. Partizani e ruajti përqendrimin dhe në të 63′ mund të mbyllte historinë. Penallti dhe Telushi kishte mundësinë nga 11 metra të siguronte rezultatin. Bekaj konfirmohet megjithatë një pritës penalltish, duke ndalur konkluzionin e vlonjatit. Ende 1-0, por deri në të 81′ kur Cara shënoi golin e dytë, që sigloi suksesin e të kuqve për kryeqytetin.

Tani të kuqtë duket se marrin frymë më të qetë pas kritikave të Kupës, duke barazuar Tiranën. Cara konfirmohet, Mba zhbllokohet e tani Colella mund të mendojë kthimin me Vllazninë në Kupë. Bardheblutë humbën një avantazh që mund të kishte qenë vrastar, por vuajti mbi të gjitha limitet e organikës. E sikur të mos mjaftojë, u dëmtua edhe Patric.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *