• |
ide | kryesore

Alexei Navalny në gjendje të rëndë/ Dyshime se po helmohet ngadalë në burg

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit
Navalny



Alexei Navalny, politikani më i njohur i opozitës në Rusi është përballur me dhimbje të forta stomaku gjatë qëndrimit në burg. Njerëzit e tij dyshojnë se kjo mund të jetë rezultat i një tjetër helmimi me veprim të ngadaltë. Një nga aleatët e tij, Ruslan Shaveddinov tha se një ambulancë u thirr javën e kaluar në burgun penal të sigurisë maksimale “IK-6” në Melekhovo, rreth 250 km në lindje të Moskës, ku ai po mbahet.

“Situata e tij është kritike. Të gjithë jemi shumë të shqetësuar. Ne po kuptojmë se gjendja e tij duhet të ketë qenë shumë e keqe derisa u thirr një ambulancë”, – tha Shaveddinov për “The Guardian” në një intervistë telefonike duke shtuar se autoritetet e burgut refuzuan që Navalny të shtrohej në spital.

Nuk ka ende asnjë reagim nga autoritetet për gjendjen shëndetësore të Navalny që kur mbërriti ambulanca, tha Shaveddinov, sepse “drejtuesit e burgut po bëjnë gjithçka që është e mundur për ta izoluar atë”. Navalny komunikon me botën e jashtme vetëm përmes avokatëve të tij.

46-vjeçari është duke vuajtur dënimin prej 11 vitesh e gjysmë për akuza që përfshijnë mashtrimin dhe përbuzjen e gjykatës, për të cilat grupet e të drejtave të njeriut thonë se u shpikën për t’i mbyllur gojën.

Shqetësimet për shëndetin e Navalny janë rritur muajt e fundit dhe kanë çuar në hartimin e një peticioni të veçantë në fillim të këtij viti nga një grup ligjvënësish dhe mjekësh rusë, të cilët kanë përdorur emrat e tyre të plotë për të kërkuar që ai të marrë kujdes më të mirë mjekësor, pavarësisht rrezikut se ata mund të ndiqen penalisht për shprehje të kundërshtimit.

Shaveddinov tha se ekipi i tij beson se Navalny po helmohet ngadalë. “Teoria jonë është se ata po e vrasin gradualisht duke përdorur helm me veprim të ngadaltë i cili aplikohet përmes ushqimit”, – tha ai.

“Mund të tingëllojë si paranojë, por pas helmimit me novichok duket krejtësisht e besueshme. Ai humbi 8 kg për dy javë. Kjo nuk ka ndodhur më parë dhe mjekët nuk po i thonë pse ka kaq shumë dhimbje”, – tha Shaveddinov.

Navalny u helmua me novichok, një agjent nervor sovjetik, në një udhëtim në Siberi në vitin 2020. Ai mori trajtim në Berlin dhe akuzoi Vladimir Putinin se qëndron pas sulmit. Kur u pyet në lidhje me pretendimet se Navalny mund të helmohej ngadalë, zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov, tha se Kremlini nuk po ndiqte gjendjen e tij shëndetësore dhe se kjo ishte një çështje e shërbimit federal të vuajtjes së dënimit.

Shaveddinov tha se autoritetet e burgut po përpiqeshin të “thyenin” Navalny duke e vendosur vazhdimisht në një qeli izolimi për shkelje të vogla të rregullave të burgut ose pa dhënë asnjë shpjegim fare.

“Që nga gushti, Navalny e ka kaluar shumicën e kohës në një qeli izolimi. Atje nuk mund të flesh siç duhet, nuk ka akses në dyqanin ushqimor të burgut dhe është e vështirë të shkruash e të lexosh letra për shkak të ndriçimit të dobët” – tha Shaveddinov.

Marie Struthers, drejtoresha e Amnesty International për Evropën Lindore dhe Qendrore, tha se “autoritetet ruse të burgjeve po përdorin metodat mizore që kanë rafinuar prej vitesh për të provuar të thyejnë shpirtin e Aleksei Navalny duke e bërë qëndrimin e tij në burg, të padurueshëm, poshtërues dhe ç’humanizues.”

Aleatët mbajnë llogari në Twitter dhe Instagram ku prezantohen komunikimet e Navalny përmes avokatëve të tij. Postimi i fundit i Navalny në mediat sociale, i publikuar të enjten, u bëri thirrje autoriteteve të Gjeorgjisë që të lirojnë nga burgu ish-presidentin Mikheil Saakashvili për trajtim mjekësor. ©LAPSI.al



3 Comments

  1. Ah c’ti bejme KM-se se eshte zemermire se keshtu do ja benim edhe nongrates.
    Toleranca dhe zemergjeresia e Rames po kalon cdo limit. Mjaft me kete opozite
    qe nuk pom na le te punojme, duhen rrasur te gjithe ne burg nga i pari tek i fundit.
    Vetem opozita e reformuar e Alibeajt e Bardhit e meriton te jete opozite.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *