• |
ide | kryesore

Incident në xhirimin e filmit “Gladiatori 2”, plagosen 6 persona

-Instant, Arkiva, Lapsi Leaks
gladiatori



Disa anëtarë të stafit të filmit “Gladiatori 2” janë plagosur në një incident që ndodhi gjatë xhirimeve në Marok. Kompania e prodhimit të filmit “Paramount Pictures” tha se lëndimet nuk ishin kërcënuese për jetën. Incidenti ndodhi gjatë xhirimit të një sekuence ku kishte disa marifete filmike. Anëtarët e ekuipazhit janë “të gjithë në gjendje të qëndrueshme dhe vazhdojnë të marrin trajtim”, thuhet në deklaratë.

Në fillim të kësaj jave, “The Sun” raportoi se kishte pasur një shpërthim në sheshin e xhirimit dhe se 6 persona shkuan në spital.

“Ishte e tmerrshme. Një top i madh zjarri fluturoi lart dhe preku disa anëtarë të stafit. Gjatë viteve të xhirimeve nuk kam parë kurrë një aksident kaq të frikshëm. Të gjithë personat e përfshirë janë të tronditur nga ajo që ndodhi” – tha një burim i brendshëm për gazetën.

Në një deklaratë, një zëdhënës i “Paramount Pictures” tha se “ekipet e sigurisë dhe të shërbimeve mjekësore në vend arritën të vepronin shpejt në mënyrë që ata që u prekën të merrnin menjëherë kujdesin e nevojshëm”Sipas gazetës “Variety”, asnjë pjesëtar i kastit të aktorëve nuk u lëndua, por 6 persona morën trajtim për lëndime nga djegiet, nga të cilët 4 janë ende në spital.

Regjisori Ridley Scott, i cili drejtoi filmin e parë të vitit 2000 është rikthyer për të drejtuar edhe këtë film të dytë i cili është planifikuar të dalë në kinema në nëntor 2024. Asnjë titull nuk është shpallur ende për vazhdimin, ku luajnë aktorët: Paul Mescal, Denzel Washington dhe Connie Nielson.

Filmi i parë fitoi 5 çmime Oscar, duke përfshirë aktorin më të mirë për Russell Crowe, i cili luajti gjeneralin romak Maximus Decimus Meridius së bashku me Joaquin Phoenix në rolin e Perandorit Commodus. “Gladiatori” fitoi 457 milion dollarë dhe ringjalli zhanrin historik të dramës epike, i cili kishte qenë jashtë modës për dekada. ©LAPSI.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *