• |
ide | kryesore

Qirko mbërrin nga Teuta për Champions League: Partizani zhduk të gjithë blerjet e Marinit

-Instant, Sport
Qirko



Pano Qirko, emri më i sharë nga tifozët e Partizanit në ndeshjen e fundit të kampionatit, ende pa u shënuar goli i parë, është tani portieri i ri i të kuqve. Numri 1 i Teutës ishte i fundit që u dorëzua në atë Partizani-Teuta 2-0 që vendosi titullin. Por deri sa Rrapaj kaloi të kuqtë në avantazh, Qirko ia kishte ngecur shumë herë në fyt britmën ‘gol’ tifozëve të tij të rinj, me pritjet e njëpasnjëshme. E tani mes kryeqytetasve dhe durrsakëve është arritur akordi për huazimin e portierit. Qirko do të vijë te Partizani i huazuar për Champions League dhe lajmi është zyrtarizuar nga vetë Teuta.

Me ardhjen e portierit Qirko, numri i gardianëve mes shtyllave bëhet katër. Rexhepi, titullari i sezonit të kaluar, Alban Hoxha dhe Aldo Teqja i kthyer nga huazimi në Ballsh me Bylis. Në këtë pikë një do të largohet patjetër e ndoshta edhe dy. I piketuari për tu larguar është Rexhepi. Portieri i sjellë nga Skënderbeu nga drejtori i shkarkuar sportiv Elton Marini nuk ka bindur. Të shumta gafat e pasiguritë e tij, të përkthyera në pikë të lëna. E megjithatë Rexhepi kishte mbrojtjen e Marinit dhe vendi mbeti i tij, pavarësisht se prapa ishte një si Hoxha, ish-kapiteni i lënë mënjanë.

Shkarkimi i Marinit pas titullit kampion, dorëheqja e teknikut Giovanni Colella e lajmërimi i divorcit me qendërmbrojtësin Joseph Menich janë të gjithë vendime të së njëjtës linjë. Ish-drejtori ishte investuar te tekniku italian dhe madje kishte sjellë sllovakun, që nuk bindi asnjëherë. Tani, me Qirkon duket se edhe Rexhepi është drejt largimit. Partizani po zhduk cdo shenjë të Marinit (ka mbetur Mba).



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *