• |
ide | kryesore

Video/ Fikja e dritave i sjell ters Teutës: pas përmbysjes durrësake, Tirana barazon me Najdovski

-Instant, F1, Sport, Video



Katër gola për një pikë, që për Tiranën rri ngushtë. Edhe pse për mënyrën si shkoi ndeshja në Niko Dovana, duhet të jetë Teuta ajo që kapërcehet hidhur. Përfundon 2-2 me teknikun Longo që i gëzohet pikës në debutim. Bregdetarët përmbysën golin e shpejtë të Hasanit në harkun e 9 minutave. Penalltia e Filit dhe Gjinollari iluzionuan durrsakët, që fatin e humbën me fikjen e prozhektorëve në stadium. Në pjesën e dytë Najdovski barazoi 2-2, duke vendosur një ndeshje interesante.

PËRMBYSJE, DRITA TË FIKURA E… BARAZIM

Edhe pse me një skuadër të reformuar, me vetëm tre emra të shpëtuar nga sezoni i kaluar, Teuta tregoi personalitet në fushë. Diego Longo kishte ndërtuar një skuadër energjike rreth Filit, që reagoi edhe pse u godit shpejt. Hasani realizoi që në minutën e 3′, në një përgjumje difensive të prapavijës së Teutës. Një gol që shërbeu për të zgjuar nga ngërçi psikologjik lojtarët e rinj në moshë të durrësakëve.

Demirçani u pengua në zon nga Deliu dhe Ferataj pas imazheve të para në VAR akordoi penallti, që Fili e realizoi me qetësi. Nuk mbaroi me aq, sepse Gjinollari kurorëzoi përfaqësimin e tij pozitiv me golin e përmbysjes në minutën e 19′. Në krosimin e Peposhit erdhi tap-in i anësorit, që befasoi Likën.

Lexo më tej: Video/ Vllaznia arrin Erzenin në të 90′, plasin polemikat: Rusta i anulon kuqebluve golin e fitores në shtesë

Në pjesën e dytë të lojës, ishte Tirana më kërkuese, duke iu tentuar shpesh portën e Demës. Në minutën e 58′ pastaj, Najdovski barazoi rezulatin, duke i dhënë shpresë bardhebluve për një tjetër përmbysje si ajo me Dinamon në javën e parë. Sidoqoftë asgjë nuk ndodhi më dhe nga një pikë për dy skuadrat. Tirana mbetet e pathyer, por nuk merr dot pikë të plota. Teuta e nis me barazim aventurën (ndeshja me Partizanin u shty) përpara publikut të shtëpisë.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *