• |
ide | kryesore

Tabaku kundër Bashës: Pse votoj kundër rritjes së pagave të gjyqtarëve të Kushtetueses

Arkiva, Lajme, Të fundit



Nisma e Partisë Socialiste për rritjen e pagave për gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese po shërben për t’i bërë më të qarta grupimet brenda opozitës dhe dallimet përkundrejt qasjes me mazhorancën. Ndërsa Basha ka deklaruar votën pro nismës së qeverisë, Berisha dhe Bardhi e kanë kundërshtuar atë.

Së fundmi është ish-nënkryetarja e PD Jorida Tabaku që rreshtohet kundër rritjes së pagës për gjyqtarët e Kushtetueses që sipas saj “nuk kanë asnjë lidhje me Reformën në Drejtësi dhe cënojnë jo vetëm pavarësinë e institucioneve të drejtësisë, por edhe logjikën e një sistemi hierarkie page që kanë këto institucione”.

Argumentimi i Tabakut është qartësisht kundër logjikës së Lulzim Bashës, që tha se do ta japë votën pro, sepse rritja e pagave ndikon në një gjyqësor më të pavarur nga qeveria.

Mesazhi i plotë i Tabakut në rrjetet sociale

Mbi pagat e Gjykatës Kushtetuese!

Prej disa javësh në Kuvendin e Shqipërisë është depozituar një kërkesë e qeverisë shqiptare, përkatësisht Ministrisë së Drejtësisë, që kërkon rritjen e pagave për Gjykatën Kushtetuese. Një kërkesë e pakuptimtë duke pasur parasysh, që kjo e fundit nuk është aspak një institucion në varësinë e qeverisë (aq më pak Ministrisë së Drejtësisë) dhe që mund të kishte ardhur në një rrugë komplet tjetër.

Një kërkesë që vjen ndërsa në Kuvendin e Shqipërisë ndërkohë ka një paketë ndryshimesh ligjore, që pret për të plotësuar dhe mbushur disa boshllëqe që sistemi i ri i drejtësisë ka nevojë. Ndryshime të propozuara nga institucionet e reja të krijuara dhe partnerëve tanë që kanë investuar në Reformën në Drejtësi. Megjithëse institucionet në pikat e tyre për ndryshime kanë paraqitur dhe rritje pagash, Gjykata Kushtetuese në asnjë shkresë apo kërkesë të saj gjatë debateve mbi ndryshimet në fjalë, nuk ka ngritur këtë shqetësim.

Me pak fjalë kërkesa e Ministrisë së Drejtësisë në emër të Gjykatës Kushtetuese për rritje page për anëtarët e kësaj gjykate nuk ka lidhje me paketën e ndryshimeve ligjore për Reformën në Drejtësi. Janë dy gjëra pa asnjë pikëlidhje me njëra- tjetrën. Për ndryshimet ligjore të Reformës në Drejtësi jam plotësisht dakord dhe në mbështetje, pasi ruan parimet e një sistemi të drejtë vleresimi për të gjithë gjyqtarët, duke pasur parasysh edhe vështirësinë e tyre në punë.

Po ku është problemi në lidhje me propozimin e qeverisë që kërkon t’i rrisë pagat Gjykatës Kushtetuese?

Në qershor të 2023 në fund të sesionit, parlamenti i Shqipërisë votoi për rritjen e pagave në gjithë hierarkinë shtetërore, duke nisur nga Kryetari i Shtetit-presidenti, Parlamenti dhe padyshim edhe sistemi i drejtësisë. Ndryshime që preknin të gjithë hierarkinë shtetërore, brenda formulës së përcaktuar nga Kushtetuta dhe interpretimi i Gjykatës Kushtetuese.

Tani është e qartë që këto ndryshime për rritje të pagës së Gjykatës Kushtetuese me propozim të qeverisë nuk kanë asnjë lidhje me Reformën në Drejtësi dhe cënojnë jo vetëm pavarësinë e institucioneve të drejtësisë, por edhe logjikën e një sistemi hierarkie page që kanë këto institucione.

Së pari, pavarësia institucionale. Si institucion kushtetues, Gjykata Kushtetuese i dorëzon të gjitha kërkesat për buxhet në kKomisionin e Ligjeve në parlament. Në teori nuk duhet të ketë varësi nevoje me asnjë institucion tjetër. Megjithëse GJK ka një marrëdhënie të qartë me Kuvendin ajo prapë ka vendosur t’i bëjë një kërkesë Ministrisë së Drejtësisë, pra ekzekutivit. I ka kërkuar qeverisë që t’i kërkojë Kuvendit t’i rritet paga anëtarëve të GJK. Kështu, është qeveria që po propozon t’i rriten pagat Gjykatës Kushtetuese, duke cënuar rëndë si pavarësinë, por dhe balancën e pushteteve.
Së dyti, drejtësia e vendosjes së pagave. Reforma në Drejtesi (ajo që i tundin flamurin sa herë i duhet) ka krijuar SPAK/GJKKO, për hetime/gjykime të korrupsionit e krimit të organizuar. Kjo gjykatë është ajo e cila për momentin po përballet me vendime, që kanë lidhje me korrupsionin qeveritar, me krimin e organizuar, duke shënjuar rezultate që pak i kishin menduar.

Ata janë gjykatësit më të kontrolluar e monitoruar. Duke pasur këtë situatë kaq komplekse dhe mbi të gjitha edhe hierarkinë e pagave në këto institucione, duket e padrejtë që Gjykata Kushtetuese të kërkojë vetëm për veten e saj përmes Ministrisë së Drejtësisë rritjen e pagave me 100% më të larta se sa gjyqtarët e GJKKO. Kjo është pandershmëri dhe mungesë serioziteti, pasi kështu prishen të gjitha parimet me të cilat është ndërtuar Reforma në Drejtësi.

Të mos këndojmë kot këngën e kësaj reforme, e cila në këtë rast e shkel atë që u vendos; apo dhe të tundim kot flamurin e partnerëve euro-atlantikë që në këtë rast as e kuptojnë e as dinë çfarë po ndodh!

E thjeshtë: GJK është e pavarur dhe duhet të vazhdojë të jetë e pavarur! Pavarësinë e saj e dëmton në imazh dhe jo vetëm, shndërrimi i saj në një aneks shtesë të Ministrisë së Drejtësisë. Por edhe hiletë e ulëta politike që thyejnë hierarkinë!



3 Comments

  1. Per rritjen marramendese te rroges se deputeteve pra te vetes votoi me te dyja duart tani ben hipokriten per rrogen e Gjyqtareve te GJK. Jorida eshte Djalli me fytyre engjelli ajo eshte varianti femer i Bamir Topit, te dy i urrejne te gjithe pervec vetes se tyre.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *