• |
ide | kryesore

Video/ City nis mbrojtjen e kurorës me përmbysje: PSG rrëzon Dortmund, Lazios i shënoi portieri

-Instant, F1, Sport, Video
PSG



PSG merr kryesimin në grupin e hekurt, atë F, duke mposhtur 2-0 Borussia Dortmund. PSG të udhëhequr nga Mbappe e Hakimi, përfituan nga barazimi pa gola mes Milan e Newcastle. Lazio reziston 1-1 në Olimpico kundër Atletico Madrid. Kryesimin e Grupit E për momentin e merr Feyenoord, që likuidoi në Holandë 2-0 Celtic. Në Grupin G debutojnë kampionët në fuqi të Manchester City. Skuadra e Guardiolës u thirr në cështje menjëherë për një përmbysje 3-1 ndaj Crvena Zvezda. Në Grupin H, Barcelona është e ekzagjeruar ndaj Antëerp të Arbnor Mujës. Skuadra e sulmuesit shqiptar u shkatërrua 5-0 në Camp Nou. Në ndeshjen tjetër, Porto bëri goditjen në transfertë me Shakhtar.

GRUPI E

Champions League për Lazio filloi me një barazim të pabesueshëm në momentin e fundit. Në raundin e parë të Grupit E, mes skuadrës së Maurizio Sarrit dhe Atletico Madrid u mbyll 1-1. Një ndeshje e ekuilibruar dhe e tendosur, por bardhekaltrit rezistuan ndaj kundërshtarit më të vështirë të grupit. Në Olimpico lojtari i ndeshjes ishte portieri Provedel, sa për të kuptuar llojin e ndeshjes. Pas golit të Barrios (29′) me bashkëpunimin e një devijimi nga Kamada, portieri bardhekaltër u kujdes që në minutën e 95′ të rivendoste gjithçka në ekuilibër me një goditje me kokë, pas asistimit të përsosur të Luis Alberto.

Grupin e kryeson Feyenoord, që në shtëpi mposhti 2-0 Celtic. Një ndeshje nervoze që skocezët e mbyllën me 9 lojtarë. Stenga shënoi golin e avantazhit në shtesën e pjesës së parë. Gjërat për Celtic u bënë të pamundura në minutën e 63′, kur Lagerbielke mori kartonin e dytë të verdhë. Penalltinë megjithatë Paixao e gaboi, por tre minuta më vonë Celtic mbeti me 9 lojtarë. Holm mori kartonin e kuq, por VAR i anuloi Geertruida golin e sigurisë. Gol që e shënoi në minutën e 76′ Jahanbakhsh.

GRUPI F

Arriti fitorja e parë e PSG në grupin e hekurt. Skuadra e drejtuar nga Luis Enrique mposhti 2-0 Borussia Dortmund dhe merr kryesimin. Gjermanët rezistuan për një pjesë loje ndaj presionit ofensiv të kundërshtarëve. Në pjesën e dytë penalltia e Mbappe (49′), të cilit iu anulua edhe një gol, e dyfishimi i Hakimi (57′) mbyllën llogaritë. Kështu, PSG arrin tre pikë, +2 ndaj ndjekësve të tyre të parë në grupin F, Milan e Newcastle.

Lexo më tej: Champions, Milan ngec pa gola në San Siro me Newcastle: Pioli humbet edhe Maignan

GRUPI G

Manchester City i përgjigjet menjëherë fitores së Leipzig pasdite. Citizens e nisën me përmbysje mbrojtjen e titullit, duke triumfuar 3-1 ndaj Crvena Zvezda. Serbët kaluan të parët në avantazh në Etihad. Bukari shënoi në minutën e 45, duke i cuar në pushim skuadrat me rezultatin befasues. Guardiola hodhi në fushë Doku dhe skenën e mori Alvarez. Argjentinasi barazoi në minutën e 47 dhe përmbysi shifrat 13 minuta më pas. Rodri pastaj vetëm kompletoi trisin, që ngjit City në kuotën e 3 pikëve, sa Leipzig.

GRUPI H

Barcelona e nis me furi fushatën në Champions, duke shkatërruar Antwerp, ku luan sulmuesi i kombëtares Arbnor Muja. 5-0 imponohen katalanasit në një ndeshje me sens unik. Joa Felix zhbllokoi ndeshjen në minutën e 11, ndërsa Lewandowski e autogoli i Bataille siguruan rezultatin që në pjesën e parë. Gavi e Joao Felix i dhanë përmasa fitores së skuadrës së Xavi në pjesën e dytë. Tre pikë për Barcën që merr menjëherë kryesimin, në shoqërinë e Portos.

Portugezët u imponuan 1-3 ndaj Shakhtar. Galeno hapi serinë e golave në minutën e 8′, por u arrit nga vendosit në minutën e 13 nga Kelsy. Vetëm dy minuta zgjati entuziazmi i Shakhtar, sepse në të 15 Galeno fiksoi dygolëshin personal. Taremi pastaj mbylli ndeshjen që në minutën e 29′, duke i siguruar tre pikët teknikut Conceicao.

REZULTATET E MBRËMJES

Champions League Group E
Feyenoord 2-0 Celtic
Lazio 1-1 Atletico Madrid
Champions League Group F
AC Milan 0-0 Newcastle United
Paris Saint-Germain 2-0 Borussia Dortmund
Champions League Group G
Young Boys 1-3 RB Leipzig
Manchester City 3-1 FK Crvena Zvezda
Champions League Group H
Barcelona 5-0 Royal Antwerp
Shakhtar Donetsk 1-3 FC Porto



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *