• |
ide | kryesore

“Nëse Dinamo shqetëson, të na e thonë”: Di Biaggio akuzon arbitrimin si të qëllimshëm. Bejzade e ka me Sobouale

-Instant, Sport
Biaggio



“Djemtë kanë dhënë gjithçka, kanë bërë një pjesë të parë të mirë, por në realitet ishte një ndeshje e vuajtur për shumë arsye. Jam i lumtur se skuadra dha gjithçka, u soll si skuadër e vërtetë. E kjo duhet të na bëjë krenarë. Igli Tare më sjell gjithmonë fat se kam 20 vite që e njoh, e kam mik”. Luigi di Biaggio ka komentuar me shpejtësi fitoren 0-1 në transfertën me Laçin. Suksesi i dytë në kampionat i ka dhënë frymëmarrje teknikut italian që ka gjetur rastin edhe të heqë disa guralecë nga këpucët.

Di Biaggio ka shpërthyer kundër arbitrimit, madje duke e quajtur të qëllimshëm kundër Dinamos: “E keni parë në këto ndeshje nuk kam folur kurrë për gjyqtarë, nuk jam justifikuar për asgjë. Por kur në një ndeshje ka një penallti kështu, ndryshon ndeshjen. Pastaj edhe një karton i kuq mjaft i dyshimtë – vazhdoi Di Biaggio -. E keni parë çfarë ndodhi në ndeshjen e parë ndaj Tiranës me dy penallti të dhuruara. Me Skënderbeun pësuam me një aksion të nisur nga një prekje me dorë të dukshme. Ju garantoj që nuk është e këndshme se punojmë, japim gjithçka, edhe shpirtin. Është hera e parë që flas për gjyqtarët pas një fitoreje, se është e disata herë. Nëse Dinamo shqetëson, të na e thonë, të paktën e dimë”.

Tekniku italian e rriti dozën e protestës, duke bërë një kërkesë specifike: “Do të doja më shumë vëmendje, se punojmë, japim shpirtin dhe dua respekt. Duam respekt. Penalltinë e anuluan për pozicion jashtë loje. Më vjen keq të shoh gjithmonë diçka kundër nesh. Falë zotit është VAR-i. Nëse doni të kuptoni, mirë, nëse doni të bëni sikur nuk ndodh asgjë, në rregull”.

BEJZADE: “MË VËSHTIRË E KISHTE TA HUMBTE”

“Në fakt ne jo vetëm në këtë ndeshje, por në të gjitha ne krijojmë raste. Kjo është ndeshja e parë që nuk shënojmë gol, duke parë edhe rastin e Sobouale që më e vështirë është të nxjerrësh jashtë se të shënosh”. Skerdi Bejzade nuk gjen ngushëllim pas humbjes në shtëpi kundër një Dinamo që mbeti edhe me 10 lojtarë. “Kemi 2-3 ndeshje që pësojmë që në fillim – tha tekniku i Laçit -. Na prish ekuilibrat e lojës, hyjmë në panik dhe është e vështirë të kthesh rezultatin. Sot edhe me një më shumë nuk arritëm të barazojmë. Kur nuk barazon me një më shumë, i bie që Dinamo e meritoi fitoren, për gabimet tona, por edhe agresivitetin që nuk treguam ne”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *