Gazeta amerikane “Deadline” ka raportuar së fundmi se turneu “Renaissance”, i këngëtares me famë botërore, Beyonce, mund të përmblidhet në një film.
Sipas kësaj gazete, ylli i muzikës është në bisedime e sipër për shpërndarjen e projektit direkt në “AMC Theatres”. Por jo vetëm kaq, pasi thuhet se nuk do të n’a duhet që të presim gjatë, pasi ky film mund të publikohet më 1 dhjetor.

“Deadline” shkruan gjithashtu se këngëtarja e famshme i xhiroi dy shfaqje, pjesë të turneut të saj botëror, në qytetin e saj të lindjes, Houston, Teksas, muajin e kaluar për të qenë pjesë e filmit.
Gazeta amerikane shtoi se këngëtarja e hitit “Halo” mund ta publikojë filmin e koncertit kur turneu i saj të përfundojë në Kansas City, Missouri. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e yllit të muzikës dhe “AMC” nuk kanë reaguar akoma në lidhje me këto lajme.
Rikujtojmë se, dy gazeta amerikane po kërkojnë dikë për të ndjekur dhe për të raportuar koncertet e Taylor Swift dhe Beyoncé. Gannett, rrjeti më i madh i gazetave në Shtetet e Bashkuara, ka njoftuar se do të punësojë dy gazetarë për të mbuluar koncertet e dy yjeve të muzikës pop.