• |
ide | kryesore

“Mos hidhni flakadanë”: Duka apel para Çekisë, 30 mijë eurot e gjobës ende i djegin FSHF-së

-Instant, Sport
duka



Mendja te ndeshja (rezultati), por edhe tifozët (incidente të mundshme). Armand Duka, presidenti i FSHF-së ka dhënë një mesazh para përplasjes me Republikën Çeke, duke bërë edhe një apel për tifozët: “Një thirrje kam edhe për tifozët tanë të dashur: të jenë bashkëpunëtorë, të na mbështesin dhe mos të hedhin sende apo mjete piroteknike në fushë. Është në dëmin e të gjithëve”.

Duka sigurisht i referohet ngjarjeve që ndodhën brenda stadiumit Air Albania në ndeshjen e fundit kualifikuese të shtatorit, për Euro 2024. UEFA i dënoi dy Federatat, atë shqiptare dhe atë polake, me gjoba të forta financiare. Motivi ishte ndezja e flakadanëve, hedhja e sendeve në fushë dhe aktet e dëmtimit. Për FSHF-në, UEFA ka vendosur mbylljen e pjesshme të stadiumit për një ndeshje. Për Federatën polake një ndeshje pa tifozë në transfertë. Vetëm se të dyja këto vendime të fundit janë me kusht. Kjo do të thotë se do të aplikohen vetëm nëse brenda një afati kohor 2 vjeçar do të përsëriten.

30,000 eurot e gjobës djegin ende në Federatën Shqiptare të Futbollit, që padyshim kërkojnë t’i kenë të gjithë tifozët edhe për ndeshjen e fundit me Ishujt Faroe. Sipas vendimit të UEFA-s nëse incidentet përsëriten do të mbyllet e gjithë tribuna veriore dhe jugore gjatë ndeshjes së ardhshme të kompeticionit të UEFA-s në të cilën Federata Shqiptare e Futbollit luan si pritëse. “Të respektojmë sa më shumë ata tifozë që vijnë sonte nga Çekia – vazhdoi Duka në mesazhin e tij -. Në Pragë u pritëm të gjithë shumë ngrohtë nga populli çek. Të jemi sa më miqësorë me ta sepse fundja ditës, ne shqiptarët njihemi për mikpritjen.

Numri 1 i Federatës e kalon presionin mbi kundërshtarin, duke theksuar se cilido qoftë rezultati, për Shqipërinë nuk është vendimtar. “Për ne nuk është një ndeshje vendimtare, një sfidë ‘jetë a vdekje’. Presioni është mbi ta. Ne duhet vetëm që të menaxhojmë sa më mirë. Dhe jam i sigurt që me mbështetjen e tifozëve tanë mund t’ia dalim” e mbylli Duka.

Lexo më tej: Flakadanët e trazirat me Poloninë, UEFA dënon Shqipërinë: gjobë e mbyllje e pjesshme e “Air Albania”

MESAZHI I PRESIDENTIT TË FSHF-së

Kjo e enjte e 12 tetorit është një nga ditët më të rëndësishme për Kombëtaren tonë dhe për të gjithë shqiptarët. Luhet ndeshja Shqipëri – Çeki, një nga takimet më emocionuese të grupit tonë.

Dita ka filluar me ankth dhe shumë emocione për duelin që do luhet në ‘Air Albania’. Fitore, barazim dhe humbje. Janë tre rezultate në lojë. Dhe sigurisht që në këto raste, skuadra që do të ndjejë më pak presionin dhe që do të menaxhojë më mirë emocionet merr një rezultat pozitiv.

Unë jam besimplotë, që pavarësisht ekipit të mirë dhe shumë fizik që kanë çekët, ne gjithashtu kemi kualitetin për ta fituar këtë ndeshje. Dhe e kemi treguar në këtë rrugëtim, që kur luajmë së bashku si një grup, jemi shumë të fortë. E treguam këtë gjë edhe në ndeshjen e 32 ditëve më parë, ndaj Polonisë po në këtë stadium, ku fituam 2-0.

Për ne nuk është një ndeshje vendimtare, një sfidë ‘jetë a vdekje’. Presioni është mbi ta. Ne duhet vetëm që të menaxhojmë sa më mirë. Dhe jam i sigurt që me mbështetjen e tifozëve tanë mund t’ia dalim. Sonte duhet të festojmë të gjithë së bashku. Një thirrje kam edhe për tifozët tanë të dashur: të jenë bashkëpunëtorë, të na mbështesin dhe mos të hedhin sende apo mjete piroteknike në fushë. Është në dëmin e të gjithëve.

Gjithashtu, të respektojmë sa më shumë ata tifozë që vijnë sonte nga Çekia. Në Pragë u pritëm të gjithë shumë ngrohtë nga populli çek. Të jemi sa më miqësorë me ta sepse fundja ditës, ne shqiptarët njihemi për mikpritjen.
Forca Shqipëria!



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *