• |
ide | kryesore

Sindi Marina, gazetarja ‘volejbolliste’, magjeps edhe Gazzetta dello Sport: “Ëndërroj Sanremon”

-Instant, Sport
Sindi



Gazzetta dello Sport, e përditshmja më e madhe sportive italiane, i ka bërë një intervistë të gjatë prezantueses sportive Sindi Marina. Ish-volejbollistja, tashmë gazetare fushe për një TV shqiptar ka qenë edhe pjesëmarrëse në “Miss Univers”. Intervista zbulon anë të panjohura të bukuroshes shqiptare

Ajo ishte magnetike në parket duke luajtur, mahnitëse në pasarelë duke sfiluar, joshëse edhe në stadium me mikrofon në dorë. Fizik prej modele, vendosmëri sportisteje, aftësia gjuhësore prej gazetareje. Sindi Marina, e lindur në vitin 1998, nuk është e panjohur për ndeshjet e Serie A. Me një të kaluar si volejbolliste dhe pjesëmarrje në kompeticionin “Miss Universe”, Sindi tashmë është vënë re dhe duartrokitur nga publiku italian në disa raste. Ajo ka një lidhje të veçantë me Italinë, me shumë ëndrra trengjyrëshe në sirtarin e saj shumë personal:

“E kam dashur Italinë që e vogël. Të afërmit e mi jetonin në vendin tuaj dhe unë kaloja pothuajse çdo verë me ta. Më pëlqen ushqimi italian, arkitektura dhe historia pas qosheve të çdo qyteti. Njerëzit janë të sjellshëm, të pasionuar dhe duan të shijojnë jetën”, pranoi Sindi.

Çfarë ju pëlqen në punën tuaj si gazetare sportive?

“Është emocionuese të jesh vetëm disa hapa nga fusha dhe të ndjesh energjinë e tifozëve. Në të ardhmen do të doja të isha pjesë e një rrjeti të madh televiziv me kohë të plotë në Itali apo SHBA. Tashmë kam pasur mundësinë të bashkëpunoj me kohë të pjesshme me “Milan Channel” dhe “CBS Sports”, një nga rrjetet televizive më të rëndësishme në Amerikë. Ishte një rezultat i shkëlqyer për karrierën time”.

Po ëndërra juaj jashtë sportit Sindi?

“Prezantimi në skenën e Sanremo pranë Amadeus. Festivalin e kam ndjekur gjithmonë që e vogël, do të ishte e mrekullueshme të zbrisja shkallët e teatrit Ariston”.

Si përgatiteni për ndeshjet?

“Që kur përcaktohet kalendari, i studioj skuadrat që do të më duhet t’i ndjek “live”, duke qëndruar e përditësuar për zhvillimet e përditshme të tyre. Fundjavat i dedikohen gjithmonë shikimit të ndeshjeve. Natyrisht e kam traditë të lexoj “Gazzetta dello Sport” për çdo informacion të minutës së fundit”.

Sa kohë shpenzoni duke u kujdesur për trupin tuaj gjatë javës?

“Më pëlqen të bëj një jetë aktive dhe të shëndetshme. Kjo është arsyeja pse përpiqem të stërvitem të paktën tri herë në javë. Pjesa e ngritjes së peshave është e dobishme, sepse zbuloj se trupi im ndihet më mirë kur muskujt janë të tonifikuar. Më pëlqen edhe të kërcej. Ndonjëherë shkoj në mësime kërcimi me miqtë e mi. Kohët e fundit kam filluar të luaj edhe padel, më duket një sport vërtet argëtues”.

A praktikoni pilates apo joga?

“Unë i kam provuar të dyja, por aktualisht nuk kam se si ta ndjek këtë rrugë. Megjithatë, ato kanë përdorimet e tyre. E kuptova menjëherë këtë, në fakt të detyrojnë të lidhësh mendjen dhe trupin gjatë lëvizjeve. Pra, në përgjithësi, ato të forcojnë të dyja”.

A ka luajtur volejbolli një rol të rëndësishëm në jetën tuaj?

“Që e vogël kam ushtruar shumë sporte, përfshirë futbollin. Nëna ime ishte një volejbolliste profesioniste në Itali dhe Shqipëri. Ajo më inkurajoi ta provoja. Isha 10 vjeçe dhe rashë në dashuri me shikim të parë me volejbollin. U stërvita fort menjëherë, qëllimi ishte të fitoja një bursë në universitet dhe të luaja në një nivel profesional”.

Dhe si shkoi?

“U futa në Universitetin Duke, ku luajta dhe studiova në vitin e parë akademik. Më pas u transferova në Universitetin e Kalifornisë Jugore për të vazhduar karrierën time në volejboll dhe për të përfunduar studimet në ‘Marrëdhënie Ndërkombëtare, Çështje Globale'”.

Cili ishte roli i tij në fushë?

“Unë kam qenë “playmaker”. Gjithmonë më ka pëlqyer ai pozicion, sepse loja e skuadrës kalonte nga duart e mia. Nuk është vetëm fiziku që duhet në rolin tim, por edhe strategjia. Je “regjisorja” e skuadrës, pak si në futboll për një mesfushor që luan në 3/4 e fushës”.

Çfarë ju ka mësuar volejbolli?

“Më mësoi të jem elastike në të gjitha situatat dhe të kërkoj gjithmonë një zgjidhje për problemet, sepse gjërat nuk shkojnë gjithmonë sipas dëshirës suaj. Skuadrat e afta për të kapërcyer vështirësitë janë ato që në fund fitojnë. Ky koncept është edhe baza e përditshmërisë sime”.

Çfarë rezultatesh keni arritur në karrierën tuaj?

“Në shkollën e mesme, unë u zgjodha si një nga 5 lojtarët më të mira në Amerikë për grupmoshën time dhe u nominova për një nga çmimet më prestigjioze që një sportiest i shkollës së mesme mund të fitojë: Lojtare e Vitit. Në Universitetin e Kalifornisë Jugore e drejtova ekipin tim drejt “elita 8″ në Kampionatin Kombëtar. Në moshën 17-vjeçare pata nderin të luaja me kombëtaren shqiptare të volejbollit dhe u bëra titullarja më e re e saj në histori”.

Kur ndryshoi jeta juaj?

“Kam luajtur volejboll për 12 vite. U diplomova gjatë pandemisë, kur edhe sporti u ndal plotësisht. Në atë kohë më ofruan punën që bëj tani; reportere e Serie A italiane në një kanal sportiv shqiptar. Nuk do të kisha mundur kurrë të jepja 100% edhe si gazetare, edhe si sportiste. Kështu që vendosa të hap një kapitull të ri në jetën time. Ishte jashtëzakonisht e vështirë, sepse të marrurit me sport ishte identiteti im”.

A ka më shumë presion në një ndeshje volejbolli, në konkursin e “Miss Universe” apo të shikosh një ndeshje “live”?

“E njëjta pyetje më është bërë në skenën e “Miss Universe”, kur u zgjodha mes 20 konkurrenteve më të mira. Në secilin nga tri rastet ka një sfidë për t’u përballur. Nuk mund të them se një ndeshje volejbolli është e vështirë, sepse nga këndvështrimi im ka qenë gjithmonë e natyrshme të jesh në fushë”.

Po “Miss Universe”?

“Konkursi i bukurisë ishte një përvojë unike; një nder të përfaqësoja vendin tim. Ndjeva shumë presion për faktin se miliona njerëz po më shikonin nga e gjithë bota. Doja shumë t’i jepja Shqipërisë imazhin më të mirë të mundshëm. Përfundimi në vendin e 11-të ishte një rezultat historik”.

E në fund TV…

“Televizioni ishte një risi që më lejoi të ndiqja nga afër sportin. Në të gjitha këto përvoja kam mësuar se përgatitja e kujdesshme është baza e suksesit. Kur vjen koha për të kaluar “live”, përpiqem të mos shqetësohem për asgjë jashtë kontrollit tim dhe thjesht të shijoj momentin”, përfundoi Sindi Marina.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *