• |
ide | kryesore

Si krisën armët në Peqin/ Kunati hyri të mbronte kreun e bashkisë

Arkiva, Lajme, Të fundit
peqin



Detaje të reja janë zbuluar nga përplasja me armë në Peqin, ngjarje ku u përfshi edhe kryebashkiaku, Bukurosh Maçi. Mediat raportojnë se ky i fundit ishte përfshirë në një konflikt me shtetasin Adriatik Ceka. Në këtë moment ka ndërhyrë Leonard Elezi, për t’i dalë në mbrojtje kunatit të tij, kryeut të bashkisë.

Mes Elezit dhe Cekës mësohet se ka pasur shkëmbim zjarri, dhe të dy janë shpallur në kërkim nga policia. Në momentin e shkëmbimit të zjarrit mes tyre u përdoren 2 lloje armësh, një automatik model 56 si dhe një pistoletë. Policia në Peqin njoftoi se gjeti dhe sekuestroi mbi 20 gëzhoja pistolete dhe kallashnikovi në vendngjarje. Nga të shtënat nuk pati persona të lënduar.

Sipas policisë dyshohet “se me armë në ajër ka qëlluar vetëm 40-vjeçari Ceka”, por gjetja e gëzhojave nga dy armë të ndryshme duket se e rrëzon këtë pretendim. Nga këqyrja e pamjeve filmike shihet se shkëmbimi i zjarrit ka zgjatur për 5 minuta mes dy personave të shpallur në kërkim. Kalimtarët e tmerruar i kanë shpëtuar plumbave duke hyrë tek një bllok pallatesh, pranë vendngjarjes.

Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë kryer krehjen e zonës, me qëllim kapjen e Elezit dhe Cekës. Policia thotë se një grup hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të rastit. /LAPSI.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *