• |
ide | kryesore

Ligjet/ Socialistët kalojnë draftin e ri që frenon komisionet hetimore

Arkiva, Lajme, Të fundit



Komisioni i Ligjeve ka miratuar ndryshimet ligjore të propozuara nga PS për Komisionet Hetimore. Nisma u votua me 15 vota pro gjatë mbledhjes së “Ligjeve” të zhvilluar online në Zoom.

Shtesat dhe ndryshimet në funksionimin e ligjit per Komisionet Hetimore, parashikon që të kufizojë të drejtat e opozitës për ngritjen, objektin dhe mënyrën e zhvillimit të komisioneve hetimore parlamentare.

Projektligji u depozitua nga deputetja socialiste, Ermonela Felaj, në një kohë kur mazhoranca nuk pranon ngritjen e 8 komisioneve hetimore parlamentare të kërkuara nga opozita.

Ndryshimet ligjore e frenojnë hetimin e parlamentin për çështje të caktuara, ndërkohë që vendimi për të ngritur apo jo një komision hetimor kalon në varësi të humorit të mazhorancës.

Kushtetuta e detyron Kuvendin të ngrejë një komision hetimor nëse e kërkojnë 35 deputetë, por ligji i ri shton kufizimet nëpërmjet koncepteve, që lënë hapësirë për interpretime.

Specifikohet në ligj që “çështja e veçantë”, që kërkohet të hetohet nga parlamenti, duhet të jetë një çështje që “hetohet në aspektin e kontrollit dhe zbatimit të ligjeve, njohjes dhe verifikimit në thellësi të një fenomeni, ngjarjeje apo veprimtarie dhe që nxisin iniciativa për propozime, amendime apo miratime ligjesh, me qëllim parandalimin e fenomeneve negative për shoqërinë dhe shtetin, si dhe nxjerrjen e përgjegjësive institucionale”.

Drafti i miratuar sot në Komisionin e Ligjeve parashikon që mbledhjet e komisioneve të jenë të mbyllura nëse marrja në pyetje e dëshmitarëve mund të cënojë sekrete shtetërore apo të dëmtojë “moralin shoqëror”. Mbetet e paqartë se çfarë konceptojnë socialistët me “moral shoqëror”, por kjo duket se i lë hapësirë mazhorancës të mbyllë komisionet dhe të tkurrë hapësirat për transparencë mbi çështjet që hetohen.

Në variantin e parë, mbledhjet mbyllen kur përfshihet jeta personale e dëshmitarëve, kur rrezikohet jeta e tyre ose kur bëhen referenca që lidhen me sekretin e biznesit/ tregtar apo me sekretin shtetëror.

Në variantin e dytë, parashikohet mbyllja e dyerve në rastet kur “publiciteti mund të dëmtojë moralin shoqëror ose mund të sjellë përhapjen e të dhënave që duhet të mbahen sekret në interes të shtetit”.

Edhe anëtarët e komisionit detyrohen me ligj që të mbajnë konfidenciale informacionet e këtyre mbledhjeve të mbyllura.

Në këtë rast, ligji i shkon përshtat shqetësimit të shprehur më parë nga kryeministri Edi Rama që thotë se nuk do të lejojë që parlamenti të shndërrohet në teatër të propagandës nga opozita.

Për shkak të refuzimit që mazhoranca u bën komisioneve hetimore, opozita ka protestuar prej disa javësh. Në sallën e kuvendit janë ndezur flakadanë, ndërsa punimet e komisioneve parlamentare kanë kaluar online për shkak të përplasjeve fizike mes deputetëve.

Megjithatë, mazhoranca nuk do të ulet në tryezë me Sali Berishën për të negociuar një zgjidhje.



4 Comments

  1. Ky pushtet nuk ka nevoje per opzite e kontroll. Nuk i lene gje mangut nga na kane ardhur dhe si lene gje mangut vepres e qellimit anti demokratik ne genin e kesaj rrace anti demokratike.

  2. ligjet e ktyre si shkrim ne drrase te zeze, shkruhen ne shkumes fshihen me fshirese e shkruj prap. Domethen kena shtet tfort shum.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *