• |
ide | kryesore

Misteri i vdekjes së yllit të filmit “Parasite”

Arkiva, Lapsi Leaks
parasite



Aktori koreano-jugor Lee Sun-kyun, i njohur më së shumti për rolin e tij në filmin “Parasite”, fitues i çmimit Oscar, u gjetur i vdekur, në dukje nga një vetëvrasje në qendër të Seulit. Policia gjeti trupin e aktorit, 48-vjeçar, në një makinë pranë një parku të qytetit. Autoritetet thanë se më herët kishin marrë një raportim se ai ishte larguar nga shtëpia e tij pasi kishte lënë një shënim. Aktori ishte nën hetim për përdorim të dyshuar të drogës që nga tetori. Trupi i Lee u dërgua në Spitalin Kombëtar Universitar të Seulit. Mediat koreane thonë se familja e tij ka refuzuar kryerjen e autopsisë ndaj ai do të varroset të premten.

Policia ka nisur një hetim për të përcaktuar detajet rreth vdekjes së tij, përfshirë kohën kur ai mbërriti në vendin e ngjarjes ku u gjet trupi i tij, si dhe kohën e vdekjes së tij. Në filmin “Parasite”, Lee luajti patriarkun e familjes së pasur Park, në të cilën ishin infiltruar anëtarët e një familjeje të varfër që paraqiteshin si individë pa lidhje me njëri tjetrin. Satira e fortë sociale fitoi 4 çmime Oscar, përfshirë edhe atë për “Filmin më të mirë”.

Agjencia e lajmeve Yonhap raporton se ai po hetohej se kishte përdorur marihuanë dhe ketaminë me një zonjë në një bar në Seul. Ai kishte thënë se megjithëse mori atë që ajo i dha, ai nuk e dinte se ato ishin droga të paligjshme. Gruaja, një prezantuese, i kishte thënë policisë se ai kishte përdorur drogë disa herë edhe në shtëpinë e saj, diçka që ai e mohoi. Aktori kishte kërkuar përmes avokatit të tij që të bënte një test të makinës së të vërtetës. Kjo pasi testet e tij të drogës kishin dhënë rezultate negative ose jo bindëse.

Policia tha se i vinte keq që Lee kishte vdekur në mes të hetimeve, por se hetimi ishte “kryer me pëlqimin e tij”, – raportoi News1 Korea. Lee iu nënshtrua tre raundeve të marrjes në pyetje, me një seancë të shtunën e kaluar që zgjati 19 orë.

Agjencia e Lee kërkoi që të mos shpërndaheshin lajme të rreme. Lajmi për vdekjen e tij shkaktoi reagime të forta në internet. Aktori, i cili ishte i martuar me aktoren Jeon Hye-jin dhe kishte 2 djem të vegjël me të, kishte një karrierë që zgjati më shumë se dy dekada. Ai luajti si aktori kryesor në dhjetëra filma dhe shfaqje televizive, duke u bërë një emër i njohur që gjatë viteve 2010.

Ai fitoi famë ndërkombëtare me filmin “Parasite”, pasi u bë filmi i parë në gjuhën jo-anglisht që fitoi Oscar për “filmin më të mirë”. Lee kishte një imazh të pastër familjar, para hetimit për përdorim droge, por raportet që dolën nga hetimi i shkaktuan dëme të konsiderueshme reputacionit të tij. Duke folur me gazetarët në fund të tetorit përpara se të shkonte në një stacion policie për t’u marrë në pyetje, ai tha: “Unë sinqerisht kërkoj falje që shkaktova një zhgënjim të madh te shumë njerëz duke u përfshirë në një incident kaq të pakëndshëm. Më vjen keq për familjen time, e cila po përballon një dhimbje kaq të vështirë në këto momente”.

Lee u përjashtua nga “No Way Out”, një serial televiziv që filloi xhirimet në tetor. Sipas raportimeve, disa biznese janë parë duke hequr posterat dhe reklama që shfaqnin Lee nga dyqanet e tyre. Veprat penale për drogë, përfshirë ato të përdorimit të marihuanës, konsiderohen krime të rënda në Korenë e Jugut. Konsumimi i marihuanës dënohet deri në 5 vjet burg.

Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, është zotuar për një goditje të fortë kundër drogës. Këtë vit, autoritetet e vendit zgjeruan departamentin e krimeve të drogës dhe shefi i policisë kombëtare premtoi “një luftë totale” kundër krimeve të drogës. Lee nuk është i vetmi personazh i famshëm koreano-jugor që është hetuar për përdorim droge kohët e fundit. Në fillim të këtij muaji, ylli i K-pop G-Dragon u pastrua nga akuzat për drogë pas javësh hetime. Aktori Yoo Ah-in aktualisht është në gjyq për përdorim droge. ©BBC, LAPSI.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *