• |
ide | kryesore

Restorantet dhe hotelet në Shqipëri, të dytat më të lirat në Europë

Lajme, Të fundit



Çmimet janë rritur në restorante për vendasit, por ato vijojnë të jenë ndër më të lirat në Europë, duke tërhequr shumë turistë, që shpesh i gjen duke mbajtur radhë në lokalet e njohura të kryeqytetit. Edhe akomodimi është shumë më i lirë sesa në shtete të tjera të Europës, sidomos me alternativat përmes Booking, apo AirBnb.

Eurostat publikon indeksin e çmimeve të konsumit, me referencë mesataren e Bashkimit Europian (BE=100) për vendet e BE-së dhe Ballkanit perëndimor (të dhënat për Kosovën mungojnë), ku përfshihet dhe grupi i hoteleve dhe restoranteve.

Sipas Eurostat, çmimet e restoranteve dhe hoteleve në vend janë sa 46.7% e mesatares europiane, e dyta më e lirë në Europë, pas Maqedonisë së Veriut (45.3%).

Më shtrenjtë ju kushton qëndrimi dhe një drekë apo darkë në Zvicër. Psh, për një drektë që mesatarisht në Europë kushton 100 euro, në Shqipëri shpenzon rreth 47 euro, ndërsa në Zvicër 175 euro. Mbi 150 euro ju duhen edhe në Norvegji dhe Danimarkë.

Krahas Shqipërisë dhe Maqedonisë së veriut të lira janë dhe ushqimi e akomodimi në Bullgari (50% e mesatares europiane), Turqi (50.5%), Bosnjë (58.6%). Më të shtrenjtat në rajon janë Mali i Zi (59.9%) dhe Serbia (62%).

Turizmi nxit restorantet të orientohen nga ushqimet tradicionale

Interesi i lartë i turistëve për Shqipërisë dhe rritja e frekuentimit të restoranteve nga të huajt ka kthyer kuzhinën tradicionale në qendër të vëmendjes. Shumë restorante po shtojnë menu-të e ushqimeve tradicionale vendase. Kjo ka sjellë rritjen e kërkesës për produkte të prodhuara lokalisht, duke nxitur fermerët dhe kultivuesit të përdorin metodat tradicionale të kultivimit dhe mbjelljes.

Johana Bano, bashkëthemeluese e Fustanella Farm, tregon që të gjitha produktet e tyre janë nga fermat e vendit. “Fasulja e Korçës, Vaji i Beratit e shumë produkte janë vendase.

Prodhimet e mishit te ne sigurohen në ferma të tjera të ngjashme, që kanë përparësi blegtorinë. Të gjitha produktet që përdorim janë vendase, kështu sigurojmë pjata sa më autentike” – shprehet znj. Bano.

“Pjatat më të preferuara në Shqipëri për shumë restorante janë mishi i kecit dhe byreku i gatuar në mënyra të ndryshme.

Petulla të fshira ‘Made in Korça’, Shapkat nga Çamëria, Fërgesë ‘Si qëmoti’, Dollma ‘Si nga dora e gjyshes’, Tava e kosit, Qofte furre me domate dhe narden janë pjatat më të kërkuara në restorantin tonë” – shprehet Jurgen Bame, drejtori i marketingut të “ERA Restorant”.

Ofertat e lartë për shtëpi me qira ditore ul çmimet

Edhe qëndrimi në hotele apo shtëpi në Shqipëri është shumë më i lirë se në vende të tjera europiane. Psh, një natë qëndrim në datën 15 janar në Tiranë, afër qendrës kushton mesatarisht 50-116 euro. Në Milano, një natë në një hotel afër qendrës kushton mesatarisht 150-300 euro.

Fluksi i lartë i turistëve nxiti në vend biznesin e qiradhënies ditore. Numri i shtuar i turistëve të huaj dhe perspektiva afatgjatë për shtim të numrit të tyre, ka nxitur shumë pronarë apartamentesh t’i kthejnë pronat e tyre në biznese për dhënie me qira ditore, apo të blejnë prona ose t’i marrin me qira për këtë qëllim, duke rrezikuar krijimin e mbiofertës në tregun e qirasë ditore.

Në muajin shtator 2023, numri i strukturave me qira ditore në dy platformat ndërkombëtare Booking (sipas kërkimeve të “Monitor”) dhe AirBnb (sipas të dhënave të AirDNA që analizon statistikat për strukturat me qira ditore në platformën Airbnb) arriti në 24,902 apartamente/banesa.

Të ardhurat nga tregu i qirasë afatshkurtër në Shqipëri në muajt janar-shtator 2023 vlerësohen rreth 45,5 milionë euro (e llogaritur sipas tarifës mesatare ditore ADR shumëzuar me kërkesën për net qëndrimi, bazuar në të dhënat e vëna në dispozicion nga AirDNA vetëm për platformën AirBnb).

Mbioferta e qirave ditore ka qenë një nga arsyet që ka ulur çmimin e akomodimit në Tiranë. Qiraja ditore në Tiranë për çmimet e apartamenteve të listuara në Booking për muajin Nëntor nis nga vlera 25 euro/nata për apartamente me largësi 1 km nga sheshi “Skënderbej” në rrugën “Kusuri” apo 37 euro nata për apartamente 500 m larg sheshit “Skënderbej” në rrugën “Myslym Shyri”.

Çmimet e shtrenjta janë për prona që mund të vlerësohen “luksi” dhe arrijnë deri në 150 euro nata konkretisht për një pronë të listuar në rrugën “Ukraina e lirë” (pas kryesisë së Kuvendit) me vendndodhje 700 metra larg sheshit “Skënderbej”, me hapësirë banimi prej 4 dhomash.

Marrë nga Monitor.al



3 Comments

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *