• |
ide | kryesore

E ka blerë që 15 vjeç, Chelsea vendos eskortë sigurie për Kendry Pàez: fenomeni i ri mund të rrëmbehet në Ekuador

Sport
Pàez



Chelsea po fokusohet shumë te lojtarët e rinj që së shpejti mund të bëhen të rëndësishëm për klubin londinez, duke e nxjerrë nga vështirësitë aktuale. Mes tyre janë edhe Moises Caicedo dhe Kendry Pàez, të dy yjet e futbollit ekuadorian. Nëse për të parin e ardhmja te Blues ka nisur tashmë me transferimin rekord nga Brighton në verën e vitit 2023, për të dytin, vetëm 16 vjeç, duhet pritur edhe disa vite të tjera. Lojtari është lënë në Ekuador në pritje të moshës madhore. Por ndërkohë, Chelsea ka zgjedhur të mbrojë “investimin” e tij. Klubi ka vendosur të paguajë për sigurinë 24 orëshe për të dhe familjen e tij, duke pasur parasysh përshkallëzimin e dhunës në vendin e Amerikës së Jugut.

ESKORTË SIGURIE 24/24

Kendry Pàez ka nënshkruar tashmë me Chelsea, por duhet të qëndrojë në Ekuador duke luajtur për Independiente del Valle deri në moshën madhore. Rregulloret ndërkombëtare e ndalojnë transferimin e të miturve në vende dhe kampionate të tjera. Megjithatë, cilësitë e padiskutueshme të talentit gjashtëmbëdhjetë vjeçar i shtynë londinezët të djegin konkurrencën, duke e bërë atë të nënshkruajë një parakontratë që efektivisht tashmë e lidh atë me Blues. Pikërisht për këtë arsye shoqëria angleze ka ngritur edhe një shërbim sigurie për të mbrojtur djalin dhe familjen e tij në Ekuador.

Të njëjtën mbështetje, Chelsea e ka ofruar edhe për anëtarët e familjes së Moisés Caicedo, të cilët ende jetojnë në Ekuador, pavarësisht se 22-vjeçari tashmë luan për ekipin e parë në Premier League. Javët e fundit, në Ekuador ka patur një përshkallëzim të dhunës, pas trazirave të fundit që shpërthyen në gjashtë burgje në vend. Kjo situatë u pasua nga rrëmbime të shumta pas arratisjes së kriminelëve të rëndësishëm. Ditët e fundit u sulmua edhe një kanal televiziv dhe disa banda kriminale të financuara me para nga trafiku i drogës po vënë në provë sigurinë e popullatës.

PÁEZ ËSHTË I FAMSHËM NË EKUADOR

Blues vendosën kështu të ndërhyjnë drejtpërdrejt duke krijuar një kordon të vërtetë sigurie me roje personale rreth vogëlushit Kendry Pàez dhe familjes së tij. Kjo sepse pritshmëritë rreth xhevahirit ekuadorian janë shumë të mëdha, duke u kthyer në një yll të vërtetë. Në shkurt të vitit 2023, kur ishte vetëm 15 vjeç, ai udhëhoqi kombëtaren e tij në finale kundër Brazilit në kampionatin e Amerikës së Jugut U-17. Jo vetëm kaq: Pàez luajti edhe në Kupën e Botës nën 20 vjeç, duke u bërë golashënuesi më i ri në historinë e këtij turneu dhe më pas debutoi me kombëtaren e seniorëve, për kualifikueset e Botërorit 2026.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *