• |
ide | kryesore

Çoba gol në prekjen e parë të topit: Vllaznia thyen Teutën dhe arrin Partizanin

Sport, Video
Vllaznia



Rikthehet te fitorja Vllaznia, pas dy barazimeve radhazi, duke thyer 2-1 Teutën në sfidën e javës së 23 të kampionatit. Çoba i jep fitoren Osmanit me prekjen e parë të topit, 7 minuta nga fundi, ndërsa kuqeblutë e shtrijnë serinë pozitive në nëntë ndeshje. Dorëzohet Teuta, pikërisht kur u duk se me adoleshentin Arifi mund të kishte rrëmbyer një pikë në Loro Boriçi.

Një ndeshje që u luajt mbi të gjitha te kujdesi. Skuadrat studionin më tepër se kërkuan imponimin, me Osmanin që i trembej etjes për pikë të durrsakëve dhe Martini që njihte mirë ish-skuadrën e tij. Momenti i parë i rrezikshëm ishte edhe goli i avantazhit për shkodranët. Gruda shënoi në minutën e 26′, pas një pasimi të Stojanovic, por asistenti e anuloi dhe vetëm pas kontrollit në VAR u verifikua se goli ishte i rregullt.

Lexo më tejVideo/ Carës i anulohet goli, përjashtohet Vila: Dinamo përmbys Partizanin, fitorja e parë në 15 vjet në derbi

Në pjesën e dytë u duk se Vllaznia nuk dëshironte të kalonte rreziqe dhe ndoshta nuk do ti kalonte, nëse në minutën e 72′ Arifi shënoi me kokë, duke mundur Qarrin që u pengua jo pak edhe nga balta e terrenit. Asgjë nuk kishte mbaruar sepse Osmani luajti me kartën Çoba dhe sulmuesi në prekjen e parë të topit i dha të drejtë. Sulmuesi shënoi në minutën e 83’, duke vendosur ndeshjen.

Vllaznia ngjitet në kuotën e 37 pikëve, po aq sa Partizani i vendit të dytë, por qendron pas me diferencë golash. Teuta, në vendin e parafundit me 21 pikë, kthehet të shqetësohet.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *