• |
ide | kryesore

Lewa e Osimhen, ‘bishat’ e golit që synojnë kualifikimin në Champions: Arsenal ‘i tmerruar’ për Martinellin

F1, Sport
Arsenal



Me sfidën e tyre në 1/8 e Champions League të balancuar mirë pas ndeshjes së parë, Barcelona, kampione e Spanjës dhe Napoli kampion i Italisë do të takohen në Montjuic. Të dy yjet e sulmit të tyre goditën në shënjestër në Maradona, por përfundoi 1-1, duke krijuar një përleshje titanike në Katalonjë. Në rrezik për një tjetër dalje të parakohshme nga Champions, Arsenal kërkon të përmbysë një defiçit 1-0 kur Porto të mbërrijë në Emirates për ndeshjen e dytë të betejës së 1/8 në mbrëmjen e sotme. Të besuarit e Mikel Arteta ishin fare pranë barazimit pa gola, por u befasuan në minutën e fundit nga Galeno.

BARCELONA – NAPOLI

Që nga ndeshja e parë e shkurtit, problemet e dëmtimeve të Barcelonës janë shndërruar në diçka të përafërt me krizën. Frenkie De Jong (kavilje) dhe Pedri (kofshë) do të mungojnë të dy në formacionin titullar të blaugranave. Viktima e ACL-së, Gavi nuk është tashmë i disponueshëm, kështu që Andreas Christensen dhe Ilkay Gundogan mund të kompletohen nga Fermin Lopez në një mesfushë të improvizuar. Sikur të mos mjaftojë, Ferran Torres, Alejandro Balde dhe Marcos Alonso janë ende jashtë fushës. Prania e Raphinha është gjithashtu në dyshim, për shkak të një problemi në kavilje, por për fatin e teknikut Xavi rikthehet nga pezullimi Ronald Araujo.

Lexo më tejVideo/ Galeno trondit Arsenal, Porto rrëmben suksesin në shtesë: Osimhen i heq fitoren Barcelonës

Në Napoli, 16-vjeçari Lamine Yamal u bë lojtari më i ri që u shfaq në një ndeshje eliminatore të Champions League dhe tani do të synojë të jetë golashënuesi më i ri në historinë e kompeticionit. Më shumë se dyfishi i moshës së shokut të skuadrës, Robert Lewandowski do të udhëheqë sulmin për blaugranat, pasi është përfshirë në 18 gola në 12 paraqitjet e tij të fundit.

Me sytë nga Osimhen

Ndërkohë, goli i barazimit i Victor Osimhen kundër Barçës ishte goli i tij i nëntë në Championse dhe një tjetër do ta bënte atë lojtarin nigerian më produktiv në kompeticion, duke u shkëputur nga Obafemi Martins. Golashënuesi më i mirë i sezonit të kaluar duhet të kryesojë një tridhëmbësh ofensiv me Khvicha Kvaratskhelia dhe Matteo Politano. Jens Cajuste dhe Cyril Ngonge rrezikojnë me dëmtime në kofshë, ndërsa qendërmbrojtësi Amir Rrahmani çaloi kundër Juventus me një problem të ngjashëm dhe ishte një zëvendësues i papërdorur të premten mbrëma. Sidoqoftë të tre janë bashkuar me grupin dhe për ta Calzona do të vendosë në fund. Nëse kosovari nuk ia del, Leo Ostigard është gati ta zëvendësojë.

Në mesfushë, Piotr Zielinski duhet të zëvendësohet, pasi ai nuk është regjistrua në listat e UEFA-s për këtë fazë të kompeticionit pasi refuzoi të nënshkruajë një kontratë të re. Polaku pritet të bashkohet me Inter këtë verë.

FORMACIONET E MUNDSHME

Barcelona:
Ter Stegen; Kounde, Araujo, Martinez, Cancelo; Gundogan, Christensen, Lopez; Yamal, Lewandowski, Felix

Napoli:
Meret; Di Lorenzo, Ostigard, Jesus, Olivera; Anguissa, Lobotka, Traore; Politano, Osimhen, Kvaratskhelia

ARSENAL – FC PORTO

Tërmeti me gjashtë gola i Arsenal ndaj Sheffield United pati lajmin e keq të dëmtimit të brazilianit Gabriel Martinelli, që pësoi një prerje të keqe në këmbë. Lojtari është parë në Emirates me paterica gjatë fundjavës dhe shanset për t’u rikuperuar në kohë janë pothuaj zero. Takehiro Tomiyasu (shembje) mbetet gjithashtu një dyshim i madh, ndërsa Jurrien Timber është ende disa javë larg rikthimit të tij nga një dëmtim i ACL. Sidoqoftë, Gunners janë forcuar nga kthimi i Oleksandr Zinchenko nga një shqetësim në këmbë, në sfidën kundër Brentford.

David Raya e pa ndeshjen nga pankina kundër klubit të tij mëmë, por tani ka të drejtë të rimarrë vendin e tij në portë nga Aaron Ramsdale, i cili ishte fajtor për një gafë në pjesën e pare, që lejoi barazimin e Brentford. Portieri megjithatë e shpengoi veten me disa pritje të shkëlqyera në pjesën e dytë.

Kthehet Taremi, mbrojtja copë

Portos, nga ana tjetër, ka rikuperuar mbrojtësin e majtë Wendell, që u zëvendësua në fund të ndeshjes së pare për shkak të një kontrasti loje. Sidoqoftë, kjo nuk zgjidh problemet defensive të portugezëve, me Zaidu Sanusi dhe Ivan Marcano ende larg rikuperimit nga problemet e ACL-së. Prapavija e Dragao do të kontrollohet sërish nga veterani Pepe, i cili është ende i fortë në moshën 41-vjeçare, ndërsa Gabriel Veron po trajton një problem në tendinën e Akilit.

Tifozët e Portos mund të gëzohen për një lajm të mirë në frontin e dëmtimeve. Ylli i sulmit Mehdi Taremi pritet të përfshihet në ndeshje pasi humbi ndeshjen e parë me një shqetësim në kofshë. Sulmuesi me njëzet e një gola Evanilson nuk mund të lihet jashtë skuadre, kështu që Francisco Conceicao mund të sakrifikohet për të akomoduar rikthimin e iranianit Taremi.

FORMACIONET E MUNDSHME

Arsenal:
Raya; White, Saliba, Gabriel, Zinchenko; Odegaard, Jorginho, Rice; Saka, Havertz, Jesus

Porto:
Costa; Mario, Pepe, Otavio, Wendell; Varela, Gonzalez; Conceicao, Pepe, Galeno; Evanilson

Champions League Round of 16

21:00 Arsenal – FC Porto
21:00 Barcelona – Napoli



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *