• |
ide | kryesore

“Më kapi për gryke e më tha do të të vras”: Sergio Conceiçao akuzohet se sulmoi arbitrin e një turneu për fëmijë

Sport
Conceiçao



Stuhi polemikash mbi teknikun e Portos Sergio Conceiçao. Kryetari i bashkisë së Cartaya, Manuel Barroso, raportoi për Radio Antena Huelva se trajneri i Dragonjve u përpoq të sulmonte arbitrin që po drejtonte finalen e turneut ndërkombëtar për ekipet e fëmijëve, Copa Gafañote, në Huelva, mes Porto dhe Sevilla, ku një prej djemve të tij ishte në fushë. Kryebashkiaku dhe drejtori i garës kanë denoncuar Sergio Conçeicao, i cili përmes avokatëve të tij mohon gjithçka. Madje tekniku portugez ka denoncuar kryebashkiakun për tentativën për të sulmuar djalin e tij Moises Conceiçao.

ÇFARË NDODHI?

Kryetari i bashkisë dha versionin e tij të ngjarjeve. “Pas fishkëllimës së fundit më thirri një punonjës. Ai më tha se disa njerëz sapo kishin hyrë në fushë për të sulmuar arbitrin. Vrapova për ta ndihmuar, personi ishte gati të hynte në tunel. Para se të hynte, njëri prej tyre e goditi me shuplakë. Unë isha në mes duke bërë mburojë duke thënë se nuk hynin dot në fushë kështu. Me një qëndrim grotesk dhe arrogant më thanë: “Nuk e di me kë po flet”. Unë u identifikova si kryetari i Bashkisë Cartaya dhe i thashë: ‘Më falni, nuk duhet të hyni në fushë dhe të sulmoni askënd’. Më pas ata filluan të më shanin, të mos më respektonin. Më shtynë, më kapën nga fyti dhe u përpoqa të rezistoja duke i shtyrë derisa mbërritën autoritetet, Garda Civile”.

Lexo më tejKritika për një lojtarin e tij në TV: Conceicao telefon direkt në emision dhe e mbron

Politikani spanjoll, i cili paraqiti denoncimin, tha gjithashtu se kishte marrë kërcënime me vdekje. “Më vonë mora vesh se ishte trajneri i ekipit të parë të Portos. Kur e mora vesh, i thashë: “Nuk të vjen turp që si drejtues i këtij klubi nuk më respekton dhe madje më sulmon? Ai vazhdoi të mos më respektonte dhe madje më kërcënoi se do të më vriste”.

REAGIMI I CONCEIÇAO

Sipas A Bola, Conceiçao ka mohuar, nëpërmjet avokatëve të tij, çdo lloj sulmi dhe ka raportuar se versioni i kryebashkiakut është larg realitetit. Trajneri portugez konfirmoi se ishte i pranishëm në turneun në Spanjë, pasi njëri nga djemtë e tij luan në ekipin e të rinjve të Portos. Record specifikon se Conceiçao ka bërë një denoncim edhe kundër kryebashkiakut për akuzën e rreme për agresion. Sipas tij, ishte ai që nxiti tensionin, duke goditur një nga fëmijët e tij në gjoks. “Dje, menjëherë pas ngjarjeve, është bërë kallëzim penal ndaj kryebashkiakut Manuel Barroso për tentativë sulmi ndaj djalit të Sérgio Conceiçao (Moises Conceiçao). Ne hedhim poshtë akuzat e bëra nga vetë kryetari i bashkisë, të cilat nuk janë të vërteta”, lexojmë në një shënim të avokatit të trajnerit portugez.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *