• |
ide | kryesore

BIRN: PS vë në pikëpyetje vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Xhaçkën

Arkiva, Lajme, Të fundit
Kushtetuese



Pas zvarritjes prej më shumë se një viti të zbatimit të vendimit për mandatin e deputetes Olta Xhaçka, kryetarja e Kuvendit tha se çështja do votohet të enjten pa e qartësuar se çfarë, ndërsa socialistët hodhën hije dyshimi mbi vendimarrjen e Gjykatës Kushtetuese.

Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin nuk arriti të merrte një vendim të hënën për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili i kërkon Kuvendit që të dërgojë për shqyrtim pranë kësaj gjykate papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka.

Kjo gjykatë e cilësoi antikushtetues vendimin e mëparshëm të Kuvendit, që rrëzonte një mocion të opozitës për mandatin e Xhaçkës, pasi bashkëshorti i saj, biznesmeni Artan Gaçi, fitoi statusin ‘investitor strategjik’ dhe iu dha e drejta e përdorimit të bregdetit për 30 vite me vendim qeverie.

“Çështja do të çohet për votim në seancë plenare të enjten” – tha kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla në fund të mbledhjes së këshillit, por pa qartësuar nëse do të votohej dërgimi i çështjes për interpretim në Kushtetuese, siç e kërkon vendimi i kësaj gjykate, apo do të votohej rrëzimi për herë të dytë i mocionit të 1/10 së deputetëve të opozitës.

Sipas Nikollës, seancës do t’i propozohej një ‘raport’ që Këshilli i Mandateve do të hartonte deri të mërkurën.

Ndërkohë, gjatë mbledhjes disa anëtarë socialistë lanë të kuptohej se shumica mund të vendoste në kundërshtim me vendimin e gjykatës. Kryetari i grupit parlamentar socialist, Bledi Çuçi, vuri në pikëpyetje vendimin e kësaj gjykate duke e cilësuar atë si “konflikt të hapur të arsyetimit kushtetues”.

“Në të gjithë vendimmarrjen e tij, Kuvendi është sovran, por disa gjyqtarë kanë arsyetuar se 1/10 ka të drejtën ta çojnë një çështje në Gjykatë Kushtetuese dhe qenka i detyruar çdo deputet i Kuvendit, që është sovran, të votojë sipas 1/10” – tha ai, duke iu referuar mendimit të pakicës dhe shumicës së anëtarëve në vendim.

“Kemi dhe disa gjyqtarë që thonë se nuk është detyruese kërkesa e 1/10 për të çuar çështjen në gjykatë,” shtoi më tej ai, duke pretenduar se e vetmja pasojë e vendimit të gjykatës është krijimi i një “vakuumi ligjor”.

Por arsyetimi i Çuçit u kundërshtua nga anëtarët e opozitës, sipas të cilëve, sjellja e mazhorancës po krijonte “një grusht shteti” me refuzimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

“U duhen edhe 48 orë për të kuptuar nëse e ka lëshuar apo jo Rama Olta Xhaçkën,” – tha kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi.

Ai akuzoi mazhorancën se po vijonte mbrojtjen politike ndaj koleges së tyre deputete.

“Raporti ynë është gjetur kushtetues, i përcillet seancës, miratohet nga të gjitha palët dhe çështja dërgohet për shqyrtim në themel në Kushtetuese,” argumentoi me tej ai, duke iu referuar vendimin të GJK-së dhe praktikës së mëparshme parlamentare.

Ndërsa deputeti Ervin Salianji tha se nëse mazhoranca në pushtet refuzon zbatimin e vendimeve të Gykatës Kushtetuese, ky do të ishte “një grusht shteti”.

Në janar të vitit 2023, Kushtetuesja duke i dhënë përgjigje një padie të deputetëve të PD-së rrëzoi si antikushtetues vendimin e Kuvendit për të mos dërguar çështjen pranë kësaj gjykate dhe i kërkoi Kuvendit që të vendosë për të kundërtën.

Por, zbatimi i këtij vendimi po zvarritet nga mazhoranca me justifikime të ndryshme.

Edhe vetë kryetarja e Gjykatës Kushtetuese apeloi që vendimet e kësaj gjykate janë përfundimtare dhe të zbatueshme. “Të vësh në pikëpyetje zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është e paimagjinueshme në një shtet ligjor,” – tha Zaçaj disa javë më parë e pyetur për moszbatimin nga ana e Kuvendit të vendimit për çështjen “Xhaçka”.

Kushtetuta parashikon që asnjë deputet nuk mund të përfitojë të mira publike dhe se ai humbet mandatin në momentin që Gjykata Kushtetuese del në këtë përfundim. /Marrë nga Reporter.al



4 Comments

  1. Qëllimi ishte së pari që Berisha të shkonte në zyrat e Kuvendit, dhe të konsiderohej që kishte marrë pjesë në punimet e Kuvendit duke thyer mungesën gjashtë mujore që mund t’i rrezikojë mandatin dhe së dyti t’i jepej mesazh Gjykatës së Apelit që do merrte sot vendimin për masën e sigurisë së Berishës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *