• |
ide | kryesore

Zgjedhjet/ Europa po futet në fazën “Trump”

Arkiva, Kryesore, Lajme


Politikani gjerman i ekstremit të djathtë Oliver Kirchner i bëri një propozim të papritur militantëve të partisë së tij për lëvizjet e pritshme të tregut në Gjermani: “Investoni në pelena!”.

Logjika e tij? Projeksionet e Alternativës së ekstremit të djathtë për Gjermaninë (AfD) i kishte tronditur aq shumë “partitë e vjetra”, sa që establishmenti tani… po e bën në brekë.

Por kur i lë mënjanë batutat e pamatura, Kirchner, një nga përfaqësuesit kryesorë të AfD-së e ashpërson tonin e zërit të tij. Siç foli gjatë një takimi me pyetje dhe përgjigje me ndjekësit e partisë së tij në qytetin lindor të Magdeburgut muajin e kaluar. “Është koha, tha ai,- për t’i braktisur partitë tradicionale dhe për t’u dhënë atyre atë që meritojnë “për atë që i kanë bërë këtij vendi, për atë që i kanë bërë qytetarëve dhe për atë që i kanë bërë Volk”.

Kudo në Evropë, e djathta radikale është në rritje. Zgjedhjet e Parlamentit Evropian të kësaj jave do të zbulojnë se sa.

Në Francë, partia e ekstremit të djathtë National Rally është në rrugën e duhur për të marrë një të tretën e votave, më shumë se dyfishi i mbështetjes së rivalit të saj më të afërt, partisë së presidentit Emmanuel Macron. Në Gjermani, megjithë një sërë skandalesh, AfD shkon në vendin e dytë, përpara çdo partneri në koalicionin qeverisës të kancelarit Olaf Scholz. Në Itali, partia e krahut të djathtë të kryeministres Giorgia Meloni, Vëllezërit e Italisë, është shumë përpara grupit të ndjekjes.

Me rezultate të ngjashme që priten në shumë nga vendet më të vogla të Bashkimit Evropian, Parlamenti i ardhshëm Evropian parashikohet të ketë më shumë anëtarë nga e djathta ekstreme sesa nga forca historikisht dominuese e dhomës, Partia Popullore Evropiane konservatore kryesore.

Marine Le Pen dhe kandidati për zgjedhjet europiane, Jordan Bardella
Marine Le Pen dhe kandidati për zgjedhjet europiane, Jordan Bardella

Në një kontinent që është krenuar se ia ka dalë të zhbëjë fantazmat e Hitlerit, Musolinit dhe Frankos, rishfaqja e së djathtës radikale si forcë politike po vjen si një tronditje. Ndërsa partitë populiste, nacionaliste të Evropës ka të ngjarë të mbeten shumë të ndara për të kapur pushtetin pas numërimit të votave të dielën mbrëma, fakti i thjeshtë i suksesit të tyre do të shkaktojë një pështjellim politik të ngjashëm me atë që shkaktoi zgjedhja e Donald Trump si president i SHBA-së në 2016. Rezultatet në Parlamentin Evropian, në fund të fundit, shërbejnë si një barometër se ku po shkon politika kombëtare në disa nga kryeqytetet më të rëndësishme të Evropës.

Pesë vjet më parë, një “valë e gjelbër” në zgjedhjet e Parlamentit Evropian i nxiti liderët e kontinentit të nisin një ristrukturim epokal të ekonomisë që synon ta bëjë Bashkimin Europian më neutral ndaj klimës deri në vitin 2050. Këtë vit, batica po rrjedh në drejtim të kundërt. Një performancë edhe më e fortë e partive, që dikur shmangeshin si tepër toksike për të bashkëpunuar, ka të ngjarë të ketë një efekt edhe më të madh, pasi liderët politikë të Evropës kuptojnë se e djathta radikale nuk është më para dyerve – ajo është brenda pallatit dhe nuk mund të injorohet më.

Çfarë fshihet pas ringritjes së ekstremit të djathtë

Në një mbrëmje jo shumë kohë më parë në qytetin belg të Dworp, Tom Van Grieken, kreu i partisë së ekstremit të djathtë Vlaams Belang pati një dalje fantastike në publik. Partia e tij – e cila dëshiron të ndajë rajonin flamand të Belgjikës në një shtet të pavarur – merr një pjesë të madhe të mbështetjes së saj nga të rinjtë e etur për ndryshim.

“Ju thjesht e ndjeni atë, ne jemi shpresa e kaq shumë njerëzve flamandë,” tha Van Grieken. “Çfarë po bëjnë këta politikanë? Marrëzi gjinore, çmenduri klimatike dhe – “oh jo” – fundi i botës. Ata nuk po i kushtojnë vëmendje asaj që shqetësohen gjithnjë e më shumë flamandët: Jo fundi i botës, por financiarisht fundi i muajit”.

Ekstremistët kryengritës të Evropës kanë shumë emra: të djathtë ekstrem, të djathtë radikal, të djathtë, euroskeptik, populist. Kritikët e tyre i quajnë fashistë ose autoritarë. Ata preferojnë ta përshkruajnë veten si konservatorë, sovranistë, nacionalistë – madje edhe demokratë.

“Evropa duhet të ndalojë së foluri për të djathtën ekstreme,” tha Gerolf Annemans, një anëtar i Vlaams Belang dhe president i partisë së ekstremit të djathtë Pan-Kontinental European Identity and Democracy. “Nëse shikoni politikat, nëse shikoni se ku jemi në pushtet, ne nuk jemi më në skajet e politikës. Tani jemi qendra e djathtë”, shtoi ai.

E djathta radikale vjen me shije të ndryshme, por ajo që e bashkon është një këndvështrim mbi botën që ka si pikë referimi një shtet-komb etnik, armiqësia ndaj emigrantëve, veçanërisht nëse ata janë myslimanë, dhe skepticizmi ndaj organizatave ndërkombëtare si BE-ja, Shtetet e Bashkuara. Kombeve dhe, në disa raste, NATO-s.

Disa politikanë të së djathtës radikale janë flamurtarë të lirisë së tregut, por më shumë përkrahin një shtet të fortë dhe protektiv – të paktën kur bëhet fjalë për ata që i konsiderojnë qytetarë. Përveç fraksionizmit që i mundon të pasionuarit pas të djathtës, Rusia është pika më e madhe e ndarjes. Disa parti, si AfD ose Partia e Lirisë në Austri, janë tifozë të hapur të presidentit rus Vladimir Putin. Të tjerë si Vëllezërit e Italisë së Melonit ose partia e Ligjit dhe Drejtësisë në Poloni janë, për arsye bindjeje apo rrethanash, ndër kundërshtarët e tij më të vendosur.

Edhe pse e djathta radikale i tejkalon skajet, ajo po tërheq vota nga pjesë të mëdha të shoqërisë. Mbështetësit e saj përfshijnë fermerë dhe punëtorë që fajësojnë politikat e BE-së për zhdukjen e mjeteve të tyre të jetesës dhe votuesit e klasës së mesme, që shqetësohen për emigracionin dhe shpërndarjen e asaj që ata i konsiderojnë vlerat tradicionale. Ato përfshijnë gjithnjë e më shumë të rinj të shqetësuar për rritjen e kostos së jetesës, ose thjesht të magjepsur nga risia e radhës.

Migrimi luan një rol qendror në joshjen që ofron e djathta, por po ashtu edhe çështjet e luftës kulturore si aksesi në abortin ose të drejtat e LGBTQ+. Kohët e fundit, partitë populiste të Evropës kanë shtuar zemërimin mbi rregulloret mjedisore në listën e tyre të çështjeve të nxehta.

AfD në Gjermani, ose Partia e Lirisë në Austri janë admirues të hapur të presidentit të Rusisë, Vladimir Putin Getty Images
AfD në Gjermani, ose Partia e Lirisë në Austri janë admirues të hapur të presidentit të Rusisë, Vladimir Putin Getty Images

Vrullin e të djathtës radikale e kanë shtuar edhe disa alternativave tërheqëse që iu janë ofruar votuesve. Zakonisht në kohë paqëndrueshmërie – luftëra, pandemi, pasiguri ekonomike – votuesit dynden drejt partive tradicionale të pushtetit. Por në shumë vende, ato parti janë shpërbërë. Për dekada, e djathta dhe e majta evropiane kanë luftuar për hapësirën në qendër dhe si dy boksierë të bërë fërtele nga grushtet, ata janë shembur, duke e lënë arenën të hapur për sfidues të rinj.

Në raundin e fundit të zgjedhjeve evropiane, kjo situatë i dha mundësi shpërthyese kryengritësve liberalë si Macron në Francë apo të Gjelbërit në Gjermani. Këtë herë, ata që hyjnë në qendër të unazës vijnë nga ana tjetër e llogoreve politike në zhvillim të kontinentit.

Ardhja e së djathtës radikale në skenën evropiane do të ketë një ndikim afatgjatë. Besnikëria politike e krijuar në moshë madhore të hershme ka tendencë të zgjasë jetëgjatësinë e një force politike. Dhe ndryshe nga Shtetet e Bashkuara, ku mbështetja për Trump dhe republikanët e tij MAGA është e përqendruar tek të moshuarit; në Evropë, kryengritësit kanë kapur gjithashtu votën e të rinjve – me gjasë duke u mbështetur në dekadat e ardhshme.

E djathta radikale çan përpara

Ishte një ditë janari e vrenjtur në Agen, një qytet i vogël në Francën jugperëndimore, kur dhjetëra traktorë u shfaqën në horizont me synimin e qartë; për të shkaktuar zhurmë dhe telashe. Për ditë të tëra, fermerët dogjën goma dhe derdhën pleh organik në hyrjen e bankave të qytetit dhe ndërtesa të tjera publike. “Nëse kjo është ajo që duhet për të marrë një reagim, ashtu u bëftë,” tha Aurélie Armand, një fermere dhe udhëheqëse lokale e protestës.

Taksat e larta dhe rregulloret mjedisore, tha ajo, u bënë shkak për shpërthimet e zemërimit nga komunitetet bujqësore në të gjithë kontinentin. Për të mos mos lënë asnjë dyshim se kush e kishte fajin, protestuesit i vunë flakën një flamuri evropian, që lëshoi tym të zi në qiellin e bardhë.

Për dekada, liderët e partive kryesore politike besonin se mund ta mbanin të djathtën radikale krejtësisht jashtë skenës politike. Duke krijuar atë që francezët e quajnë një kordon sanitar – ose mur zjarri – ata thjesht refuzuan të mbështeteshin në votat e tyre për të formuar një qeveri ose për të përshtatur legjislacionin. Në vitin 2000, kur Jörg Haider, udhëheqësi i Partisë së Lirisë së ekstremit të djathtë të Austrisë, iu bashkua një qeverie koalicioni, liderët e tjerë të BE-së reaguan me tërbim, duke iu shmangur diplomatikisht vendit për muaj të tërë.

Votuesit, në pjesën më të madhe, u pajtuan me këtë distancë higjenike. Pavarësisht se sa vota morën liderët e ekstremit të djathtë të Francës si Marine Le Pen ose babai i saj në raundin e parë të zgjedhjeve, qytetarët nga të gjitha shtresat e tjera të spektrit u mblodhën kundër tyre në raundin e balotazhit, për t’i mbajtur larg.

Në Portugali, partia e të djathtës Chega, që do të thotë "Mjaft” u mbështet në frustrimin e të rinjve për problemet e strehimit
Në Portugali, partia e të djathtës Chega, që do të thotë “Mjaft” u mbështet në frustrimin e të rinjve për problemet e strehimit

Sot, kordon sanitari është këputur. Partitë e djathta radikale janë në pushtet ose mbështesin qeverinë në shtatë nga 27 vendet e BE-së, duke përfshirë Italinë, Suedinë, Hungarinë dhe Republikën Çeke. Holanda është gati të bashkohet me radhët e tyre, me frenat e zjarrit anti-islamik që i mban në duar Geert ëilders.

Në Austri, trashëgimtarët e Partisë së Lirisë së Haider janë përpara në votime, ndërsa zgjedhjet janë planifikuar më vonë këtë vit. Nëse ata marrin pushtetin në Vjenë, një e treta e qeverive kombëtare të BE-së do të mbështeten tek e djathta ekstreme për mbijetesën e tyre.

Ashtu si në SHBA, ku zgjedhja e Trump shihet gjerësisht si licencë për të përqafuar pikëpamje politike që dikur mund t’i kishin konsideruar shumë ekstreme, ngritja e së djathtës radikale evropiane ka lëvizur të ashtuquajturën Dritarja Overton, gamën e ideve që konsiderohen të pranueshme për t’u diskutuar.

Edhe para se të hynte në sallat e pushtetit, e djathta ekstreme kishte ndryshuar trajektoren e politikës evropiane. Vetë kërcënimi i rritjes së saj e ashpërsoi politikën për migracionin dhe i frikësoi partitë centriste që të moderonin përpjekjet për të shpëtuar planetin. Rezultatet e kësaj javedo t’i japin formë lehtësisht diskutimit mbi mbështetjen për Ukrainën dhe mbi politikat sociale si mbështetja për aksesin ndaj aborteve ose të drejtat e LGBTQ+.

Roli i Hungarisë është një shembull ilustrues se çfarë mund të bëjë e djathta kur ka një zyrë të rëndësishme. Megjithëse vendi është relativisht i vogël, me më pak se 10 milionë banorë, kryeministri Viktor Orbán ka luajtur një rol bllokues në Bruksel, duke ndërprerë përpjekjet e BE-së për të rishpërndarë azilkërkuesit dhe për të mbështetur Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë.

Mbi çdo diskutim për riorganizimin politik të Evropës qëndron Franca, ku dy partitë më të mëdha të ekstremit të djathtë parashikohet të marrin rreth 40 për qind të votave në zgjedhjet e kësaj jave, sipas sondazheve të POLITICO. Nëse rezultatet konfirmohen të dielën, do të ngrejë pyetjen nëse votuesit janë të gatshëm t’i japin të djathtës radikale një shans në presidencë kur të shkojnë në qendrat e votimit në vitin 2027.

Vëllezërit e Italisë, të Xhorxhia Meloni mund të jenë partia më e madhe e përfaqësuar në Grupin Konservator
Vëllezërit e Italisë, të Xhorxhia Meloni mund të jenë partia më e madhe e përfaqësuar në Grupin Konservator

Ngjitja e Melonit në Itali tashmë ka zhvendosur politikën evropiane për çështje si migrimi. Por ndërkohë që kryeministria italiane ka hyrë në hullitë e duhura për çështje si mbështetja për NATO-n dhe Ukrainën, pak besojnë se një Presidente Le Pen do të bënte të njëjtën gjë.

Udhëheqësja e ekstremit të djathtë është zotuar të heqë Francën nga komanda e integruar ushtarake e NATO-s dhe bëri thirrje që BE-së t’i hiqen shumë nga kompetencat e saj. Një raport parlamentar francez i vitit 2023 akuzoi partinë e saj se shërbente si zëdhënëse për Kremlinin. Nëse Le Pen ose një lideri tjetër të ekstremit të djathtë do t’i jepen çelësat e Pallatit Elysée, BE-ja mund të bëjë jo thjesht një kthesë të papritur dhe ndoshta të pakthyeshme djathtas – ajo mund të fillojë të shpërbëhet.

Shqetësimi i vërtetë për të djathtën radikale

Në ngjarjen e AfD-së në Magdeburg, Kirchner dhe kolegët e tij të partisë e portretizuan Gjermaninë si në një gjendje pothuajse kataklizmike rënieje. Elitat politike, në përshkrimin e tyre, kishin lënë vendin të pushtohej nga azilkërkuesit, kishin futur politika të gjelbra që sollën deindustrializimin e ekonomisë dhe po ndiqnin politika luftarake ndaj Rusisë që rrezikonin të tërhiqnin Gjermaninë në luftë.

Kirchner i portretizoi përpjekjet e politikanëve “mainstream” për ta quajtur partinë si antidemokratike si pjesë e një komploti të madh për të shtypur vullnetin e popullit gjerman, duke e deklaruar se qeveria aktuale është më e keqe se Stasi, policia sekrete e Gjermanisë Lindore.

Ne jemi ata që me të vërtetë po përpiqemi të shpëtojmë demokracinë në këtë vend,” tha ai.

Ashtu si me Trump, pyetja më e rëndësishme për të djathtën radikale të Evropës nuk është se çfarë do të bëjë me fuqinë e saj. Është nëse do të heqë dorë ndonjëherë.

Shumë nga partitë e së djathtës radikale në Evropë mbajnë në ADN-në e tyre regjime pa dyshim jodemokratike. Björn Höcke, lideri i AfD-së në shtetin lindor gjerman të Turingisë, u gjobit kohët e fundit për përdorimin e një slogani të ndaluar nazist. Në Itali, Roberto Vannacci, një kandidat për partinë e ekstremit të djathtë Liga, u ka kërkuar votuesve që të shënojnë fletëvotimet e tyre me një numër romak X, një referencë për Xª MAS – ose La Decima – një njësi e ushtrisë së Benito Musolinit e famshme për kryerjen e reprezaljeve kundër civilëve pas sulmeve partizane. Partia e Lirisë së Austrisë u themelua në vitet 1950 nga një ish gjeneral SS.

Hollanda ka një marrëveshje qeveritare për një qeveri të djathtë
Hollanda ka një marrëveshje qeveritare për një qeveri të djathtë

Hungaria, ku Orbán ka qenë kryeministër që nga viti 2010, përsëri ofron një vështrim se asaj që mund të vijë. Qeveria është akuzuar për minimin e gjyqësorit, gërryerjen e lirisë së medias dhe manipulimin e sistemit zgjedhor. Sipas një raporti të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), zgjedhjet më të fundit të vendit në vitin 2022 “u dëmtuan nga mungesa e një terreni të barabartë loje”.

Disa shqetësohen se Roma po ndjek hapat e Budapestit. Meloni dhe aleatët e saj kanë ngritur padi për shpifje kundër kritikëve të krahut të majtë në media. Gazetarët në transmetuesin shtetëror RAI kanë akuzuar administratën e saj për “përpjekje për ta kthyer RAI në një zëdhënës të qeverisë”. Ajo po kërkon gjithashtu të kufizojë fuqinë e gjyqësorit dhe të rishkruajë kushtetutën për të fuqizuar kryeministrin dhe për të dobësuar aftësinë e presidentit për të mbajtur qeverinë nën kontroll.

Ndërsa qeveritë e mëparshme italiane kanë bërë propozime të ngjashme dhe janë përballur me akuza të ngjashme, veprime si këto kumbojnë ndryshe kur logoja elektorale e partisë në pushtet është flaka trengjyrësh, një simbol i përdorur nga partia politike neofashiste e formuar nga ish-shefi i kabinetit të Musolinit në fund të Lufta e Dytë Botërore.

Pavarësisht nëse është koha për të investuar në pelena apo jo, Kirchner, politikani i ekstremit të djathtë, kishte të drejtë kur tha se partitë kryesore të Evropës duhet të shqetësohen. Pyetja që do të marrë përgjigje në muajt dhe vitet e ardhshme është nëse ata ishin mjaftueshëm të shqetësuar./Artikul i Politico.eu përshtati Lapsi.al


3 Comments

  1. Ne qytetet e medhaja te Gjermanise shumica e pasagjereve ne metro jane persona jo Europiane. Pak a shume e nejta gje eshte dhe ne Paris dhe Rome, Amsterdam, ku shumica e personave Europiane qe shikon rruges jane turista.
    Eshte e trishtushme ta shikosh Europen te katandiset ne kete gjendje. Te gjitha shtetet duhen te ndjekin shembullin e Danimarkes.

  2. “Ata kanë agjendën e Berishës. Është shumë qartë, e vetmja gjë që kërkohet është Sali Berisha. Kjo që ndodhi sot m’u duk si një funeral i mandatit të Berishës. Po vjen dita kur Berisha duhet të dorëzojë mandatin dhe e gjitha ishte parafunerali i atij mandati, i cili për fatin e keq të Shqipërisë, ka rrënuar vendin prej 30 vjetësh.

    1. Po vjen dita Kur tradhetaret qe shiten Shqiperine te Meloni dhe ndyne kete vend do varen dhe do digjen me acid

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *