• |
ide | kryesore

Prestigjatori me dy fjalime në xhep

Arkiva, Ide
IMG_20150512_224333_19-1.jpeg



Paraqitja e Ramës me një fjalim të shkruar enkas për dështimin e takimit të tij me Bashën, nuk është thjeshtë shenja e vanitetit të njeriut që do të shkëlqejë me çdo çmim. Fakti se ai ka shkuar drejt pallatit të kongreseve, ashtu sikurse pohoi vetë, me dy tekste të gatshme, në njërin xhep me atë të fitores dhe në xhepin tjetër me atë mosmarrëveshjes, nuk ka të bëjë as me difektin tashmë të njohur të prioritetit të formës përpara thelbit.

Megjithëse ky fakt tregon shumë, megjithëse ai flet për përgatitjen shpirtërore dhe psikologjike që ka pasur kryeministri për të arritur një kompromis për reformën në drejtësi, megjithëse ai thekson patologjinë për të bërë show, megjithëse ai dëshmon edhe njëherë se më shumë i intereson fjala që do të thotë, sesa vepra që do të kryejë, ai përsëri nuk mund të quhet një akt i pamenduar.
 
Po të shihet me kujdes mënyra se si e menaxhoi Rama periudhën e pas takimit, me një fjalim të gjatë për të fajësuar PD, se nuk e do reformën në drejtësi, dhe më pas me një dalje të kalkuluar në Top Story, kuptohet më mirë qëllimi i tij. 
 
Ai ka vajtur drejt takimit me Bashën, jo vetëm i bindur se kjo përballje, që më kot zgjati tre orë, do të dështonte, por edhe me bindjen e dytë (madje më të madhe se e para) se ky dështim duhej shfrytëzuar.
 
Rama e përdori këtë "ngjarje historike" për të shpëtuar nga halli i madh ku gjendej ditët e fundit.
 
Po t'i hedhësh një sy kronikave të këtij fillim qershori e kupton qartë se pushteti i Ramës po vizatohej më zi se kurrë. Skandali i Shukriut dhe të ngjashmit e tij që thuhet se do t'i pasojnë, lidhjet e të emëruarve të tij me trafikun e drogës dhe krimin ndërkombëtar, por sidomos efektet e para të ligjit të dekriminalizimit, e kishin vënë qeverisjen në një hall të madh. 
 
Në çdo gjë që thoshte dhe që bënte, kryeministri dukej po aq qesharak sa i mbrojturi i tij kavajas, Elvis Roshi, që u bë barcaletë me dorëheqjet nga dorëheqjet e veta.
 
Publikimi serial i deklaratave që mbronin pafajësinë, ndryshimin e emrit, madje dhe dëbimin e Roshit apo shokëve të tij, u bë hit në rrjet.
 
Për disa ditë me radhë Edi Rama u shndërrua në simbolin e kësaj aradhe, sa të kriminalizuar po aq dhe humoristike, sa të frikshme aq edhe të trishtë, që ai vetë e kishte shpënë në frontin e parë të rilindjes.
 
Nga ana tjetër, PD dukej sikur po korrte punën e saj një vjeçare. Dalja e fakteve për kriminelët e Ramës, jo vetëm shënonte të parin sukses të vërtetë të Bashës në krye të PD, por ajo i jepte të drejtë edhe tezave të opozitës.
 
Prandaj me sa duket Rama nxitoi që pikës së tij më të errët t'i mbivendosë handikapin më të madh të kundërshtarit.
 
Ai e dinte se Berisha nuk e do këtë reformë, se ai nuk do ta lejonte kurrë Bashën të shkonte drejt miratimit ta saj. 
 
Prandaj ai e thirri këtë takim, për të nënvizuar se edhe kur shumica tërhiqet, opozita shton kushte të reja, se edhe kur ajo "dorëzohet" dhe në vend të 3/5 jep 2/3-tat, Berisha, që e ka kërkuar këtë prej një viti, nxjerr pretekstin e ri të "vendeve të rezervuara".
 
Qëllimi i Ramës qe i qartë.
 
Ai donte të tregonte fort se ai e do reformën dhe Basha jo.
 
Se ai është aleat me ndërkombëtarët, ndërsa PD kundër tyre.
 
Se ai është toleranti që jep kompromis, ndërsa kundërshtarët qëndrojnë të paepur në kullën e izolimit.
 
Pra shkurt, i gjithë qëllimi i Ramës në takimin e së hënës, qe që të mbyllte temën e skandaleve dhe atë të kriminelëve të vet, duke hapur përmes një takimi butaforik, ata të reformës në drejtësi, ku opozita del më keq.
 
Me këtë lëvizje të menduar, ai jo vetëm fashiste vëmendjen e bashkëqytetarëve të vet, por rrekej t'u tregonte ndërkombëtarëve se kush është partneri i tyre real në vend.
 
Pikërisht për këtë qëllim, ai shkoi në takimin me Bashën me një tekst të gatshëm në xhep. Pikërisht për këtë ai u shfaq live ne Top Channel në mbrëmje.
 
Me shpresën se mëkati i madh i opozitës me reformën, do të shplante, sëpaku përkohësisht, diskreditimin e pandalshëm të Rilindjes së tij. /Lapsi.al/