• |
ide | kryesore

Pse nuk i besoj atyre që tha Rama për Trump

Arkiva, Ide
bejtje.jpg



Unë jam nga ata që e shoh me skepticizëm fitoren e Donald Trump, për shumë arsye që e shohin dhe shumë njerëz të tjerë, brenda Amerikës dhe jashtë saj dhe ndoshta po të kisha mundësi të votoja, nuk do të ma bënte zemra të votoja për të, por as për Klinton.

Kjo, jo për faktin se nëpër rrjete sociale qarkulluan disa teza antishqiptare të Trump, teza që në fakt nuk u vërtetuan kurrë, po kryesisht për gjuhën e tij, dhe disa nga tezat e tij, që në të gjitha aspektet, nuk hyjnë në poret e formimit tim kulturor.

Por, ndryshe nga kryeministri ynë, që guxon t’i japë mend amerikanëve, dhe për më tepër në emër të banakut të Evropës, se për kë të votojnë; unë nuk marr as guximin më të vogël të hy nën lëkurën e një amerikani të thjeshtë që ka votuar për Trump. Nuk paragjykoj askënd dhe nuk duartrokas askënd.

Fitorja e Trump, padyshim do sjellë ndryshime në të gjithë Botën dhe sigurisht edhe në Shqipëri. Do të sjellë ndryshime, i bën apo nuk i bën zoti Trump të gjitha ato që thotë: do të sjellë ndryshime mbi të gjitha sepse Trump fitoi i vetëm. Fitoi i vetëm kundra një establishmenti të konsoliduar lokalisht dhe ndërkombëtarisht, fitoi i vetëm kundra medies kombëtare madje dhe ndërkombëtare, fitoi i vetëm kundra sondazhistëve, analistëve, fitoi madje dhe pa ndihmën e partisë së vet. Theu çdo parashikim, çdo rregull, çdo teori, duke bërë që jo vetëm amerikanët, por edhe ne të zbulonim një Amerikë që nuk e kishim njohur.

Nuk marr as përsipër të analizoj rreziqet që mund të sjellë fitorja e Trump për të gjithë botën dhe as të mirat nëse mund të ketë. Madje tani për tani, besoj se e kemi të pamundur as të portretizojmë si do jenë marrëdhëniet jo vetëm tonat me Amerikën, por edhe të Kosovës dhe gjithë shqiptarëve kudo që janë më Amerikën: sa do ngjizen si do forcohen, në çfarë drejtimi.

Sigurisht, nuk i besoj Kryeministrit tonë përpara se Trump të zgjidhej President, ku edhe dhe anglisht dhe shqip, shprehej se fitorja e Trump do të cenonte seriozisht marrëdhëniet e shqiptarëve me Amerikën, por i besoj më shumë deklarimit të kryeministrit pas fitores së Trump se marrëdhëniet do forcohen.

Do forcohen, por jo për arsyet që mund të mendojë Kryeministri, Ambasadori amerikan, apo dhe shumë të tjerë: do forcohen se mënyra e pavarur me të cilën Trump mori karrigen e numrit 1 në botë, do sjellë dhe pavarësinë më të madhe të Tiranës nga Uashingtoni.

Trump tha se 8 nëntori ishte dita e Pavarësisë për Amerikën, dhe është e qartë që e kishte për atë establishment, kundra të cilit fitoi i vetëm, kundra atij establishmenti që përdori Kryeministrin tonë, të vetëpërdorur me dëshirë për të sharë Presidentin e ri të Amerikës nga dritarja e Evropës.

Po është e vërtetë, jemi përpara shumë të papriturave ndoshta dhe përpara rreziqeve reale të një epoke të re me shumë pikëpyetje e ndoshta dhe me shumë ankthe. Por një gjë është e sigurt, sot më 8 Nëntor 2016, pikërisht prej Donald Trump Shqipëria është më e pavarur dhe për këtë për momentin: Faleminderit Donald Trump.

SYRI.net