• |
ide | kryesore

Edi, të lutem hesht! (njëherë të vetme)

Arkiva, Ide
ANDI_BUSHATI_PORTRET.jpg



Edi Rama edhe mund të heshte. Të shmangej. Të bënte sikur asgjë nuk kishte ndodhur. Të mjaftohej vetëm me atë mesazhin e postuar ne Facebook, duke besuar se çudia më e madhe nuk zgjat më shumë se tre ditë.

Në fund të fundit, asgjë e rëndë nuk kishte ngjarë.

Askush nuk i kishte marrë seriozisht deklaratat e tij të prillit të shkuar se Amerika kërcënohej nga fitorja e Trampit. Shumëkush e pati përqeshur, kur thoshte se marrëdhëniet SHBA- Shqipëri mund të përkeqësoheshin.

E kishin mëshiruar, si një njeri, të cilit vendi i vogël që drejton, nuk i përputhet me përmasat gargantueske të delirit dhe ekzibicionit.

Ia dinin hallin.

Pas pak ditësh do udhëtonte për në Shtëpinë e Bardhë. Aty i kishin organizuar një takim rutinë. Një dorështrëngim me Obamën, një cekje në zyrën ovale dhe një foto për t'u mburrur përpara grigjës së pakët që qeveris.

Por, ai duhet të bënte diçka më shumë.

Duhet të gjente një mënyrë për të rënë në sy. Dhe për këtë nuk kishte mjet më të mirë sesa të sulej furishëm kundër një kandidati populist, gënjeshtar, misogjen, racist, ksenofob dhe arrogant. Atë nuk e donte as establishmenti, as mediat e mëdha. Për më tepër nuk kishte as gjasa të fitonte.

Prandaj, po ta vendoste si target, mund të qe një fabul e mirë për të rënë në sy të Obamës; qe një mënyrë t’u shkëputur nga pesha e mospërfilljes që mban në supe lideri i një vendi liliput, por që paradoksalisht ka oreksin e një intelektuali europian dhe ambicien e një artisti të galerive me renome. 

Në fakt kështu bëri. Dhe nuk është se nuk ngjalli interes përtej Atlantikut. Shkroi New  York Times, e intervistoi CNN.

Por, këtu, në vendin e tij përsëri nuk e morën seriozisht. Do të mashtrojë ata që se njohin- menduan. Ashtu siç bën tek ne me ambientalistët, kur u thotë se "jam mafioz po importova plehra". Ashtu siç përkëdhel ish partizanët, që dikur i akuzonte se kanë bërë luftë civile.  Ashtu siç gënjen kur i shet si ëngjëj, ata që gjatë qeverisjes së Berishës i ka quajtur kusarë.

Por, prapë së prapi, këtë me Trampin e ka pasur nga halli, e mbrojtën. Një gënjeshtër e vogël nga ato të zakonshmet e tij.

Këtu në Shqipëri nuk ia zunë për të madhe. Madje qenë të shumtë edhe ata që u kënaqën. Eshtë dobiç, finok, kopil, driblues- thanë. Ai ua di gjuhën këtyre të jashtmëve.

Po me të njëjtën lehtësi do t'i kishin falur edhe ndryshimin e kursit pas fitores së sotme të Trampit. Përsëri do e kuptonin. Madje, madje, edhe mund ta kishin mëshiruar.

Natyrisht, nuk do t’a besonin se flamurin, tashmë të rreckosur anti Tramp, e kishte valvitur se qe prekur për kosovarët.

As se i dhimbseshin muslimanët.

As se kishte përdorur gjuhë po aq të ashpër sa edhe liderë të tjerë perendimorë.

Natyrisht, nuk do t' ia anashkalonin krahasimin e profecisë së djeshme: "marrëdhëniet do të prishen", me përbetimin e sotëm: “ato do të forcohen”.

Por përsëri, pavarësisht nga këto, të gjithë do ia kuptonin se ishin pirueta nga zori. Se qenë përpëlitjet e një burri, narciz dhe fluturak, që ishte kacavjerrë, me thonj dhe me dhëmbë, për t'u futur në lojën e të mëdhenjve dhe që tani po kuptonte se ata mund ta shkelnin si krimb.

Po, po, nëse do të heshte kështu mund të kishte ndodhur. Çudia do t'i kalonte tre ditët dhe populli do të merrej me fabulën e radhës.

Njerëzit mund ta kishin mëshiruar Ramën, mund të kishin demostruar ndaj tij keqardhje për atë që është zhytur vetë në “M… ashtrim”, mund ta kishin shpërfillur si një prestigjator, që i ranë mbi krye peshat e rënda me të cilat lodronte në arenë.

Por, jo, nuk ndodhi kështu. Dhe kjo për një arsye të vetme. Sepse Edi Rama nuk di të heshtë. Sepse ai nuk di të tërhiqet edhe kur kapet në gabim. Sepse ai nuk di të ulë kokën edhe kur gjendet përballë çorbës që ka gatuar vetë.

Ai edhe këtë radhë, nxitoi të akuzonte si fajtorë, ata që nuk arrinin ta kuptonin, ata që nuk qenë në gjendje të imagjinonin si funksiononte bota, ata që ishin gati ta denonconin përtej oqeanit.

Edhe njëherë ai përsëriti të njëjtën fabul: se fajin nuk e ka gënjeshtari, por ata që nuk e përtypin dot gënjeshtrën, se fajin nuk e ka narcizi, por ata që i tregojnë pasqyrën, se fajin nuk e ka kllouni, por ata që e përqeshin.

Edhe këtë herë, ai nuk diti ta mbajë gojën. Nuk arriti të vetëfrenohet duke rindezur debatin për deklaratat e tij ndaj Donald Trumpit.          

Dhe duke bërë këtë, ai i hoqi edhe njëherë të gjithëve mundësinë për ta mëshiruar. Për ta parë së paku si një gënjeshtar nga halli. Si një ekzibicionist, që posti nuk ia përmbush dot përmasën e delirit. Si një mitoman që vepron edhe kur nuk ka nevojë.

Në një farë mënyre, të gjitha këto mund ti’a kishin lehtësuar disi pozitën. Por, Edi Rama edhe nga kjo nuk diti të përfitojë. Për faktin e thjeshtë se ai nuk mundet të heshtë. As përpara budallallëkut.  /Lapsi.al/