• |
ide | kryesore

Muça: Dyshoj te aftësitë e Panuçit, ende nuk di si do luajë

Sport



Trajneri i mirënjohur shqiptar, Shkëlqim Muça, ka qenë shumë kritik pas miqësores së djeshme. Në bisedën për RTSH, ai ka theksuar se dyshon shumë tek aftësitë e trajnerit kuqezi, Kristian Panuçi.

“Ky është një rezultat shumë zhgënjyes dhe për më tepër pasqyrë e lojës. Pamë një Shqipëri të çorganizuar. Nuk treguam asgjë në fushë dhe Kosova na mundi me thjeshtësi e dëshirë.

Pas kësaj ndeshjeje, Panuçi mendoj se duhet të jetë shumë konfuz për përshtypjen që i kanë lënë lojtarët. Trajneri nuk e ka akoma një ide të qartë, si do të luajë dhe se çfarë fizionomie ka. Çdo trajner ka një ide për lojën, krijon strukturën dhe mundohet që ekipi të ketë një fytyrë. Mirëpo, edhe pas ndërrimeve që bëri Panuçi, ekipi shkoi edhe më keq. Dy zëvendësime në fundin e pjesës së parë ishin absurde. Panuçi mund ta kursente atë moment, pasi dy minuta mbeteshin. Ky takim na lë një shije të keqe, jo thjesht për rezultatin, por për lojën që zhvilloi Kombëtarja.

Një skuadër pa ide dhe dëshirë, e vendosur jo mirë në fushë. Ndoji fillimisht u vendos në krahun e majtë, e më pas në qendër të mesfushës. Edhe ai u çorientua si lojtar. Kjo është punë organizimi, sepse trajneri duhet të ketë ide të qarta. Për këtë punë është marrë Panuçi, që të bëjë një skuadër të organizuar dhe jo një ekip pa fizionomi loje, duke humbur edhe atë që ka pasur. Kam dyshuar që në fillim te ky trajner dhe kjo po konfirmohet nga ndeshja në ndeshje”, – ka thënë fillimisht Muça, për të analizuar më pas në detaje atë që nuk shkoi gjatë miqësores së djeshme.

“Mesfusha është reparti më i dobët i yni, thjesht inekzistent. Nuk ka lojtarë me personalitet që të marrin lojën në dorë. Skuadra nuk luan fare në bllok. Ndaj Kosovës ishim të shpartalluar, duke lënë hapësira pa fund në mesfushë. Lojtarët nuk mendojnë në të njëjtën kohë dhe ky është problem i madh. U futën Guri dhe Cikalleshi, me të njëjtat karakteristika. Nuk jemi skuadër që të bëjmë mirë në të dyja aspektet e lojës. Të gjithë ato hapësira që lëmë në mesfushë, janë në dëm të qendrës së mbrojtjes. Nuk mendoj se kemi një mbrojtje aq të dobët, por thjesht nuk dimë si të mbrohemi si ekip, jemi shumë konfuzë.

Kosova kishte shumë disiplinë taktike dhe mbi të gjitha dëshirë. Si mund të fusësh në fushë njëherësh tre pyka, Cikalleshi, Balaj dhe Manaj. Ramadani shërbente mbrapa 80% të topave, në një kohë që është lojtari që duhet të nxjerri skuadrën nga mbrojtja në sulm. Trajneri duhet t’i analizoj këto situata. Një lojtar që sa i vjen topi e kthen direkte mbrapa, ose s’ka cilësi, ose s’ka detyrë taktike. Nuk kemi një lojtar të tipit Skela. Ende nuk është gjetur një lojtar që bën lidhje me mesfushën dhe sulmin”, – përfundoi trajneri.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *