• |
ide | kryesore

Kriza në Itali, analiza dhe zgjidhjet sipas mediave ndërkombëtare

Planet

Italia ka qenë në fokusin e mediave ndërkombëtare, sidomos ato europiane, për shkak të moskrijimit ende të qeverisë. Krizë që mund të ndikojë drejtpërdrejt në Bashkimin Europian, si nga ana ekonomike, por edhe politikisht.

“Një impakt shumë më shkatërrues, sesa ai i Greqisë”
Die Presse, Austri

Për herë të parë që nga viti 2014, normat e interesit për obligacionet e qeverisë italiane kanë tejkaluar 3 përqind. Gazeta Die Presse është e alarmuar nga ngjashmëritë midis situatës në Itali dhe asaj të Greqisë tre vjet më parë: “Në të dyja rastet, një rritje e normave të interesit për huatë konsiderohet një ndërhyrje e panevojshme nga jashtë. Në fund, grekët u detyruan të respektonin diktatin e realitetit. Që nga vera e vitit 2015, Tsipras ka zbatuar reformat e kërkuara nga vendet e tjera të BE. Situata po përmirësohet ngadalë; në vitin 2017 ekonomia greke shënoi një rimëkëmbje të konsiderueshme dhe norma e papunësisë ra ngadalë. Por, para se të arrijmë deri në këtë pikë, vendi i vogël që ishte Greqia, e kishte shtyrë Eurozonën në prag të humnerës. Në rastin e ekonomisë së tretë të bashkimit monetar, prova e forcës do të jetë shumë më e vështirë për vendet e tjera evropiane”.


Italia ka ende një vend në Eurozonë?|
“Volkskrant”, Vendet e Ulëta

Italianët nuk duhet të jenë të vetmit që vënë në pikëpyetje mundësinë e një daljeje, thekson De Volkskrant: “Frustrimi ekonomik i italianëve është i kuptueshëm, ashtu sikurse ngurrimi i votuesve në vendet e tjera për të paguar borxhin e Italisë, injoron të gjitha dispozitat e marrëveshjeve evropiane. Nuk duhet të harrojmë se për vite të tëra, evropianëve u është dashur të shtrëngojnë rripat, nën reformat e qeverive të tyre. Në një kohë kur Macron po përpiqet të gjejë kompromis midis Veriut dhe Jugut për çështjen e euros, kriza politike italiane paraqet një debat të një natyre plotësisht të ndryshme: një vend si Italia, që zbaton parimin “shpenzo dhe zhvlerëso”, e ka ende vendin e vet në një zonë euro, me një monedhë shumë të fortë?”.

“Nëse Berlusconi shfaqet si zgjidhje…”
“Novi List”, Kroaci

Pas dështimit të qeverisë së Giuseppe Contes, Novi List nënvizon se edhe Silvio Berlusconi do të ishte i preferuar, para këtij kaosi: “Italia ka qenë gjithmonë laborator i Evropës: këtu janë testuar zgjidhje të reja politike. Në këtë laborator, gjërat janë aq të forta, sa ish-kryeministri Silvio Berlusconi, të cilit iu desh të jepte dorëheqjen në kulmin e krizës së euros, duket një garanci për stabilitet dhe moderim. Berlusconi e ka quajtur Lëvizjen 5 yje dhe kërkesën e saj për largimin e Mattarella, të papërgjegjshme. Kush e di, ndoshta Berlusconi është personazhi që do të gjejë rrugëdaljen nga kaosi i tanishëm”.

“Udhëheqësit evropianë bisedojnë, ndërsa kriza përkeqësohet”
“Financial Times”, Mbretëria e Bashkuar

Financial Times beson se dhënia e detyrës Carlo Cottarellit ishte një bast i rrezikshëm për presidentin italian: “Duke ngarkuar me nxitim një tjetër teknokrat jo të zgjedhur, për të udhëhequr një qeveri të përkohshme, Mattarella vetëm sa po forcon partitë anti-establishment. Këto, që janë shumica në të dy dhomat e parlamentit, kishin një mandat të fortë për të formuar një qeveri. Tani ata do të jenë në gjendje të kandidojnë për zgjedhjet e parakohshme, me argumentin bindës se elita italiane, përveç se dorëzohet para të presioneve të Evropës në kurriz të rritjes ekonomike italiane, po punon gjithashtu për të minuar demokracinë”.

financial times

Mattarella mbron kontribuesit
“protagon.gr”, Greqi

Presidenti kishte të drejtë të refuzonte kandidaturën e ministrit të ekonomisë, shkruan gazetari Kostas Giannakidis në gazetën online, Protagon. “Eshtë gjë e mirë, apo jo? Ky është tjetër debat. Presidenti italian mori në konsideratë interesin e vendit, që ishte në rrezik, ashtu sikurse pozicioni i Italisë në Evropë. Por ka edhe një dimension më të thjeshtë dhe më të kuptueshëm: kostoja financiare e këtyre akrobacive populiste. Duke refuzuar kandidaturën e një ministri euroskeptik, Matarella mbron portofolin dhe normat e interesit të kontribuesve italianë, nga reagimet nervoze të tregjeve. Sigurisht, njerëzit s’mund të qeverisen prej tregjeve. Një argument i mirë, që megjithatë, është i vlefshëm vetëm në një vend të izoluar, si Korea e Veriut”. /Bota.al/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu