• |
ide | kryesore

Artistët pro Ramës, marioneta të pushtetit

Blog

Rrethimi, pak javë më parë, i territorit të Teatrit Kombëtar dhe artistëve nga policia ishte një shfaqje e shëmtuar dhe e panevojshme, e cila tregoi sa larg ka shkuar kjo qeveri në arrogancën e saj.

Pamjet e përleshjeve të policisë me artistë, aktivistë e qytetarë, të cilët kishin dalë të mbronin teatrin nga qeveria e tyre, ngjallën interesin deri të shumë mediave ndërkombëtare, që raportuan ngjarjen, një pjesë me nota kritike ndaj qeverisë.

E megjithatë, për turpin e tyre, shumica e artistëve të rreshtuar tashmë në anën e qeverisë, nuk reaguan. Të mbërthyer në darën e interesave të tyre të vockla, si dhe në atë të presioneve nga qeveria, ata zgjodhën faqen e zezë, duke i shkuar deri në fund zgjedhjes së tyre për t’u përdorur nga pushteti.

Që prej asaj dite, Kryeministri Rama ka vijuar me përdorimin e tyre, duke postuar rregullisht pohime të artistëve të ndryshëm në mbështetje të një ndërtese të re, përfshi disa që mbështesin shembjen e ndërtesës historike të teatrit.

Ndonëse disa kanë reaguar se Kryeministri ka abuzuar dhe i ka shtrembëruar fjalët e tyre, të tjerë kanë vijuar të pranojnë të bëhen instrument i pushtetit kundër teatrit dhe kolegëve që e mbrojnë.

Muri i Kryeministrit në Facebook është bërë tashmë vitrinë ku parakalojnë një e nga një të gjithë artistët e oborrit.

Nuk është lajm se, në fakt, shumica e të rreshtuarve në krah të qeverisë sot, fillimisht janë deklaruar hapur kundër projektit të saj. Askush prej tyre nuk ka thënë si ndodhi që gradualisht u futën një e nga një në vathën e Edi Ramës, por kjo gjë mund të hamendësohet.

Është një rast i qartë i përdorimit politik, ndonëse vetë të përdorurit pohojnë me forcë se qëndrimet e tyre janë të tilla pikërisht pasi ata nuk duan të politizohen.

Duke u fshehur pas një perceptimi krejt absurd mbi depolitizimin, këta artistë në fakt i shërbejnë politikës në mënyrën më të pashembullt.

Duke u munduar të trukojnë vetveten, ata shprehen se u intereson vetëm një teatër i ri dinjitoz, që do të jetë një tempull i kulturës në shërbim të qytetarëve, pavarësisht nëse ky teatër i ri mund të kërkojë sakrifikimin e të vjetrit.

Ata thonë se nuk janë arkitektë dhe nuk iu takon të vlerësojnë nëse është apo jo e mundur të restaurohet ndërtesa e tanishme. Por ata marrin të mirëqenë vlerësimin e qeverisë për ndërtesën, ndonëse nuk ka ndonjë studim të besueshëm për qëndrueshmërinë e saj.

Këta artistë zgjedhin të mos marrin parasysh faktin se 78 arkitektë të pavarur kanë nënshkruar një deklaratë, ku pohojnë se ndërtesa është e fortë dhe plotësisht e restaurueshme. Ata pranojnë si referencë vetëm pohimet e arkitektëve të pushtetit dhe refuzojnë përfundimet e arkitektëve të pavarur.

Depolitizimi është llastik, që mund ta tërheqësh nga cila anë të duash.

Në përpjekjet për t’u hequr si të paanshëm, shumë prej artistëve në krah të pushtetit thonë se u duhet vetëm teatri i ri dhe nuk u intereson se ku e ndërton atë qeveria.

Kjo shitet si depolitizim: “Ne jemi artistë dhe nuk i ndërhyjmë qeverisë në punët e saj, për t’i treguar se ku ta ndërtojë teatrin e ri”.

Në fakt, ata nuk janë të pandjeshëm ndaj halleve të qeverisë, kur flasin për koston e projektit dhe për pamundësinë e saj për ta ndërtuar teatrin e ri në një truall tjetër. Kur vjen puna për të mirëkuptuar qeverinë, ata e tejkalojnë kufirin që i kanë vendosur vetes për të mos u marrë me gjëra për të cilat nuk janë kompetentë.

Kështu, shumë prej tyre nuk kanë ngurruar të pohojnë se pa shembur teatrin e tanishëm, qeveria nuk ka ku ti gjejë fondet për të ndërtuar nëj të ri.

Kjo është krejtësisht e pavërtetë. Qeveria i ka mundësitë financiare për të ndërtuar një teatër të ri dhe, njëkohësisht, për të restauruar aktualin.

Ajo mund ta bëjë këtë pa asnjë sforcim, nëse nuk do t’ia kish vënë syrin truallit aq të lakmuar në qendër të Tiranës, ku kërkon të ndërtojë kulla me fitime marramendëse për një grusht pushtetarësh.

Këto fakte nuk u interesojnë artistëve “të depolitizuar” të qeverisë. Sipas tyre, kullat janë kompetencë e qeverisë dhe ata nuk mund të përzihen në politikë për t’i treguar asaj se çfarë dhe ku të ndërtojë.

Në mënyrë qesharake, ata heqin dorë edhe nga qytetaria, duke refuzuar të ofrojnë qoftë edhe një opinion personal për betonizimin e qytetit, madje edhe kur “tempulli” i tyre përdhoset nën hijen e kullave ngjitur dhe nën skemën qartësisht korruptive të grabitjes së pronës publike.

Mesazhi i tyre është: “Ne duam një tempull të ri, mbi gërmadhat e të vjetrit, pavarësisht nëse kjo bëhet për të na vjedhur”.

Çuditërisht, ata që e flirtojnë me pushtetin mbajnë gjithnjë qëndrime në dukje ekstremisht skrupuloze. Ata refuzojnë t’i njohin vetes edhe kompetencat më minimale që iu jep statusi i qytetarit apo personazhit publik.

Këta artistë janë bërë ekspertë të promovimit të heshtjes publike si vlerë intelektuale dhe të zgjerimit të hapësirës së abstenimit të justifikuar me mungesën e kompetencës.

Ata predikojnë sofizmin e ngushtimit ekstrem të hapësirës së tyre të gjykimit, duke promovuar refuzimin e të drejtës për të dhënë një mendim përtej nevojave teknike për kushte më të mira pune.

Kjo është e mjerueshme dhe po aq qesharake. Sipas këtij gjykimi, depolitizim do të thotë të heqësh dorë nga përgjegjësitë e tua qytetare e intelektuale, për t’ia deleguar këto përgjegjësi pushtetit.

Kjo nuk është gjë tjetër vetëm një djallëzi cinike, që mbron gjykimin totalitar politik se qeveria është autoriteti absolut mbi popullin dhe territorin dhe ajo ka të drejtë të bëjë ç’të dojë me ta, pa u kufizuar nga askush.

Në fakt, pikërisht kjo gjuhë e drunjtë, me djallëzi diplomatike në dukje, është mënyra tipike e të qenit i zhytur kokë e këmbë në interesat e politikës.

Politika kërkon pikërisht këtë, që artistët të ngushtojnë hapësirën e tyre të të shprehurit, në mënyrë që çështja t’i mbetet asaj.

Qeveria fiton kështu mundësinë për të bërë paudhësitë që dëshiron, duke imponuar abstenimin si të vetmin qëndrim politikisht korrekt, dhe duke penguar kështu çdo reagim.

A nuk është kjo arsyeja përse Erion Veliaj akuzon çdo ditë protestuesit si gjithologë të politizuar, që marrin përsipër kompetenca që nuk u takojnë?

Pamja e gjendjes së tanishme nuk është kjo që pikturohet me depolitizimin e artistëve dhe qeverisë.

Qoftë edhe si qytetarë, aq më shumë si grup drejtpërdrejtë i interesuar, sikurse janë, artistët kanë të drejtë të kërkojnë llogari, kanë të drejtë të kundërshtojnë dhe, mbi të gjitha, kanë detyrimin përballë publikut të mos pranojnë të bëhen instrumente të projekteve korruptive, të cilat kompromentojnë “tempullin” e tyre të kulturës.

Fakti që ata abstenojnë nga detyrimet e tyre dhe këmbëngulin të refuzojnë përgjegjësitë qytetare e publike, tregon se, në mënyrë të turpshme, ata janë të përfshirë politikisht në mbrojtje të grabitjes dhe korrupsionit të qeverisë kundër teatrit.

Exit.al

3 Comments

  1. REVOLUCION KUNDER TE KEQES (POLITIKES)
    REVOLUCION KUBDER RAM JORGO KADRIUT
    REFORMIN DHE REVOLUCION KUNDER KASTES POLITIKE

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu