• |
ide | kryesore

Hetimet për Agim Kajmakun, Prokuroria zbulon detaje nga hetimet

Lajme, Të fundit

Prokuroria e Përgjithshme ka njoftuar se ka nisur procedurat për kryerjen e verifikimeve mbi figurën e kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku, nisur nga pretendimet e ngritura prej Partisë Demokratike, sipas së cilës kandidati socialist i dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit ka dosje penale të hapur në Greqi.

E gjithë procedura e verifikimit po bëhet në bashkëpunim me autoritetet greke dhe INTERPOL-in. Në njoftimin bashkëngjitur më poshtë, Prokuroria ka dhënë detaje lidhur me hapat e ndjekura, duke nisur nga kërkimet në sistemin TIMS, deri tek marrja e gjurmëve daktiloskopike të Kajmakut, që nuk është përmbushur ende.

Njësoj si në rastin e kryebashkiakut të zgjedhur të dorëhequr të Shkodrës, Valdrin Pjetri, PD-ja i është referuar të dhënave të sistemit TIMS, nëpërmjet të cilave, sipas selisë blu rezulton se Kajmaku nuk ka udhëtuar në asnjë rast të vetëm në drejtim të Greqisë.

Në Formularin e Vetëdeklarimit shtetasi Agim Kajmaku alias Jorgo Toro ka deklarur se ka jetuar për 5 vite në Greqi. Nga verifikimi i të dhënave të sistemit TIMS rezulton se shtetasi Agim Kajmaku alias Jorgo Toro nga periudha 2004 – 2016 nuk ka udhëtuar në asnjë rast të vetëm në drejtim të Greqisë, çka përbën një indicie për saktësinë e të dhënave të bëra publike më parë.”- argumenton PD në kërkesën adresuar Prokurorisë, të shoqëruar nga 500 firma qytetarësh.

Në këto kushte, PD-së arsyeton se Kajmaku duke qenë subjekt i Ligjit të Dekriminalizimit, nuk mund të ushtrojë funksione publike. Ndërkohë, përkundër pretendimit të ngritur nga selia blu, Kajmaku ka deklaruar për mediat se nuk është dënuar dhe as është dëbuar ndonjëherë nga shteti grek dhe sipas tij, këto akuza kanë sfond politik.

Njoftimi i Prokurorisë së Përgjithshme: 

Duke marrë shkas nga publikimet e fundit në media lidhur me procedurën e verifikimit të subjektit Agim Kajmaku, Kryetar i Bashkisë Vorë, ju informojmë në lidhje me veprimet e kryera prej Drejtorisë së Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë dhe Verifikimit të Integritetit të Personave që Zgjidhen Emërohen ose Ushtrojnë Funksione Publike, deri ditën e sotme:

 datë 23.08.2019, Prokuroria e Përgjithshme, në zbatim të ligjit Nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, ka regjistruar kërkesën e Partisë Demokratike për verifikim të thelluar për subjektin Agim Ymer Kajmaku.

 Në të njëjtën datë, i është kërkuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Formulari i Vetëdeklarimit të subjektit të sipërcituar si dhe çdo verifikim paraprak i kryer, i cili me shkresën Nr. 14197 Prot. datë 27.08.2019 ka paraqitur Formularin e Vetëdeklarimit.

Më datë 26.08.2019, u është dërguar kërkesë :

  • Zyrës së Gjendjes Gjyqësore, e cila me shkresën Nr. V-2629/1 Prot. datë 27.08.2019 ka përcjellë vërtetimin e gjendjes gjyqësore për subjektin Agim Kajmaku;
  • Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile, e cila me shkresën Nr. 6854/1 Prot. datë 29.08.2019, ka konfirmuar të dhënat në lidhje me gjeneralitetet e subjektit Agim Kajmaku;
  • Drejtorisë së Policisë së Shtetit, Departamentit të Policisë Kriminale, e cila me shkresën Nr. 13255/1 Prot., datë 27.08.2019 informon nëse ky shtetas ka qenë ose jo i ndaluar apo arrestuar nga strukturat e Policisë së Shtetit.
  • Departamentit të Kufirit dhe Emigracionit pranë Drejtorisë së Policisë së Shtetit, i cili me shkresën Nr. 3269/1 Prot., datë 29.08.2019, informon në lidhje me të dhënat e sistemit TIMS për shtetasit Agim Kajmaku dhe Jorgo Toto.
  • 23 Prokurorive pranë Gjykatave të Shkallës së Parë, Prokurorive pranë Gjykatave të Apelit, Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, nëse subjekti ka patur kallëzime/referime/procedime penale, ka qenë ose jo nën hetim, është caktuar ose jo ndonjë masë sigurimi, është dënuar ose jo, me vendim jopërfundimtar apo të formës së prerë për kryerjen e ndonjë vepre penale dhe deri tani janë administruar disa prej përgjigjeve.
  • Drejtorisë së Bashkëpunimit dhe Koordinimit Ndërkombëtar (INTERPOL), pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit nëse subjekti figuron i ndaluar/arrestuar për veprimtari kriminale;
  • I është kërkuar shtetasit Agim Kajmaku të depozitojë gjurmët e tij daktiloskopike pranë Institutit të Policisë Shkencore dhe këtij të fundit të përcjellë gjurmët daktiloskopike pranë Prokurorisë së Përgjithshme dhe ende nuk është administruar një përgjigje në lidhje me këtë kërkesë. Sipas verifikimeve në sekretarinë e Prokurorisë së Përgjithshme rezulton se shërbimi postar (Drejtoria e Përgjithshme e Postave) ka ngatërruar adresën e subjektit Agim Kajmaku dhe ende nuk e ka dorëzuar shkresën.

Më datë 28.08.2019 janë administruar të dhënat biometrike të shtetasit Agim Kajmaku, nga institucioni që ruan dhe administron të dhënat biometrike të shtetasve të Republikës së Shqipërisë, ALEAT.

Më datë 29.08.2019 gjurmët daktiloskopike i janë përcjellë për krahasim (në vijim të kërkesës së parë) Drejtorisë së Bashkëpunimit dhe Koordinimit Ndërkombëtar (INTERPOL), pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Më datë 30.08.2019 i është kërkuar Ministrisë së Drejtësisë, për të komunikuar me autoritetet Greke të drejtësisë, me qëllim konfirmimin e autenticitetit të dokumentit (Vendim i Prokurorisë së Apelit Janinë), administrimin e çdo vendimi penal të marrë ndaj subjektit (vendim masë sigurie, dënimi) si dhe krahasimi i gjurmëve daktiloskopike të subjektit. Bashkëlidhur është dërguar kopja e vendimit të Prokurorisë së Janinës dhe gjurmët daktiloskopike të shtetasit Agim Kajmaku.

Rasti është vlerësuar me përparësi nga ana jonë dhe të gjitha veprimet e mundshme janë kryer brenda një afati prej 7 (shtatë) ditësh nga momenti i paraqitjes së kërkesës për verifikim.

Jemi në pritje të përgjigjes nga autoritetet greke të drejtësisë dhe atyre policore, të cilat janë vendimtare për marrjen e një vendimi.

Duke ju falënderuar për vëmendjen,

ZYRA E SHYPIT

Pranë

PROKURORIT TË PËRGJITHSHËM

2 Comments

  1. Ja pra kaq e thjeshte eshte… Nese shenjat e gishtave dhe shkrimi te ketij Kajmakut jane te njejte me ato te Jorgo Totes , atehere ky Kajmaku ka qene i denuar ne Greqi.
    Nese shenjat e gishtave dhe shkrimi nuk jane te njejte , atehere kemi te bejme me 2 persona te ndryshem, dhe Kajmaku del i lare nga kjo histori.

    Problemi eshte si do veprohet nese stili i shkrimit eshte i njejte dhe gishtat nuk perputhen .. si do veprohet ?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu