• |
ide | kryesore

Opereta shqiptare e mini Shengenit

-Instant, 2, Ide

Kosova, ajo që është identifikuar me votën e 6 tetorit, nuk ka mundur të marrë pjesë në iniciativën mini-Shengen. Dhe rrjedhimisht, çfarëdo përshkrimi për Kosovën si vend që ka zgjedhur rrugë qorre është i pashije

1.

Ndërsa po synohet të rrënohen barrierat mes Shqipërisë dhe katër vendeve të Ballkanit Perëndimor, po ngrihen barrierat mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Kështu duket rezultati i deritanishëm i iniciativës mini-Shengen. Së fundmi, në Tiranë javën e kaluar u nënshkruan marrëveshje mes krerëve të Shqipërisë, Serbisë, Maqedonisë Veriore, Malit të Zi (në nivel krerësh shtetesh a qeverish) dhe Bosnjë-Hercegovinës me synim heqje barrierash në qarkullim mallrash e njerëzish më 2020-n.

Në po të njëjtën kohë, kryeministri i Shqipërisë e quajti atë të Kosovës gënjeshtar, ndërsa elitën politike të saj të papërgjegjshme e me përcaktim që ta çojë më tutje vendin në një rrugë qorre. Debati që po zhvillohet këto ditë në media dhe rrjete sociale, në relacionin Kosovë- Shqipëri, tejkalon politikën dhe ka mbërritur të përfshijë madje edhe një artist të famshëm kosovar, tenor i shquar në disa prej shtëpive të operës në botë. Ai e quajti publikisht kryeministrin “psikopat” dhe mesazhi i tij u ripërsërit në media sociale në nivele rekorde.

Po të bëhej fjalë për dy shtete të tjera, mund ta imagjinoj situatën ku SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian nisin të dërguar të veçantë për të afruar qëndrimet mes Shqipërisë dhe Kosovës. Në terminologjinë e tenorit, kjo do të ishte pjesë e kontekstit të operës.

Por, bëhet fjalë për mu këto dy shtete, pra Shqipërinë dhe Kosovën, dhe në terminologjinë e tenorit, këtu kemi të bëjmë me një operetë. Është kategori më e lehtë se opera ky këmbim verbal Kosovë-Shqipëri dhe ka një nën-kontekst komik; tingëllojnë si batutat e mëhallës që duhet të ofendojnë, por edhe të harrohen pas disa ditësh.

2.

Ekzistimi i operetës paraqet problem më vete dhe ka të bëjë me nënkuptueshmëri, kësaj here etnike.

është e nënkuptueshme që kryeministri i Shqipërisë të ketë të drejtë të vlerësojë se çka është apo jo në interes të Kosovës dhe është e nënkuptueshme ta quajë kryeministrin e Kosovës gënjeshtar, ndonëse një formulim i këtillë nuk do të shqiptohej nga ai për një prijës të Serbisë a ndonjë vendi tjetër-ani pse s’do mend që prijësi i Serbisë a ndonjë vendi tjetër do të ketë shqiptuar ndonjëherë apo shumë herë të pavërteta.

Dhe, është e nënkuptueshme që veç e veç apo në kor nga Kosova të vlerësohet se cili veprim i Edi Ramës është apo jo “kombëtar”. Dhe bëhet e nënkuptueshme që të kemi të drejtë ta quajmë “psikopat” kur ai takohet me Vuçiqin, por ky përshkrim i aftësive mendore e shpirtërore nuk i jepet cilitdo prej liderëve kosovarë që jo vetëm është takuar me të, por ka nënshkruar marrëveshje për “bosnjëzim” të Kosovës apo ka vizatuar harta për copëtimin territorial të saj.

Nënkuptueshmëria etnike përcakton, siç po shihet gabimisht, se Edi Rama ka kompetenca e përgjegjësi edhe për Kosovën. Nuk duhet të jetë e nënkuptueshme që ai të vlerësojë se çka është në interes të Kosovës apo jo; këtë duhet ta vlerësojnë të zgjedhurit politikë të Kosovës. Dhe nuk duhet të jetë e nënkuptueshme që kur kryeministri i Shqipërisë mbron një interes të shtetit të tij- e “katër liritë evropiane” në Ballkan janë në interes të Shqipërisë – të detyrohet t’i japë shpjegime dhe përgjegjësi opinionit kosovar. Këtë obligim e kanë të zgjedhurit kosovarë.

3.

Të zgjedhurit kosovarë nuk kanë mundur të japin shpjegime më të hollësishme e të strukturuara për një arsye të thjeshtë: Kosova po kalon në një gjendje që mund të jetë përtej rotacionit të rëndomtë politik. E tërë gjysma e dytë e këtij viti ka kaluar duke u bërë gati për një Qeveri dhe, më me rëndësi, për mundësinë e një qeverisjeje të re.

Iniciativa mini-Shengen, e cila ndodhi si një përpjekje për të tejkaluar ngathtësitë e deritanishme evropiane për integrim të Ballkanit Perëndimor (përfshirë edhe “dialogun” e Brukselit) e zuri Kosovën në këtë lloj transicioni, i cili ende është duke u zhvilluar. Pra, ndërsa shtetet e Ballkanit Perëndimor janë nisur në një proces që shkon përtej atij të Berlinit, Kosova ende merret me përpjekjen për Qeveri dhe qeverisje të re.

Rrjedhimisht, Kosova, ajo që është identifikuar me votën e 6 tetorit, nuk ka mundur të marrë pjesë në iniciativën mini-Shengen. Dhe rrjedhimisht, çfarëdo përshkrimi për Kosovën si vend që ka zgjedhur rrugë qorre është i pashije. Kosova, në fakt, po përpiqet të dalë nga rruga qorre ku e kanë futur, mes tjerash, kapësit e shtetit, me të cilët, Tirana zyrtare për fat të keq ka bashkëpunuar në projektin e këmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.

Kosova pritet që së shpejti ta ketë zërin e vet legjitim të qeverisjes. Atëbotë mund të kontribuojë në një debat që shkon përtej operetës.

4.

E tash opera.

Kryeministri i Shqipërisë i është bashkëngjitur korit të bonsensit evropian dhe amerikan që thotë se problemet zgjidhen duke biseduar dhe se popujt që kanë luftuar mund të arrijnë në paqe e bashkëpunim, dhe ja shembulli i Bashkimit evropian. Pra, iniciativa e mini-Shengenit, sipas korit, është një përpjekje e një modeli evropian për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Dhe ky kor ngrihet kundër çdokujt që shtron pikëpyetje rreth këtij modeli, duke i cilësuar si udhëtarë të “rrugës qorre”.

Por, ekziston një dallim në thelb. Modeli i cili po përpiqet të ndërtohet me mini-Shengenin nuk ka precedent. Bashkimi Evropian u ndërtua si model pajtimi e bashkëjetese mes kombeve dhe shteteve të lira pas përfundimit të konfliktit dhe vendosjes së marrëdhënieve bazike të respektit mes shteteve të dala nga konflikti.

Në Ballkanin Perëndimor nuk është arritur ende kjo gjendje, meqë Kosova dhe Serbia jetojnë në gjendje konflikti të papërfunduar. Shteti i Serbisë ende mban në paqe caqet politike të cilat u përpoq t’i arrijë me luftë, madje në një luftë në të cilën në formë sistematike arriti në kufijtë e gjenocidit.

Ky është një model krejtësisht i ri dhe i paprovuar, andaj edhe potenciali i madh i zbrazjes emocionale ndër shqiptarë e serbë. Kjo është përpjekja, ende e padëgjuar në botë, për të ndërtuar pajtimin e bashkëjetesën e kombeve dhe shteteve të lira ende pa përfunduar konflikti.

Për këtë, ende nuk ka libretto.

3 Comments

  1. Kam nje problem me idene e nekuptueshmerise etnike qe e relativizon sharjen e liderave te Kosoves nga Rama. Nuk e di nese nenkuptueshmeria etnike do e relativizonte ne syte e serbeve sharjen e liderit te serbeve ne Kosove nga Vucic ne nje takim me Haradinajn , per me teper me justifikimin se ky lider i serbeve nuk po bashkepunon sa duhet me qeverine e Kosoves.

  2. Shkrimi eshte i mire por ka nevoje te jete me konciz. Kryeministri i Shqiperise i thote kryeministrit Shqiptar te Shqiptareve te Kosoves “budalla” Realisht mendoj se Edi realisht eshte psikopat kur flet me kete gjuhe publikisht dhe me keq ne prani te presidentit te Serbise.Sido qe te flasi Edi Kosova e Shqiperia si komb jane nje e kush mendon apo beson se jane dy jane trapa. Une Besoj se qeveria e Rames eshte ne veshtersi apsolute ekonomike e politike dhe ne kete veshtersi po mer nisma e fjalor rrugaçesh qe ne vend qe ta shpetojne po e renojne. Une kam bindjen qe ne ne radhe te pare ne te bejme minishengenin ose quheni si te doni te shqiptareve mes vetit e pastaj te dalim te fqinjet tane qe per dreq i kemi pasur gjith jeten tone armiq.

  3. Chapeau!
    Administrata jone nuk ka shume njerez te pregatitur, sidomos ne ceshtjet europiane dhe nderkobetare, per aresye historike dhe edukimi universitar, pasi pjesa me eksprience vjen nga nje sistem qe i ngurtesoi dhe nuk i la te zhvilloheshin si duhej.
    Por nuk kemi gati fare njerez te ditur dhe eksperte njekohesisht, cka eshte elementi qendror ne komunikimin, ballafaqimin dhe negocimin me te huajt.
    VS eshte nje as, qe do gjente vend ne cdo vend, por ne e kemi aty dhe nuk e therrasim ne sherbim te shtetit (tonin).
    Ky me duket si Lasgush Poradeci ne kohen e EH. E kemi midis nesh dhe nuk e kemi.
    I kuptoj, edhe pse nuk kam mirekuoptim per eliten vendimmarrese kosovare persa i perket VS, por nuk kuptoj Vendimmarresit shqiptare ne kete kohe.
    Eshte shume probabile, qe ai i ben hije ER, por ne fund do ishte me leverdi te madhe per ne dhe per cdo ekip drejtues.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu