Kryebashkiaku i Miamit, Francis Suarez ka Covid-19, por nëse do ishit ngjitur me të, s’do e dallonit. Sigurisht, askush nuk do të ketë fatin t’i qëndrojë ngjitur – kryebashkiaku është izoluar në shtëpi që kur mori vesh se një zyrtar brazilian me të cilin ishte takuar ishte diagnostikuar me Covid-19. Të enjten, Suarez u testua nga departamenti i shëndetësisë dhe të premten njoftoi se analizat rezultuan pozitive.
Deri më tani, ndihet mirë. “Simptoma të lehta ose aspak simptoma,” tha Suarez në një video që e postoi të dielën në mëngjes. Kryebashkiaku përditëson çdo ditë ndjekësit dhe qytetarët mbi gjendjen shëndetësore, simptomat, temperaturën dhe mendimet përmes videove në formë ditari.Deri më tani, Covid-19 ka qenë një sëmundje e lehtë për 42-vjeçarin që më parë gëzonte shëndet të plotë dhe nuk vuante nga probleme të tjera imunitare. Ai merr qetësues për dhimbjet e trupit dhe nuk ka temperaturë, vetëm rrufë.
Suarez nuk përfshihet te grupi më i rrezikuar i popullsisë, si të moshuarit dhe ata me probleme imunitare. Mungesa e simptomave të kryebashkiakut shërben si argument i fortë për t’u distancuar nga të tjerët dhe për të shmangur grumbullimet publike si mënyra më efektive për të minimizuar transmetimin te të tjerët.