• |
ide | kryesore

Tuchel ka marrë këshillat nga Navas, Neymar e Di Maria: “Kemi folur edhe para gjysëmfinales”

-Instant, Sport



Tekniku i Psg, Thomas Tuchel, i ka dhuruar klubit francez finalen e parë të Champions League në historinë e tyre e tani kundër Bayern Mynih e di se luan për gjithcka. “Jemi këtu për të luajtur finalen e për ta fituar. Natyrisht është sfida më e madhe e karrierës sime. Eshtë vështirë të përshkruar emocionet e mia: jam i sfilitur dhe i lumtur. Nuk do të bëjmë asgjë speciale, sepse ndeshja vetë është speciale”, ka thënë gjermani i francezëve.

Tuchel duhet të zgjidhë disa dilema formacioni. “Dëmtimi i pësuar nga Marco Veratti është shkaktuar nga një goditje, nuk bëhet fjalë për dëmtim muskular e kjo i minimizon rreziqet. Ai ndihet mirë, ashtu si edhe Kylian Mbappé. Ndoshta nuk është i aftë të përballojë 120 minuta, por është gati të luajë, gjithnjë nëse nuk ndodh ndonjë problem i ri para ndeshjes”, ka sqaruar Tuchel që është në ankth edhe për portierin Keylor Navas.

Për Psg është finalja e parë në Champions League në histori: “Flas shumë me Keylor Navas, ai e ka fituar këtë kompeticion shumë herë – ka rrëfyer Tuchel – kemi folur edhe para gjysëmfinales. Edhe Angel di Maria e Neymar e kanë fituar Champions League: besoj se skuadra si Bayern, që janë mësuar të luajnë këto lloj ndeshjesh, kanë një avantazh të lehtë për këtë fakt. Por nuk është vendimtar si avantazh”.

Mbi kundërshtarët: “I kemi parë videot me djemtë e kemi kryer një seancë krejtësisht taktike. Punojmë në konceptet bazë të lojës sonë në mënyrë që të ndihen të qetë. Me Flick Bayern po përjeton një moment unik. Ata janë një mix të rinjsh të etur për sukses e plot dëshirë të lënë gjurmë e lojtarësh ekspertë që duan ta fitojnë sërisht Champions League”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *